VLORË - Ivanka Trump, vajza e Presidentit amerikan Donald Trump, ka darkuar mbrëmjen e së mërkurës në Radhimë të Vlorës, së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe një grup arkitektësh. Pronari i “Bojo Resort” ka zbuluar për Report TV detaje mbi menunë e përzgjedhur, si edhe atmosferën gjatë darkës.

“U përkushtuam maksimalisht për mikpritjen dhe shërbimin. Zgjodhi një menu shumë të thjeshtë: sallatë, fileto peshku në furrë dhe makarona të ziera. Ishte më e thjeshtë nga sa mund të parashikohej. Ajo vetë krijonte një klimë të qetë, që të mos ndiheshim në siklet. Darka zgjati rreth një orë e gjysmë. Ishin të pranishëm edhe 50–60 arkitektë. Ivanka u duk se u kënaq shumë me ushqimin dhe ambientin dhe na falënderoi,” u shpreh Begotaraj për Report TV.

Pas takimit të punës, i cili kishte në fokus investimet e mundshme strategjike në jug të vendit, nuk ka munguar as një foto familjare.

Ndërkohë, sot Kryeministri Edi Rama është larguar drejt Tiranës, ndërsa Ivanka Trump po vijon vizitën e saj në ditën e tretë në Vlorë. Sipas burimeve, këtë të enjte ajo është drejtuar drejt zonës së Zvërnecit, një nga pikat me interes të veçantë për investime. Vizita po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie.

Qeveria shqiptare i ka dhënë kompanisë së Jared Kushner statusin e “investitorit strategjik” për zhvillimin e një resorti luksoz turistik në ishullin e Sazanit, një projekt me vlerë të parashikuar rreth 1.4 miliardë euro. Projekti synon transformimin e ish-bazës ushtarake në një resort elite me hotele dhe vila.

Ende nuk ka të dhëna zyrtare për investimet që do bejne në Akërni dhe Zvërnec, zona ku është përqendruar vizita e fundit e Ivanka Trump, ndërsa bashkëshorti i saj, Jared Kushner, po merr pjesë në Samitin e Davosit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:26
Darka mes kryeministrit Rama, Ivanka Trump dhe arkitektët ndërkombëtarë në Vlorë, publikohet foto pas takimit

Foto pas darkës mes Ivanka Trump, Edi Ramës dhe arkitektëve

Ivanka Trump, vajza e presidentit amerikan Donald Trump ndodhet në qytetin bregdetar të Vlorës së bashku me bashkëshortin e saj Jared Kushner.

Një natë më parë Ivanka Trump dhe kryeministri Shqipërisë, Edi Rama darkuan në Vlorë, ndërsa të pranishëm ishin edhe arkitektë të njohur.

Pas takimit mes tyre i cili në fokus ishin investimet e mundshme strategjike në qytetin bregdetar të jugut, nuk ka munguar as fotoja familjare.

Ora 10:11
Vajza e Donald Trump vijon vizitën në Vlorë, nën masa të rrepta sigurie udhëton drejt Zvërnecit

Ndërsa Kryeministri Edi Rama është larguar drejt Tiranës, Ivanka Trump vijon vizitën e saj në ditën e tretë në Shqipëri. Sipas burimeve, ajo është drejtuar këtë të enjte drejt zonës së Zvërnecit, një nga pikat me interes të veçantë natyror dhe turistik në jug të vendit. Vizita e saj po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse do të ketë ndalesa të tjera apo takime gjatë ditës.

Një natë më parë Ivanka Trump dhe një grup arkitektësh ndërkombëtarë takuan kryeministrin Edi Rama në një kompleks në Vlorë. Pas darkës, Ivanka Trump u largua me automjet së bashku me kryeministrin në drejtim të Orikumit, ku darkuan në një tjetër restorant. Gjatë lëvizjeve të saj në qytet, është zbatuar një strategji sigurie e rrallë për Vlorën: ndërrimi i automjetit në çdo ndalesë.

Kjo masë, sipas burimeve, është marrë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm dhe për të mos krijuar një itinerar të parashikueshëm, duke treguar nivel të lartë sigurie dhe diskrecioni. Vizita e Ivankës dhe bashkëshortit të saj Jared Kushner lidhen drejtpërdrejtë me projektet e pritshme zhvillimore në qytet dhe zonat përreth, me theks të veçantë në Zvërnec dhe Ishullin e Sazanit, të konsideruara si zona me potencial të lartë strategjik dhe turistik.