Ylli Pata: Vizita e Merkel në Tiranë, si ajo e Bushit në vitin 2007

Ylli Pata: Vizita e Merkel në Tiranë, si ajo e Bushit në vitin 2007

Natyrisht që nuk janë as kushtet politike e rajonale të njëjta, e as konteksti i zhvillimeve në rajon, por edhe tek fuqitë e mëdha në lidhje me Ballkanin.

Por nëse shikohet me kujdes, vizita e Angela Merkelit në Tiranë, është një “homologe” e asaj të George W Bush në 10 qershor 2007, kur shpalli botërisht se “Kosova do të bëhet shtet i pavarur tani”.

Stili politik i Bush, dhe i Merkel, së bashku me logjikën e funksionimit të dy shteteve që ata përfaqësojnë është i ndryshëm, por megjithatë thelbi ka rëndësi në këtë rast.

Ndërsa 14 vjet më parë, pavarësia e Kosovës ishte një prioritet politik, pas një periudhe 8 vjeçare administrimi ndërkombëtar, tashmë prioritet është zgjidhja përfundimtare e kësaj “nyjeje gordiane”.

E duke qenë se kjo nyje, tashmë ka një adresë tjetër, pika më e rëndësishme e vizitës së fundme të Angela Merkelit në Ballkan ishte Beogradi, ku takoi Aleksandër Vuçiçin.

Në Serbi, Merkel kërkoi që të zgjidhet tani njohja e Kosovës nga Serbia, e mirë do të ishte tha ajo nën presidencën e Aleksandër Vuçiçit, që Merkel e ka partner prej vitesh.

Javën e ardhshme, në Beograd do të jetë njeriu i Merkel në krye të Europës, Ursula Von der Leyen, e cila do të firmosë financimin e autostradës Nish-Prishtinë.

Ndërkohë në kryeqytetin e Kosovës, nesër mbërrin Miroslav Lajçak, negociatori i BE për dialogun Prishtinë-Beograd, ku do të qëndrojë 3 ditë rresht për të arritur të nxjerrë një draft mbi bisedimet e ardhshme Kurti-Vuçiç.

Aq e vërtetë është kjo, sa vetë Vuçiç deklaroi mbrëmë se “ne e jemi të vetëdijshëm se nuk kemi të ardhme në BE, nëse nuk njohim Kosovën”.

Nga ana tjetër, Merkel e tha troç se Serbia duhet t’i lerë lojrat e dyfishta me Rusinë e Kinën nëse dëshiron të hyjë në BE. E këtë e lidhi edhe me interesat gjermane për të përdorur rezervat serbe të litumit “naftës” së shekullit të 21, që është jetik për bateritë e makinave dhe teknologjisë digjitale. “Mund të ketë shumë të tjerë që janë të interesuar për interesat e litumit, por Gjermania është gjithashtu e interesuar”, tha Merkel në Beograd, çka i vuri vulën logjikës së interesit strategjik të Berlinit për Ballkanin.

Merkel, në Beograd tha edhe një gjë tjetër të rëndësishme, se Gjermania do të jetë interlekutorja që pesë shtetet e BE-së që s’e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë përpara sesa Beogradi dhe Prishtina të arrijnë marrëveshjen finale.

E në këtë rast, duhet kujtuar se Presidenti i SHBA, Joe Biden, ndryshe nga parardhësi i tij Donald Trump që ishte konkurrues me Gjermaninë, madje dhe i vuri tarifa tregtare, është mjaft bashkëpunues me Berlinin. Madje për Ballkanin, është SHBA që i ka njohur Gjermanisë rolin e saj aktiv.

Një rol që është shumëdimensional: gjeopolitik- ku i gjithë rajoni do të hyjë në BE e ku të mbajë larg Kinën e Rusinë, politik-ku do të zgjidhë problemet e vjetra konfliktuale të rajonit, e natyrisht ekonomik-ku në këtë pikë Berlini i ka të gjitha mundësitë të krijojë kushtet për një treg të integruar e integral.

Të mos harrojmë se Gjermania është financuesi kryesor i interkonjeksioneve të energjisë elektrike në rajon, kryesisht në hapësirën shqiptare, pra linjat Shqipëri-Kosovë, Shqipëri-Mali i Zi, Shqipëri-Maqedoni e Veriut, e natyrisht në projektet infrastrukturore të ujësjellës kanalizimeve.

Disa qytete shqiptare, si Kavaja, Pogradeci, Shkodra etj kanë linja moderne të ujësjellësve falë investimeve gjermane, e në këtë rast kur ka investime gjermane, ka edhe ndjekje punësh gjermane. Pra çdo cent është ndjekur deri në segmentin final të projektit.

Janë miliarda euro që nuk janë hedhur pa logjikë, e pa një vizion që duket qartasi që do të jetë ekuilibri politik i një “tutori” të ri të Ballkanit.

Nuk është e rastësishme që qarqe filo-ruse në Beograd, kanë përhapur video që kujtonin lidhjen me periudhën naziste, kohë kur Ballkani ishte gjithashtu një hapësirë e bashkuar dhe treg unik. Një video e qarqeve nacionaliste pranë partisë së Vuçiç, tregonin një parodi të bisedimeve të ish-Presidentin Boris Tadiç me Merkel, ndërkohë që linjë zanore ishte kënga “Lili Marleen” e kënduar nga ‎Marlene Dietrich.

Ndërkaq, po kjo valë e fake news-eve ka vijuar me lajmin e rremë për bllokimin e kryeministrit malazez, që normalisht nuk ngjiti, por që tentoi të turbullonte takimet. E kjo është e qartë që ka një shqetësim të shtuar të Moskës dhe Pekinit për këtë vizitë të Merkel, mjafton të konsultosh mediat serbe apo ruse në serbisht. Madje kishte edhe reporterë shqiptarë nga Beogradi që e përgënjeshtronin mesazhin e saj për Kosovën, çuditshëm, kur kjo thjesht i vyejti mediave serbe për të bërë “përkthimin”.

Ndërkaq, i ashtuquajturi incident me gazetarët e disa mediave të Kosovës që thyen kufjet përse s’ju dha fjala në konferencën e shtypit mes Ramës dhe Merkel, mund të mos trajtohej si i tillë. Në një konferencë shtypi, e gjithë “hileja” është kur e kërkon fjalën i pari. Në 1998, kur në Rinas ishte në një konferencë shtypi Havier Solana e Fatos Nano, Miliaim Zeka i bëri pyetjen për mesazhin ndaj Millosheviçit që u bë lajm botëror.

Në vitin 2000, kur kryeadministratori i Kosovës dhe kreu i KFOR dilnin në konferencë shtypi për zgjedhjet e para në Kosovë, që ishin ato vendore, pyetjen e parë ja bëri Anila Basha, të dytën, Mimoza Picari, e me radhë 4 reporterë nga Tirana. Disa gazetarë të Prishtinës u ankuan, e Kushner tha: “kështu e ka kjo punë, më i shkathti, më i shpejti”.

Por megjithatë ka një dimension shumë të rëndësishëm që i jep vizitës së Merkel në Tiranë, fiks peshën e asaj që Bush i dha në 2007; pikërisht në kryeqytetin shqiptar, Merkel zgjodhi të mbledhë liderët e Ballkanit. Mund ta bënte edhe në Beograd, por zgjodhi Tiranën…TemA

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë