Zbokthi është një nga problemet më të zakonshme të skalpit të kokës dhe prek njerëz të çdo moshe. Edhe pse shpesh konsiderohet si problem estetik apo mungesë higjiene, në të vërtetë ai është një çrregullim kronik i lëkurës dhe një formë e lehtë e dermatitit seborreik.
I ftuar në “Rreze Dielli” në Report Tv, specialisti i bimëve mjeksësore Ylli Merja, thekson se zbokthi nuk është ngjitës dhe nuk përbën rrezik për organet, por është një gjendje inflamatore e lehtë e lëkurës që mund të përsëritet herë pas here. Në këtë proces ndodhin ndryshime biologjike reale: rritet aktiviteti i kërpudhave mikroskopike në skalp, prishet ekuilibri i yndyrës dhe shfaqet inflamacioni.
“Nëse kruajtja bëhet e fortë shfaqen skuqje, kore të trasha, rënie flokësh apo irritimi përhapet në vetulla dhe pas veshëve, atëherë mund të kemi të bëjmë me dermatit seborreik dhe është e nevojshme konsultimi me mjekun dermatolog. Megjithatë, luspat në kokë nuk lidhen gjithmonë vetëm me zbokthin. Ato mund të jenë edhe shenjë e ekzemës, infeksioneve mykotike, dermatiteve alergjike apo psoriazës”, thekson Merja.
Zbokthi lidhet ngushtë me veprimin e disa kërpudhave mikroskopike që jetojnë natyrshëm në lëkurën e njeriut, sidomos në zonat me yndyrë. Këto mikroorganizma janë pjesë normale e florës së lëkurës, por kur shumohen tepër ose kur lëkura reagon ndaj tyre, mund të shkaktojnë zbokth, irritime dhe inflamacion.
Faktorët që ndikojnë në shtimin e zbokthit dhe që ndikojnë drejtpërdrejt në gjendjen e skalpit:
Ndryshimet hormonale
Ulja e androgjeneve dhe testosteronit ndikon në prodhimin e sebumit. Kur yndyra pakësohet, lëkura prodhon më pak lipide mbrojtëse, ndërsa yndyra e tepërt favorizon krijimin e luspave dhe kruarjes.
Stresi
Stresi emocional dhe ai i zgjatur çrregullon balancën hormonale dhe ndikon në aktivitetin e gjëndrave yndyrore.
Larja e shpeshtë dhe agresive e flokëve
Larja shumë e shpeshtë ose përdorimi i produkteve agresive mund të dëmtojë barrierën mbrojtëse të lëkurës dhe të përkeqësojë zbokthin.
Klima dhe ajri i thatë
Temperaturat e ulëta dhe ajri i thatë ndikojnë në tharjen e lëkurës dhe rrisin irritimin e skalpit.
Ushqyerja jo e balancuar
Mungesa e omega-3, omega-6, vitaminës A, vitaminës E dhe zinkut ndikon në dobësimin e flokëve dhe dëmtimin e lëkurës.
Dehidratimi dhe sëmundjet
Mungesa e ujit, diabeti, hipotiroidizmi, sëmundjet e veshkave apo përdorimi i medikamenteve të caktuara mund të ndikojnë në shfaqjen e zbokthit.
Bimët që ndihmojnë në kujdesin ndaj skalpit
Disa bimë dhe përbërës natyralë mund të ndihmojnë në balancimin e yndyrës dhe qetësimin e inflamacionit të lëkurës.
Lëvorja e shelgut
Lëvorja e shelgut përmban acid salicilik, i cili ndihmon në largimin e qelizave të vdekura, pastrimin e poreve dhe uljen e inflamacionit. Megjithatë, përdorimi i tepërt mund të thajë lëkurën dhe të shkaktojë irritim. Këshillohet të përdoret 2 herë në javë.
Një përzierje natyrale mund të përgatitet duke zier në 1 litër ujë:
- një dorë lëvore shelgu
- 2–3 lëvore limoni
- 30 kokrra trëndafili të egër
Me këtë çaj shpëlahen flokët pas larjes.
Uthulla e mollës
Në një gotë ujë shtohet një lugë gjelle uthull molle dhe përdoret për shpëlarjen e flokëve.
Hithra
Duke qenë se zbokthi shpesh herë shoqërohet dhe me rënie të flokëve, shpëlarja me çajin e hithrës do të forcojë folikulat e flokëve.
Kujdesi i rregullt
Përdorimi i shampos së përshtatshme dhe produkteve me keratinë 2–3 herë në javë ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit të skalpit. Shumë të mira janë shampot natyrale me përmajtje livando, sherebele, rozmarine, etj.
Komente











