TIRANË- Për zgjedhjet e ardhshme  ky institucion do të jetë transformuar,ndërsa 5 emrat e shumëpërfolur në zgjedhjet e 30 qershorit do të zëvendësohen nga 12 të tjerë. E përbashkëta e përzgjedhjes së anëtarëve është se ata do të propozohen nga partitë politike.

KQZ do të funksionojë në tre organe të ndara; Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, që drejton administratën e KQZ-së, Komisioni Rregullator që do të miratojë aktet normative në fushën e zgjedhjeve dhe vendos rregullat për zgjedhjet dhe komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve që do të merret me shqyrtimin e ankimimeve administrative dhe vendosjen e sanksioneve për shkelje të ligjit zgjedhor.

Palët kanë rënë dakord që kryekomisioneri të jetë i zgjedhuri i mazhorancës, ndërsa nënkomisioneri i PD. Formula e përzgjedhjes është ajo e propozuar nga opozita.

Përzgjedhja e Kryekomisionerit
Kuvendi zgjedh 3 emra nga kandidatët
Përfaqësuesi i opozitës skualifikon një
Kuvendi me 84 vota zgjedh një nga dy emrat e ngelur

E pikërisht pika e fundit përcakton dhe rolin e opozitës parlamentare në këtë proces, pasi për tu emëruar, kryekomisioneri do duhet të marrë pëlqimin e 84 ligjvënësve, numër që nuk ia siguron dot e vetme mazhoranca.

Por kush do të ketë të drejtën të kandidojë për këtë post? Kanë të drejtën të kandidojnë ose të propozohen për komisioner, shtetasit shqiptarë që vijnë nga radhët e ish funksionarëve politikë apo të kabineteve, ish nëpunësve të nivelit të lartë drejtues, ose të ish drejtuesve të organizatave jofitimprurëse me veprimtari në fushën e zgjedhjeve dhe të të drejtave të njeriut.

Nënkomisioneri do të jetë një emër i dalë nga PD,për një periudhë 4-vjeçare.

Përzgjedhja e nënkomisionerit
I dërguari i opozitës zgjedh 3 emra nga kandidatët
Deputetët e mazhorancës skualifikojnë një
Kuvendi voton një nga dy emrat e mbetur

Kandidatët për të qenë anëtarë të Komisionit të Rregullatorit dhe Ankimimeve, kanë të njëjtat kritere si kryekomisioneri. Ndonëse zgjidhen nga partitë, ata nuk duhet të jenë anëtar aktiv i ndonjë partie politike.

Përveç KQZ, në draft janë përfshirë dhe çështje të tjera, si kuotat gjinore, çështja e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor dhe votimi jashtë vendit.

Sa i përket kuotave gjinore, KQZ do të refuzojë listat e partive politike nëse nuk  kanë 30 % femra.  Ndërsa për Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor PD është tërhequr pasi gjyqtarët do të zgjidhen vetëm nëse kanë kaluar procesin e vetingut.

Në këtë draft parashikohen dhe disa kufizime për qeverinë . 4 muaj para zgjedhjeve qeveria nuk mund të marrë vendime favorizuese si ulje taksash, rritje pensionesh etj. Shanset janë të pakta për të siguruar votën e emigrantëve për zgjedhjet e ardhshme ,por palët kanë dakordësuar që i gjithë procesi të organizohet dhe administrohet nga KQZ.

Ndonëse janë parashtruar disa prej ndryshimeve të bëra në kod, ky dokument nuk është përfundimtar. Report  Tv mëson se ekspertët e kësaj tryeze do të mblidhen sërish pasi nuk janë reflektuar një sërë çështjesh të tjera, si hetimi i krimeve zgjedhore, financimi i partive politike, roli i policisë në zgjedhje etj.

Gjithsesi, ky amendament së bashku me disa të tjerë të hartuar deri më tani pritet ti dorëzohet Komisionit Parlamentar të zgjedhores, mandati i të cilit skadon të martën.

Report Tv mëson se palët politike janë dakordësuar për të bërë ndryshime në Kodin e Procedurës penale ku shitblerja e votës do të hetohet nga SPAK ndërsa krimet e tjera zgjedhore do i kalojnë prokurorive në rrethe.

(Kliko ketu) Drafti përfundimtar për Kodin e ri Zgjedhor