Tirane- Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion (SPAK) ka lëshuar 21 masa sigurie, ditën e djeshme (25 Nëntor), në kuadër të hetimit të një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare, ku përfshihen anëtarët e grupi krimal, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyrë gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal, një avokat dhe dy gazetarë.
Mes personave për të cilët SPAK ka lëshuar urdhër arresti është 'snajperisti' nga Shkodra, Prekë Kodra, i cili akuzohet se tentoi t’i bënte atentat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Plani për eliminimin e kreut të qeverisë së Kosovës u zbulua në një e-mail sekret të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano në shtator 2022.
Prekë Kodra është shpallur në kërkim dhe për dosjen "Metamorfoza'. Emri i tij doli dhe në përgjimet Sky ECC ku u zbuluan lidhjet e grupit "Bajri', biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe lidhjet me shefin e operacionales në polici Oltion Bistri e prokurorit Xhevahir Lita. Por në dosjen e SPAK, ende nuk dihet roli i tij konkret.
Sipas të dhënave të policisë Prekë Kodra jetonte në Shkodër, ndërsa vepronte në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës. Sipas Policisë Shqiptare, ky person është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut. Ai ka qenë i shpallur në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Kodra konsiderohej si person me rrezikshmëri të lartë.
Ndër emrat ndaj të cilëve SPAK ka lëshuar urdhër-arrest në kuadër të operacionit në Elbasan, është edhe ai i Sergei Hasanpapaj, i arrestuar në Belgjikë për vrasjen e Bledar Muçës në Belgjikë në vitin 2022.
Ndërkohë, për të njëjtë ngjarje, në tetor u arrestua një 43-vjeçar në aeroportin e Valencias, ku sipas mediave spanjolle, ishte dënuar me burgim të përjetshëm për dhënie informacioni.
Mediat belge ishin ato që zbuluan se bëhet fjalë për shqiptarin Marsel D., i kërkuar për vrasje në Belgjikë, më 22 janar 2022 në Aartselaar.
Muça ka qenë i përfshirë në sagën e krimeve në Elbasan, si mik i familjes Çapja.