Terminologjia është një moment shumë i rëndësishëm në gjuhën shkencore. Nëpërmjet saj do të kuptojmë përmbledhtazi natyrën e sendit apo dukurisë, përbërësit kryesorë, thelbin dhe dobinë e tyre. Në shkencën linguistike termi merr rëndësi më të madhe pasi gjuha është porta kryesore e komunikimit njerëzor.
Qysh herët, gramatikanët shqiptarë i vunë vetes qëllim që të krijonin një”… gjuhë shkrimtore fillollogjike…” thotë Xhuvani në shkrimin “Për themelim të një gjuhe letrëtore”, botuar në vitin 1905. Shkrimi i kësaj gjuhe “letrëtore” kërkonte emmërtimet e duhura, të cilat do të plotësonin detyrat e termit, por njëkohësisht do të ishin në përputhje me natyrën e gjuhës shqpe.

Një nga termat, që kanë goditur më tepër dhe më bukur në hartimin e ligjeve dhe rregullave shkencore të gramatikës sonë, është emërtimi “togfjalësh”.
“Togfjalëshi është njësia sintaksore strukturore e përftuar gjatë ligjërimit nga bashkimi gramatikor dhe kuptimor të bashkuara me lidhjen e nënrenditjes, që tregon marrëdhënie midis sendeve, dukurive, proceseve e tipareve. Fjalët që mund të bashkohen dhe formojnë togfjalësha, janë emrat, mbiemrat, përemrat, numërorët, foljet, ndajfoljet. Fjalët shërbyese, parafjalët, lidhëzat janë krahas formave të fjalëve, mjete për bashkimin e fjalëve kuptimplota në togfjalësha”.[1]
Siç shohim, në formimin e togfjalëshave marrin pjesë tetë klasa fjalësh, duke na dhënë një prej elementëve më  më thelbësorë dhe më të përdorshëm të sintaksës së gjuhës shqipe.

Emërtimin togfjalësh e hasim herët në tekstet shkencore të hartuara prej gramatikanëve më të spikatur shqiptarë. Mund të përmendim dy – tre shembuj për ilustrim: “Togfjalësha të qëndrueshëm foljorë në shqipen e sotme ( sipas materialeve të të folmeve të Shqipërisë së mesme) prej Mehmet I. Çelikut në Buletini i Universitetit Shtetëror të Tiranës, viti 1962. “Shënime për fjalën dhe togfjalëshin” nga Xhevat lloshi në Studime mbi leksikun dhe mbi formimin e fjalëve në gjuhën shqipe, Tiranë 1972. Nga vepra themelore e Shaban Demirajt  “Gramatikë historike e gjuhës shqipe” shkëpusim:”11.Kurse në togfjalëshat e grupit të dytë përcaktori i paravendosur mund të jetë…” (faqe 550).

Togfjalëshat janë disa llojesh sipas fjalës bosht:
Togfjalësha emërorë (baltë e kuqe);
Togfjalësha foljorë (shkruaj letër);
Togfjalësha mbiemërore (i ri nga mosha);
Togfjalësha numërorë (tri nga vajzat);
Togfjalësha përemërorë (secili nga ju);
Togfjalësha ndajfoljorë (shumë mirë).
(Vepër e cituar faqe 87)

Befas aty nga mesi i viteve ’90 të shekullit të kaluar, në tekstet e gramatikës të të gjitha niveleve të arsimit parauniversitar, u shfaq dhe zuri vend termi “grup emëror”, i cili zëvëndësoi me shpejtësi termin “togfjalësh”. U duk që në fillim që ishte një term kallp, i cili jo vetëm nuk është shqip, por ç’është më e rëndësishmja, nuk i përgjigjet fare kuptimit logjik të konceptit që përfaqëson, Shkurt nëse do të citonim Sosyrin ishte një trem “jologjik”. Jologjikja qëndron në faktin se grupi emëror nuk i përgjigjet formës dhe përmbajtjes së togfjalëshit. Nëse nxënësit ia servirim, ashtu siç kemi bërë deri më sot, pra t’i themi grup emëror mbiemëror, grup emëror ndjafolior, foljor, përemëror etj., pa asnjë dyshim që poi a themi keq dhe në mënyrë antishkencore, pasi  fjala vjen togfjalëshi “secili prej jush” nuk ka asnjë emër. Pra ne çorjentojmë nxënësin duke e detyruar ta quajë grup emëror një “grup” i cili s’ka asnjë emër në përbërjen e tij.

Në anën tjetër, edhe sikur ato që thamë më lart të kishin ndonjë fije lidhjeje,përsëri është gabim i pafalshëm ndërrimi me “urdhërin e peshkut” të termit togfjalësh. Ky term është vendosur nga shkencëtarë të gjuhes shqipe si , Eqrem , Çabej, Shaban Demiraj, Mahir Domi,Mehmet Çeliku etj. dhe nuk mund të zëvëndësohet nga kushdo. Atë që kanë bërë shkencëtarët nuk mund ta zhbëjë një dikush, i cili ka një diplomë mësuesie, mësuesi është për t’ua mësuar  me lehtësi dhe thellësi nxënësve, atë që shkencëtarët kanë zbuluar dhe emërtuar.

Si  përfundim mendoj, se termi “grup emëror” (edhe terma të tjerë gramatikorë), që ka hyrë në mënyrë të gabuar, në të gjithë hapësirën gramatike të arsimit parauniversitar, duhet zëvëndësuar rrufeshëm në të gjitha tekstet shkollorë. Kështu do të zëvëndësonim me të drejtë një padrejtësi që po shtrembëron gramatikën e gjuhës shqipe, pasi kur vjen fjala për gabimet në gjuhë, Ferdinand dë Sosyr na mëson se”… qëllimi i gjuhëtarit është që para së gjithash t’i denoncojë e shpërndajë sa më shumë që të jetë e mundur”.

Redaksia online
a.n shqiptarja.com