Shqiptarët janë mjaft aktivë në ndjekjen dhe kuriozitetin ndaj zhvillimeve ndërkombëtare. Ky fakt shikohet lehtësisht në audiencën e gjerë që krijojnë lajmet dhe analizat mbi ngjarjet e rëndësishme, duke lënë në hije edhe zhvillimet vendase, sidomos gjatë pikut të këtyre ngjarjeve në botë.
Kjo shikohet jo thjeshte në diskutimet e zjarrta në bar-in e lagjes, por mbi të gjitha në shifrat e audiencës së mediave online.
Nga ana tjetër, në mjedisin shqiptar ka një gjeografi të përhapur simpatish ndaj vendesh apo zonash të ndryshme gjeografike, që kanë ardhur si pjesë e historisë së pasur tonën, të ndërthyrjes së perandorive dhe kulturave të huaja.
Në Ballkan, Shqipëria është ndoshta i vetmi vend ku dëgjohet shumë muzika e huaj, jo vetëm ajo anglosaksone që është globale, por edhe nga vendet e tjera të Europës, madje edhe të rajonit apo më larg.
Në Shqipëri, ka njerëz që kanë nostalgji apo simpati për rusët, përkatësisht kulturën, muzikën e letërsinë e tyre. Ka njerëz që kanë simpati për Kinën, kryesisht mënyrën e sjelljes së tyre ndaj shqiptarëve. Ndjesi që kanë ardhur nga marrëdhënia e ngushtë në kohën e komunizmit me këta dy vende.
Siç ka edhe simpati për vende të rajonit, si për Turqinë, Greqinë, e mbi të gjitha për Italinë fqinje etj etj. Megjithatë, në çdo sondazhi të zhvilluar në vend, nga institute prestigjoze të matjes së perceptimit publik, ku natyrisht Eurostat është më i specializuari; kemi një rezultat të pandryshuar për 30 vjet.
Edhe pse një vend me mjaft polarizim e përplasje politike, Shqipëria ka në mbi 80% të njerëzve një perceptim pozitiv për integrimin europian dhe euroatlantik. Pra përcaktimi apo vendosja gjeopolitike e vendit, nga shumica dërrmuese e shqiptarëve, përcaktohet Perëndimi, domethënë SHBA dhe Bashkimi Europian.
Megjithatë, pas vitit 2013, kur në Tiranë u zhvillua “protesta” e parë përpara ambasadës amerikane në historinë e shtetit shqiptar, u tentua të krijohej një “opinion publik antiperëndimor”.
Në vjeshtën e vitit 2013, pas instalimit të qeverisë së parë të Edi Ramës, u zhvilluan protestat kundër përpunimit në Shqipëri të disa armëve kimike të Bashar al Asadit.
E ashtuquajtura “shoqëri civile” e atyre protestave nuk ishte gjë tjetër veçse proxy direkte e Partisë Demokratike dhe e LSI-së së atëhershme.
Siç u individua qartësisht e politikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe sjellë në opinion me zërin e ambasadorit të atëhershëm të SHBA në Tiranë: Alexandër Arvizu.
Ata “proxy-pasdaran” siç u faktua qartësisht, u financuan nga qarqe krejtësisht të dallueshme që nisnin nga Moska e preknin edhe Teheranin.
I cili ka një aktivitet politik të përqëndruar me Shqipërinë, sidomos pas ardhjes së opozitës iraniane për tu strehuar tek ne. Kjo jo vetëm me ekzistencën aktive të një portali në gjuhën shqipe të propagandës zyrtare Parstoday, por dhe aktivitetin e një sërë organizatash të lidhura me të prej vitesh.
Ndërkaq, ky lloj proxy antiperëndimor, u ngjiz më shumë në eterin e hapësirës online, pas miratimit të reformës në drejtësi në 2016, të mbështetur nga SHBA dhe BE.
Mjafton të hapen faqet e rrjeteve sociale të përfaqësive diplomatike të SHBA dhe BE në Tiranë, për të parë aktivitetin toksik të këtij “populli antiperëndimor”. Aktiviteti i të cilit ka qenë mjaft i dendur në faza dhe kohë të caktuara, sidomos edhe evente të rëndësishme të lidhura me rajonin e më gjerë.
Aktivitet që natyrisht nuk u përfshi vetëm në rrjete, por edhe në panelet e darkës, ku gjallojnë të ashtuquajturit “ekspertë” që vetëm ekspertizë nuk japin. Thjesht përçojnë propagandën politike të financuesve të tyre, e dallohen qartë kujt qendër gravitacionale të huaj i përkasin.
Nga Turqia te Irani, nga Greqia te vendet arabe. Ku natyrisht nuk mungon Kremlini dhe aparati i tij gjigand i ppropagandës me Sputnik dhe RT, që shpesh jepte lidhjet live nga Tirana, përkatësisht kur përdorej arma popullore ruse “Molotov”.
Ky “popull toksik”, edhe pse shumë aktiv, nuk arriti fare të ndikojë në perceptim, madje krijoi edhe më shumë efekt të kundërt nga urrejtja e kësaj mënyre e të sjellurit në opinion.
“Populli toksik” antiperëndimor kishte një afilacion politik tek opozita radikale në vend në periudha të caktuara; nga 2016-2021 dhe më pas pas 2021 kur erdhën sanksionet për Sali Berishën dhe SPAK nisi aktet e forta.
Me fitoren e Trump, kjo lidhje politike u pre, ngaqë shpresa e opozitës me qëndrime antiperëndimore u varën tek “bosi” i ri i Shtëpisë së Bardhë.
Shpresa që u shuan, megjithatë ajo opozitë ka ndryshuar qëndrimin e saj politik ndaj perëndimit, duke ulur batarenë e artilerive bombarduese të propagandës.
Ndërsa “populli toksik”, i cili është prezent më pak, megjithatë ekziston në rrjetet shqipfolëse si në Tiranë, Prishtinë apo Shkup.
Ekziston sepse nuk është një opinion publik që varet apo ushqehet nga qendrat gravitacionale politike në kryeqytetet e politikës shqiptare. Por që ka dashur të hyjë në këto qendra.
“Populli toksik” është një prodhim në tavolinë dhe krijesë teknologjike, e vërtetuar tashmë edhe nga një komision parlamentar shqiptar, që e drejtoi para disa kohësh deputete Erion Braçe. Nismë që nisi në gjithë rajonin dhe arriti në përfundimin se ka pasur një qendër gravitacionale të këtij “opinioni publik”.
James Ruby, zyrtari i lartë i DASH drejtoi një organizëm për këtë çështje dhe vizitoi Tiranën e Ballkanin një vit më parë, kur foli për ndikimin e huaj në opinionin shqiptar./Tema
Komente


Shkrim shumë korrektë,FAKTE SHUMË KOKËFORTA. DIET TASMË SE KUSH I KA PËRKRAUR RRYMAT ANTI/PERËNDIMIRE NË SHQIPËRI SI ISH PRESIDENT E KM 1992-2013.AI ËSHTË SALI R.BERISHA ME GRUSHTET E SHTETIT në 1996,97,98,09,011,021,Etj. Fakti që qëndron në polutikë për 35 vite..PA u ndëshkuar..është FAI I DREJTËSISË SË KAPUR PREJ TIJ 1992. FALEMINDERIT SHQIP.COM.
Përgjigju