U mbushën 35 vjet, që sa herë vjen dhjetori, nis e rrotullohet në opinion një seri rrëfimesh kontraversale mbi atë që ka ndodhur kur ra regjimi komunist në vend.

Një seri rrëfimesh, ku ka më shumë se një version mbi atë që ka ndodhur dhe kush kanë qenë heronjtë e vërtetë apo ato të rremë të asaj epoke.

Personazhe që rrahin gjoksin se ku kanë qenë në momentin kur shpërtheu revolta, kush u vu në krye dhe pse përfituan të tjerë.

Asnjëherë në gjithë këto kohe nuk kemi pasur një vizatim sa më të qartë i asaj çfarë ka ndodhur përtej protagonizmave që natyrshëm lindin e zhvillohen në periudha të tilla të vrullshme ndryshimesh epokale.

Panorama më e qartë e 8 dhjetorit është revolta studentore në fjetoret e Qytetit Studenti, e cila ishte vendimtare për aktin e madh politik.

Përkatësisht dekretin për lejimin e pative politike në vend dhe hapjen rrugë të zgjedhjeve universal për të zgjedhur Parlamentin e vendit.

Duket qartë se vendimi thuajse ishte gati në kokën e kreut të regjimit në atë kohë Ramiz Alisë, i cili kishte pasur edhe kontakte ndërkombëtare mbi ndryshimet politike.

Revolta e studentëve ishte një detonator për të hapur një proces politik me shumë të panjohura. Studentët kërkuan ndryshim tani dhe pavonesë. Në krye të studentëve formësohet një lloj udhëheqjeje, ku Azem Hajdari ishte më i njohuri.

Kush e zgjodhi atë përfaqësi, apo ishte një improvizim momental i guximit dhe nismës që shtyhet nga kurajo? Sërish një mjegull tjetër. Ramiz Alia pranon të takohet me studentët, duke luajtur cici mic për një përfaqësi të zgjedhur dhe për vendin e takimit.

Vendoset që një grup studentësh që të përfaësojnë të gjithë fakultetet do të shkojnë në Pallatin e Brigadave. Zgjidhen nga 2 përfaqësues për çdo fakultet. Kështu në përfaqësinë që shkuan në takim me Ramiz Alinë nuk ishin bërthama e revoltës në Qytetin Studenti, por të tjerë që ishin zgjedhur në mënyrë të improvizuar nga fakultetet. Një pjesë e këtyre përfaqësuesve ishin drejtues të organizatave paralele me regjimin si Rinia Komuniste apo të tjerët.

Videoja e takimit të famshëm me të gjithë stenografinë e zbërthyer e kemi parë e stërparë gjithë këto vite. Shumë pak në atë takim e kanë të qartë logjikën si do të kërkojnë ndryshimin e madh. Mjaft prej studentëve, kuptueshëm nuk e kishin atë kthjelltësi që mund ta kemi sot, kur gjërat janë sqaruar pak nga pak.

Alia u kërkon se a kërkojnë ata një parti të re? Me ndrojtje disa prej tyre e shqiptojnë këtë kërkesë dhe nis e flitet për një “parti të studentëve”. Për të cilën Ramiz Alia thotë se mund ta regjistroni në ministrinë e Drejtësisë. Përkatësisht edhe aspekti legal apo procedural ishte bërë gati që herët, të cilin kreu i regjimit e bën kaq të thjeshtë: “regjistrojeni tek Enver Halili(ministri i Drejtësisë) dhe çdo gjë është në rregull”.

Të entuziazmuar që morën përgjigjen që prisnin, përfaqësia shkoi në  Qytetin Studenti, ku nisi festa. Ndërkaq, paralelisht me festën, nisën edhe mbledhjet e para të partisë së re.

Ku papritur personzhe të tjerë u shfaqën dhe arritën të dalin në krye të grupit dhe të partisë së re. E cila nuk ishte një parti studentësh por opozita e parë e Partisë së Punës në pushtet. U quajt Partia Demokratike, pas disa ideve që erdhën nga intelektual brenda dhe nga trevat shqiptare jashtë si Kosovë apo Mal të Zi.

Përveç podiumit që u ngrit në qytetin student, më i rëndësishmi që bëri bujë në opinion ishte Zëri i Amerikës, radio më e dëgjuar nga të gjithë në atë kohë. E cila kishte informacionet më të sakta se kush janë udhëheqësit e rinj të ardhshëm të Shqipërisë jokomuniste.

Ku dy më kryesorët ishin Sali Berisha dhe Gramoz Pashko, por natyrisht që kishte edhe emra të tjerë: Arben Imami, Neritan Ceka, Aleksandër Meksi, Preç Zogaj, e mbi të gjitha Azem Hajdari etj etj.

Kush i zgjodhi këto emra, kush i solli dhe pse? Cili faktor ishte më i rëndësishëm përveç faktorit të pushtetit të kohës dhe studentëve që bënë refoltën e 8 dhjetorit?

Cili është roli real i ndërkombëtarëve të akredituar në Tiranë, apo edhe ata që drejtonin gjithçka nga qendrat e kancelarive? Kush i përpiloi listat dhe me ç’kriter. Dokumenti i themelimit të Partisë Demokratike është m enigmatik se letrat e themelimit të Partisë Komuniste, të cilat edhe sot e kësaj dite mbahen me shumë konspiracion nga arkivat shtetërore italiane dhe nuk lejohen të hapen.

Çfarë fshehin këto letra që nuk u hapën asnjëherë? Ndoshta edhe asgjë, por shërbejnë për të mbajtur në fuqi atë mjegullën metaforike që ka rrethuar për 35 vjet dhjetorin e përmbysjes.

Versione pa fund kanë dalë gjithë këto kohë në rrëfimet që vijnë më shumë në mënyrë kaotike, pasi historisë i mungon thelbi. Nëse zbulohet enigma e vërtetë, atëherë është më e kollajtë për të analizuar pse ndodhën ata që ndodhën pas dhjetorit.

Klasa politike që doli nga ajo kohë nuk prodhoi asnjë hero, por vetëm përbindsha politikë që nuk pranojnë të lirojnë vendin për gjeneratën e re. E cila i shikon si alienë të gjithë këto heronj që tregojnë anektodat me dhjetor, por që askush nuk kupton asgjë./TemA