Ishte e pritshme që ngjarja më e rëndësishme e kësaj jave në kontinent, të merrte gjithë vëmendjen e publikut shqiptar, por për fat të keq, shumica e kësaj vëmendje u trajtua alla tallava.
Hungaria, një vend relativisht i vogël i Europës, me një gjuhë dhe karakteristikë etnike të veçantë, si shpesh në historinë e saj u kthye në protagoniste e Europës.
Thuajse të gjithë mediat e kontinentit por edhe ato të botës kanë folur për Hungarinë dhe zgjedhjet e saj historike, shkaqet e pasojat e rezultatet. Edhe pse në vend pa det, Hungaria, në mënyrë të veçantë kryeqyteti i saj ikonik-Budapesti është në mënyrë permanente një destinacon turistik mjaft i vizituar nga e gjithë bota.
Një fetë të vogël të tyre e përbëjnë edhe shqiptarët, të cilët janë ndër udhëtarët konstantë të këtij vendi. i cili përveçse i ka dhënë Shqipërisë një Mbretëreshë-Geraldinën, është në shumë faktorë historikë dhe më gjerë i lidhur me Shqipërinë.
Lidhje që nis me aleancën e famshme në mesjetë të Gjon Huniadit dhe Gjergj Kastriotit, të cilët ishin në atë kohë dy kundërshtarët më të fortë të sulltanëve Osmanë në Europë, duke ndalur avancimin e tyre në Perëndim.
Lidhje që vijuan edhe gjatë periudhave të mëvonshme. Austro-Hungaria e drejtuar nga Kurora e Habsburgëve ka qenë një nga mbështetëset e krijimit të Rilindjes Kombëtare dhe kombit shqiptar në kapërcyell të shekullit XIX. Ndërkohë që i ka bërë shpesh avokatinë në samitet e frikshme të Fuqive të Mëdha Europiane që në atë kohë mblidhej shpesh për të ndarë tokat e “Të Sëmurit të Bosforit”.
Hungarezët, ashtu si dhe shqiptarët, janë dy nga viktimat më të mëdha të copëtimit të trojeve në fillim të shekullit të XX. Pas luftës së parë Botërore, kur u shkërmoq perandoria habsburge, Hungarisë ju mor një territor shumë i madh. Gati tre milionë hungarezë jetojnë në vendet fqinje: Srbi, Rumani, Sllovaki dhe Ukrainë.
Edhe gjatë periudhës së komunizmit, relacionet ndërmjet Hungarisë dhe Shqipërisë kanë qenë më mirë se me të gjitha vendet e Lindjes, të cilat Enver Hoxha i mallkonte ditë për ditë.
Kompania ikonike ajore Malev, ka qenë nga të paktit linja që lidhte Shqipërinë me të gjithë pjesët e tjera të botës, ndërkohë që në spitalet e klinikat hungareze janë dërguar pacientë nga Shqipëria që nuk kuroheshin dot këtu.
Pas rrëzimit të komunizmit, Hungaria ka qenë një nga mbështetëset e Shqipërisë, natyrisht me peshën që ka pasur në politikën e diplomacinë europiane. Pas hyrjes në NATO e BE, Budapesti zyrtar ka votuar gjithmonë në favor të Shqipërisë, por edhe të shqiptarëve. Edhe pse ka pasur marrëdhënie jo të këqija me Beogradin, Hungaria ka qenë pro ndërhyrjes ushtarake së Aleancës Antantike mbi Jugosllavinë e Milosheviçit, që çliroi Kosovën. Hungaria bëhet anëtare e NATO-s vetëm 12 ditë pas bombardimeve mbi Beograd, ndërkohë që është një nga vendet e para që ka njohur Kosovën pas shpalljes së pavarësisë.
Nga ana tjetër, politikanët e Budapestit kanë pasur marrëdhënie të mira me të gjithë qeveritë shqiptaret, e veçanërisht e kanë shprehur simpatinë për PD-në që në fillim. Intelektuali i njohur Árpad Goncz, presidenti i parë postkomunist i vendit ka pasur marrëdhënie të ngushta me Sali Berishën e parë. Ndërkohë, të gjithë qeveritë, qoftë të djathte, qoftë të majta kanë pasur relacione të mira me politikanët në Tiranë. Nuk është rastësi që Orban ka pasur marrëdhënie të mira, qoftë me Sali Berishën, qoftë Fatos Nanon, e më pas edhe me Edi Ramën.
Ndërkaq, Hungaria vërtetë mund të shërbejë si model në zhvillimet e saj politike, të cilat i ka pasur gjithmonë pararendëse dhe është kthyer në kryetemë botërore, që nga revolucioni i tetorit të vitit 1956 e deri ditën e djeshme ku ndodhi ndryshimi politik i madh.
Ndryshim i kthyer në një mit nga aftësia prej një politikani pathyeshëm dhe një kameleon i vërtetë politik gjatë karrierës së gjatë. Orban, i cili u kthye në ankthin e Perëndimit në fund të karrierës së tij, nuk erdhi lider nga lart, por ishte as më pak e as më shumë por lideri i lëvizjes studentore në vitin 1989. i cili menjëherë u bë kreu i grupit parlamentar të partisë së parë opozitare të qendrës së djathtë. Pasi u bë një model me Orbanin, si për mirë si për keq, dje Hungaria u kthye në model se si mundet një politikan i mësuar të fitojë zgjedhjet.
Jurist 45 vjeçar Peter Magyar, kreu për dy vjet një nga kreveprat politike, duke marrë 2/3 e votave në Parlament, edhe pse në votë popullore nuk ka më shumë se gjysma. Në mënyrë spektakolare arriti të përfitojë nga sistemi politik me prime që Orban ndërtoi për të përfituar politikisht. Dy janë çelësat më të rëndësishëm të inxhinierisë politike të Peter Magyarit.
E para; duke mos u qarë se shumica e mediave publike e private konsiderohen si pranë Fidez, i ra Hungarisë kryq e tërthor, duke takuar komunitetet live, e kështu arriti të thyente edhe bastionet e Orbanit që janë rajonet rurale.
E dyta lëvizje e rëndësishme e tij ishte zgjedhja e kandidatëve për deputetë, pasi Hungaria shumicën e Parlamentit e zgjedh në mazhoritar. Arriti të gjejë persoonat më të njohur në territor e kreu një process primaresh model ku garonin 3 kandidatë për çdo zonë. Realisht Magyar fitoi që prej nëntorit të shkuar kur kreu primaret. A ka ndonjë krahasim me nahinë tonë politike kjo panoramë, e që duhet të marrim një kryeministër të mundë Ramën, nga brigjet e Danubit? Një Mbretëreshë e patëm, e s’ja ditëm kimetin!/ TemA
Komente











