Ylli Pata: Dimensioni politik i katastrofës së Sali Berishës dhe Ilir Metës

Ylli Pata: Dimensioni politik i katastrofës së Sali Berishës dhe Ilir Metës

Sali Berisha dhe Ilir Meta

Pas humbjes së PD-së në zgjedhjet e 25 prillit 2021, si Sali Berisha, ashtu edhe Ilir Meta, kishin planifikuar të merrnin në dorë opozitën shqiptare. Jo thjesht për të kontribuar si politikanë me përvojë, por për ta drejtuar, kontrolluar si një pol pushteti.

Por realisht ky synim ishte jashtë natyrës, jashtë dialektikës, dhe jashtë dëshirës së popullit të opozitës. i cili në zgjedhjet parlamentare nuk u mobilizua për të ndryshuar qeverisjen e Edi Ramës, përveç të tjerash, sepse nuk dëshironte që alternativë e saj të ishte Ilir Meta me Sali Berishën. Vetë Meta, e pat thënë kur ishte President, se ishte gati të bëhej edhe ministër i Brendshëm. Natyrisht Meta, si një takticien i shkathët, e ka bërë këtë lëvizje për të tërhequr çuat që janë “kontigjent” i Ministrisë së Brendshme, port ek zgjedhësit e opozitës, ka ardhur fryrja në vesh: Akoma su ngop ky mo?

Megjithatë, si Sali Berisha, ashtu edhe Ilir Meta, nuk ju drejtuan njerëzve të opozitës, për t’ju thënë: A doni ju që t’ju udhëheqim ne të dy, se me këtë eksperiencë e thyejmë në mes Edi Ramën? Por siç e dimë, përkrahën, sidomos Sali Berisha rizgjedhjen e Lulzim Bashës në korrikun e vitit 2021. Kur Sali Berisha u shpall Non grata nga SHBA, ai tha hapur e troç se përveçse është beteja ime, dua që PD të më mbrojë, madje fort biles. Kur Basha e përjashtoi nga grupi, Sali Berisha me koshiencë provokoi një trazirë brenda PD-së, që nisi me foltore, vijoi me qysqi e leva më 8 janarin famëkeq, e përfundoi me një vendim që në politikë quhet rivalitet. Doli si subjekt elektoral bashkë me Ilir Metën më 6 mars 2022 në zgjedhjet e pjesshme kundër PD-së së tij. Ky akt i Sali Berishës ishte realisht lamtumira e tij me demokratët politikë. Të tjerët që do i rrinin pranë nuk kanë lidhje politike me PD-në, janë thjesht fansa të doktorit, po ky është muhabet tjetër. 

Ndërkaq, Meta kërkonte të bëhej lider i opozitës, duke marrë çika e copa nga PD-ja. Vijuan betejën ligjore e linçuese, por edhe diversioniste brenda PD-së dhe arritën të ndalonin Partinë Demokratike që të kandidonte në 61 bashki. Me logjikën se të paktën Berisha e Meta, do të merrnin ca bashki, ku do të nisnin çimentimin e një opozite të re. Edhe pse mund të ishte qerpiçi, ata menduan se kështu tullë e tjegull bëhet baraka e re. Megjithëse doktori në asnjë ditë nuk ju nda ndërtesës luksoze të SHQUP së bashku me njerëzit e vet, edhe pse nuk i takonte. Pranuan këtë sfidë dhe ja ku jemi. Më 14 maj, Sali Berisha është refuzuar politikisht në ashtin e elektoratit tradicional të PD-së. Nga Lezha në Kurbin, por simbolet janë Kamza, Tropoja e sidomos Shkodra.

Në të treja, dimensioni i shpartallimit politik të doktorit ka një sinjal ndryshe. Në Kamëz, nuk dolën në votime njerëzit që kishin votuar për 30 vjet me radhë për të. Për shkaqet e pasojat duhet analizë tjetër që duhet bërë realisht, sepse janë mesazhe shumë të rëndësishme politike. Ish-Berishjanët e Kamzës kanë votuar shpesh siç ka dashur doktori, madje edhe në 2017 apo 2021 kur i tha që të votojnë LSI. Por në këto zgjedhje u çoi kandidat si gjithnjë një person pranë tij. Duke refuzuar edhe Xhelal Mziun, ndërkohë që kolegun e tij Zef Hilës i dha leje të kandidonte në Vaun e Dejës.

Rakip Suli mori afërsisht 26 mijë vota, ndërkohë që dy vite më parë PS mori 25 mijë bë bashkinë e Kamzës. Pra socialistët thjesht çuan në zgjedhje njerëzit e tyre, kurse demokratët e etshëm qëndruan në shtëpi. Siç ju tha Edi Rama: “S’doni të na votoni ne ? Mos e bëni ! Rrini në shpi ! “ Ndërsa në Shkodër, ka ndodhur një zhvillim politik i madh, që me të drejtë Benet Beci apo edhe Edi Rama po e konsiderojnë sit ë rëndësishëm e po ndërtojnë diçka politike. Dje në Shkodër kanë dalë të votuar ai numër i elektoratit gri masiv anti-berishjan siç e ka bërë në tetorin e 1996 kur zgjodhi Bahri Boriçin. Po të shikohen shifrat e pjesëmarrjes, kemi të bëjmë një një zhvillim mjaft impresionant. Jo më kot njerëzit e foltores në Shkodër u shqetësuan shumë, që u kërkonin njerëzve të tyre të dilnin e votonin. Por që nuk ndodhte. Po si të ndodhte, kur Bardh Spahia me urdhër të Sali Berishës largoi njerëzit që i sillnin vota PD-së në 30 vjet, jo me thaës por me maune. 

Dajçi është zona më e palëvizshme elektoralisht për PD-në në 33 vjet. Shikoje sot, është në krye Benet Beci. Shiko qytetin e Shkodrës, Beçi është me më shumë se 2 mijë vota avancë, pa marrë votat  e militantëve të Berishës apo edhe të PD-së, që sipas të gjitha gjasave kanë votuar me shpirt ndër dhëmbë Bardh Spahinë, edhe pse i hoqi nga puna e i linçoi për 2 vjet. Sali Berisha ka humbur në të gjitha simbolet politike të PD-së së Shkodrës, duke nisur nga qyteti, Postriba e kryengritjes antikomuniste e pastaj në tre zonat e Dukagjinit: Pult Shalë e Shosh. Se pastaj Velipoja, Rrethinat e Ana e Malit e kishin provuar me kohë votat për partitë e tjera: që nga PS-ja, PAD, LSI e PSD. Me një fjalë ça të gjenin përveç Berishës.

Por katastrofa është Tropoja. Sali Bererisha ka marrë një sinjal politik të frikshëm në vendlindjen e tij. Edhe në Tropojë të vjetër, fitorja e kandidatit të Berishës nuk është e thellë. Ndoshta edhe ato vota që mori Besnik Dusha, i mori nga reputacioni që ai ka si politikan, person e profesionist në territor, ku nuk është i njohur për abuzime, ka marrëdhënie korrekte me njerëzit, e kandidimin ndaj Berishës e bëri thjesht për burrni. E ka bërë shumë mirë. Ai e mori rezultatin e tij, por refuzimi i Tropojës është më shumë se votë për Rexhe Biberin. Logjikisht nuk ka përse të jetë ashtu, por ka qenë vetë Berisha që gjithmonë kur ka qenë në vështirësi u ka kërkuar tropojanëve votë besnikërie.

Siç është sinjal edhe Kurbini, Lezha, e të gjitha territoret demokrate që e refuzuan. Fitorja e kandidatit të Mirditës Mëlyshi, ndodhi si pasojë e përçarjes së fortë të PS-së në Mirditë. PS e Rubikut nuk e përkrahu kandidatin Ndrec Deda. Në Memaliaj, ka shumë gjasa që aftësia e kandidatit ka ndikuar më shumë, siç dhe ka ndikuar mobilizimi i demokratëve si reaksion ndaj bastioneve të palëvizshme të së majtës në Tepelenë, Gjirokastër, apo gjithë Labërinë.

Pastaj Himara, ajo është një minë me sahat e frikshme, ku ka gjasa që Berisha të ketë rënë pjesë e një gracke që do t’i kushtojë më shumë se ç’mund të fitojë nëse Beleri bëhet dot kryetar komune.

Rilevanca e tyre politike realisht vlen më pak se 6 komunat, apo edhe votat që morën në proporcional, për të cilat kanë peshën e tyre njerëzit e terrenit që kanë punuar fort. Pesha politike e asaj vote ishte në Kamëz, Shkodër e Tropojë. Për Ilir Metën ishte natyrisht në Skrapar, por këtë, ai e dinte prej kohësh…

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Në hetim në Gjermani për trafik kokaine nga Amerika Latine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut në Shqipëri

Në hetim në Gjermani për trafik kokaine nga Amerika Latine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut në Shqipëri