Ylli Pata: Si mund të shkulet elita e vjetër politike?!

Ylli Pata: Si mund të shkulet elita e vjetër politike?!

Sali Berisha dhe Ilir Meta

Riciklimi i elitës politike në Shqipëri, që rikthehen pasi kanë provuar të gjitha postet e larta në vend, përveç një regres politik, është edhe një zhvillim kundër dialektikës.

Nuk mund të konceptohet në vendet normale perëndimore, që një politikan që ka qenë kryeministër, apo president, apo edhe ministër disa herë, të rikthehet në gavetën e “supës politike” duke ngjitur sërish shkallët e karrierës.

Përveç ujit të ndenjur politik, kjo gjendje prodhon edhe një depresion tek të rinjtë, që hyjnë dhe kanë aspirate për të ndryshuar brezat e drejtimit në politikën shqiptare.

Thuajse në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ka pasur një rifreskim brezash, natyrisht diku më shumë e diku më pak, por gjërat kanë ecur e ecin përpara, edhe aty ku ka ende dinosaur politikë. Si përshembull Gjukanoviçi në Mal të Zi, i cili është ende në pushtet që nga viti 1991. Por asnjë vend i Ballkanit nuk ka përjetuar  rikthimin e “Jurasic World”, përveçse në kinema, ku është rikthyer moda e sequel-ave të kryeveprës së Steven Spilbergut mbi epokën e dinosaurve.

Ka teza të shumta se mund të ketë veprime jashtëpolitike që mund të bëjë të mundur largimin e specieve të kryer në fosile politike, një lloj “bing-bang”-u nga jashtë, siç ndodhi me tokën kur objekte të mëdha nga hapësira goditën planetin, duke shkaktuar një reaksion zinxhir, që më pas solli në botën e sotme. E në këtë metafiorim të bing-bangut përmendet drejtësia, apo “goditjet nga lart”, por përveçse mund të shkaktojë efekte anësore, siç ndodhi me epokën akullnajore pas asaj jurasike, nuk është i sigurtë ripërtëritja e brezit.

Ndaj zhvillimi politik është metoda më efikase e rifreskimit të gjenratave politike, duke sjellë nga brenda lëvizje vibruese që të rikthejnë dialektikën normale.

Në mandatin e pestë të konservatorëve britanikë të periudhës së Margaret Thatcher, e cila qëndroi 11 vjet në postin e kryeministres së Britanisë së Madhe, laburistët provuan disa herë me metoda tradicionale dhe me klasën e tyre klasike që të mundnin të djathtën por nuk ja arritën dot. Madje as kur Thatcher u largua dhe u zëvendësua nga Jon Major, i cili fitoi zgjedhjet e 1992-shit. Ku konservatorët u treguan të zgjuar në rifreskimin e gjeneratave politike në parti, për t’i përshtatur me kohën. Ndaj edhe laburistët që donin ndryshimin, përkatësisht rryma që drejtohej nga Tony Blair dhe një grup intelektualësh jo fanatikë të grupit të vjetër majtist, hyri në lojë me një brez fringo politikanësh, por edhe me një politikë të re që synonte qendrën e politikës. Manovër që solli fitoren dhe riardhjen në pushtet pas 18 vjetësh.

E kjo politikë i dha shymë fryte Tony Blair-it, i cili si asnjë lider i së majtës europiane fitoi tre mandate qeverisëse. Mandati i fundit ishte edhe më problematiku, pasi përveç kundërshtimit nga lufta në Irak, ishte edhe lufta e brendshme me Gordon Brown, i cili i kërkoi rokadën e premtuar për postin e kryeministrit, gjë që ndodhi.

E pikërisht në këtë kohë, kur laburistët po përjetonin zvenitjen e yllit politik, konservatorët rinovuan klasën politike për të bërë të mundur rotacionin politik pas tre mandatesh.

“Djemtë e Noting Hill”, siç quheshin David Cameron, Goerge Osborne e Boris Johnson, thyen muret tradicionale të së djathtës, duke u afruar tek minorancat etnike e gjinore, por edhe teza politike që kishin qetë gjithmonë të së majtës si mbrojtja e mjedisit.

Madje Johnson, pikërisht me mjedisin arriti të marrë dy mandate si kryebashkiak i Londrës. E kështu i bë gati brezi i ri që më pas mori në duar fatet e britanisë, të cilën e drejton që nga 2010-ta pa ndërprerë prej 12 vjetësh. Ku konservatorët kanë ndryshuar tre kryeministra e laboristët 3 liderë, por që nuk janë perceptuar nga zgjedhësit si rinovim i elitës politike.

Modeli britanik apo anglo-sakson është shembulli më klasik dhe jo turbulent i I dialektikës politike. Por ka shembuj të tjerë që janë më dinamikë, ku gjeneratat politike ndryshohen edhe më shesh, në periudha më të vogla.

Shqipëria është shmbulli i një ujit të ndenjur, kur mungon kultura e sfidantit, megjithëse është parë që kush e kryen këtë jo vetëm nuk i ka dalë keq, por ka dhënë një zhvillim të hovshëm të rinovimit politik.

Kur Pandeli Majko sfidoi Fatos Nanon për kreun e PS-së ishte një zhvillim aq i rëndësishëm, sa jo vetëm i dha kësaj force politike një imazh të një konkurence të brendshme, por edhe vetëm Majkos ju rrit pesha brenda partisë, sa kthehej në udhëheqës korrenti, edhe kur nuk e kishte një grup pasuesish. Edi Rama, sfidoi Fatos Nanon në kulmin e pushtetit të tij, në kongresin e dhjetorit 2003 dhe më pas mori drejtimin e Partisë, që e mban nga 2005-a e sot.

Ndërkaq, në një process politik që ka zhvilluar PD-ja që prej mbylljes së zgjedhjeve të 21 prillit 2021, është vënë re se kush është ambicion e do të bëjë karrierë, fshihet o pas Sali Berishës o pas Lulzim Bashës. Një logjikë trampoline që ka prishur edhe dëmtuar edhe ata mundësi apo karriera politike që konsideroheshin në ngjitje. “Viktima” më e fundit është Belind Këlliçi, i cili edhe pse një nga politikanët e PD-së më të votuar në zgjedhjet e shkuara, po e gjen veten të sulmuar nga grupe që kanë izmin e doktorit. i cili i dërgon sinjalin se Këlliçi duhet të “presë” sa të mbarojë “betejën” Berisha. E cila konceptohet së bashku me Ilir Metën, që është bërë gati për të garuar për kryebashkiak të Tiranës, sipas disa zërave. Por edhe nëse nuk vendos kandidimin për bashkë me Berishën, presidenti në detyrë mbështet Belindin, ku do të ketë mbi shpatulla hijen e “kandidaturës” së çiftit të dinosaurve.

Ndërkaq, mënyra e të bërit politikë prej mbështetësve të Berishës e Metës me retorikën tashmë të njohur të këtyre 9 viteve, sado që mund të duket si “më me vend” ajo nuk ngjit e s’ka për të ngjitur. Kjo retorikë ka nisur e tillë që nga 2013-ta pa pushim dhe ka vijuar me të njëjtin temp. duke u ndalur në logjikën akuzuese dhe polarizuese të kundërshtarit. E kjo logjikë sa mund të mbledhë militantët radikalë, aq largon njerëzit që shpresojnë të bëjnë para në karrierën politike. Rasti i Grida Dumës, e cila u rikthye te mbështetja e Berishës, pasi nuk mori atë çfarë kërkonte prej Bashës, tregon pikërish këtë fenomen të mungesës së njo koherence e konseguence e cila në politikë nuk shkon pa dhënë fryte. E kundërta ka rezultuar e paefektshme. Të gjithë politikanët që kanë lëvizur nga shkon era në vend janë penalizuar dhe nuk janë ngritur më në karrierë.

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave