Policia e Pogradecit ka zbardhur djegiet e qëllimshme të dy automjeteve në qytet.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se njëra prej ngjarjeve është kryer në muajin dhjetor dhe tjetra 3 ditë më parë.

Po ashtu bëhet e ditur se është identifikuar dhe arrestuar autori i dyshuar Julian Troka, si dhe është shpallur në kërkim porositësi i zjarrvënieve, Eno Flamuraj, të dy të moshës 38-vjeç.

Ndërkohë lidhur me djegien e 2 automjeteve, është proceduar penalisht edhe një 21-vjeçar, për moskallëzim krimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë:

Pogradec/Finalizohet operacioni policor i koduar “The last fire”.

Zbardhen djegiet e qëllimshme të dy automjeteve të ndodhura në qytetin e Pogradecit, njëra prej tyre kryer në muajin dhjetor dhe tjetra 3 ditë më parë.

Identifikohet dhe arrestohet autori i dyshuar dhe shpallet në kërkim porositësi i zjarrvënieve.

Procedohet penalisht edhe një 21-vjeçar, për moskallëzim krimi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve të ndodhura më datë 28.12.2025 dhe 26.02.2026, në qytetin e Pogradecit, ku u dogjën dy automjete, organizuan punën për të sqaruar rrethanat dhe për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë ligjore përgjegjësit e këtyre ngjarjeve.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të kryera në kuadër të operacionit “The last fire”, u identifikua dhe u vu në pranga shtetasi J. T., 38 vjeç, si dhe u shpall në kërkim porositësi shtetasi E. F., 38 vjeç, banues në Korçë.

Këta dy shtetas në bashkëpunim mes tyre, jane autorë të dyshuar të dy ngjarjeve të lartpërmendura, të ndodhura në periudha të ndryshme kohore, ku në lagjen nr.1, Pogradec, u dogjën me zjarr automjetet në pronësi të shtetasve A.M., dhe E. M.

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin J. L., 21 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.