Zaloshnja: Duhen 1 milion opozitarë, por…

Zaloshnja: Duhen 1 milion opozitarë, por…

Alibeaj, Meta dhe Berisha

Në zgjedhjet e vitit 2021, kandidatët për deputetë të PD+LSI morën rreth 730 mijë vota të vlefshme, por kandidatët për deputetë të PS+PSD morën rreth 804 mijë vota të vlefshme. Dhe pas atyre zgjedhjeve, figurat kryesore politike të opozitës e mediat pranë tyre akuzuan Edi Ramën se, për ta tjetërsuar vullnetin elektoral të shqiptarëve, kishte përdorur administratën, policinë, paratë e buxhetit, patronazhistët, oligarkët e media të fuqishme pranë tyre, bandat e trafikantëve e paratë e tyre të pista, etj.

Në zgjedhjet e tanishme, kandidatët për kryebashkiakë të BF+PD morën rreth 540 mijë vota të vlefshme, por kandidatët për bashkiakë të përkrahur nga PS+PSD morën rreth 790 mijë vota të vlefshme.  Dhe përsëri, figurat kryesore politike të opozitës dhe mediat pranë tyre akuzuan Edi Ramën se, për ta tjetërsuar vullnetin elektoral të shqiptarëve, kishte përdorur administratën, policinë, paratë e buxhetit, patronazhistët, oligarkët e media të fuqishme pranë tyre, bandat e trafikantëve e paratë e tyre të pista, etj. Po kësaj rradhe, votat e kandidatëve të opozitës u rrudhën me çerk milion, ndërsa votat për kandidatët e përkrahur nga PS+PSD mbetën pothuaj në nivelin e 2021-shit…

Dhe një dobësim i tillë elektoral i opozitës nuk jep shpresë përballë një Edi Rame që ka ndërtuar rrotull tij një mur elektoral, i cili vërtitet rreth lartësisë së 800 mijë votave qysh para se të vinte në pushtet.

Po si mund të ketë opozita shpresë të vijë ndonjëherë në pushtet? Le ti kthehemi përvojës së rrotacionit të fundit politik në vend – atij të vitit 2013.

Para zgjedhjeve të 2013-ës, opozita e atëhershme akuzonte qeverinë Berisha se, për ta tjetërsuar vullnetin elektoral të shqiptarëve, po përdorte administratën, policinë, paratë e buxhetit, aktivistët, oligarkët e media të fuqishme pranë tyre, bandat e trafikantëve e paratë e tyre të pista, etj. Sidoqoftë, 1 milionë shqiptarë shkuan në zgjedhje të vendosur që ta zbrisnin Berishën nga froni kryeministror, dhe një dallgë e tillë gjigande e fshiu murin elektoral prej 750 mijë votash, që Berisha e kishte ndërtuar me trenin 36-vagonësh të partive të vogla aleate.

Po më 2025, a ka gjasa që Berisha të frymëzojë një dallgë të tillë 1-milionëshe, e cila do ta zbriste Ramën nga froni kryeministror, pavarsisht se opozita pretendon se ai përdor administratën, policinë, paratë e buxhetit, patronazhistët, oligarkët e media të fuqishme pranë tyre, bandat e trafikantëve e paratë e tyre të pista, etj.?

Në vitin 2025, Berisha do të jetë 81 vjeç dhe do të synojë të vijë në pushtet për të tretën herë, pasi ka dështuar dy herë kur e ka patur atë – një herë në rininë e tij e herën tjetër në pleqërinë e tij. Për më tepër, rikthimi i vonë i Berishës së plakur në krye të opozitës u shoqërua edhe me një tkurrje çerek-milionëshe të elektoratit opozitar. Dhe kur të duhen të dalin 1 milionë opozitarë në zgjedhje, të të firojnë paradhënie çerek milion vota, nuk është një ogur i mirë…

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave