TIRANË-Mjafton një kërkim i thjesht në internet se kush është familja spanjolle, Galdón për të kuptuar se incidenti në Porto Palermo, kurrsesi nuk ka ndodhur se ata janë larguar nga restoranti 'Panorma' pa paguar faturën, siç pretendon Mihal  Kokëdhima. Eugenio Galdón është një nga 200 njerëzit më të pasur në Spanjë, themelues i kompanisë 'ONO', që iu shit Vodafone për 7.2 miliardë euro, si dhe ka mbajtur edhe poste të tjera shumë të larta në administratën spanjolle, që do të thotë, se për ta nuk ka qenë aspak problem të paguanin një faturë, sado e lartë të ketë qenë ajo.

Eugenio Galdón së bashku me familjen e tij kishte zgjedhur Shqipërinë e bukurive të jashtëzakonshme natyrore, për të pushuar, por u përballë me një situatë aspak të zakontë, gati-gati si një skenar filmash "hollivudian" që askujt nuk i kishte shkuar ndërmend. Në restorantin 'Panorma', që me siguri e ka përzgjedhur për shkak të pamjes fantastike nga deti që ai ofronte, jo vetëm që nuk mori shërbimin e kërkuar, porosia e tij edhe me shumë vonesë, por u përndoq nga pronari i hotelit, Mihal Kokëdhima, kushëri me ish-deputetin Koço Kokëdhima. Mihal Kokëdhima, në një mënyrë krejtësisht të çmendur, i është hedhur me trup furgonit ku ai së bashku me familjen e tij, dhe teksa automjeti ishte në ecje ai godiste me grushte xhamin e përparmë duke e thyer atë.

Referuar shkrimeve të bëra nga mediat spanjolle, mësohet se Galdón ka lajmëruar ambasadën spanjolle në Shqipëri duke e informuar mbi incidentin në të cilin ishte përfshirë, ku vihet theksi tek bashkëpunimi në kohë mes institucioneve shqiptare dhe atyre spanjolle. Kjo familje është vizituar edhe nga ministri i Turizmit, Blendi Klosi, i cili u ka kërkuar edhe falje dhe i dhuroi edhe një buqetë me lule zonjës. Pavarësisht këtij incidentit, kjo nuk e ka ndaluar Galdón që të vazhdojë pushimet në Shqipëri, siç i kishin planifikuar, dhe ka premtuar se do të kthehen sërish.

Blendi Klosi me familjen Galdón, pas incidentit

Kush është kryefamiljari, Eugenio Galdón?

Eugenio Galdón

Eugenio Galdón Brugarolas, i lindur në 22 qershor të vitit 1950, është një ndër biznesmenët më të rëndësishëm në Spanjë.  Ai është themelues i ONO (kompani që ofron shërbimin telefonik, televiziv dhe internet) dhe ka qenë president i saj deri në nëntor të vitit 2018. Galdón, ka mbajtur poste të rëndësishme në administratën shtetërore, konkretisht si shef i kabinetit Presidencial në kohën e Adolfo Suárez. Nga viti 1983 deri në 1997, Galdón drejtoi disa nga grupet më të mëdha mediatike në Spanjë si "Cadena Ser", "Grupo Prisa", "Cadena COPE".

Që nga viti 1992, ai është president dhe aksionar kryesor  i "Multitel", një grup biznesi që themeloi për të investuar në projekte që lidhen me median dhe telekomunikacionin në Spanjë duke qenë se ONO, i është shitur në mars të viti 2014 "Vodafone" për 7.2 miliardë euro. Nga Marsi 2014,  është gjithashtu president i Fondacionit "Everis" për botën e biznesit dhe anëtar i Bordit Këshillimor të kompanisë. Galdón është pjesë e 200 njerëzve më të pasur në Spanjë me një pasuri e cila shkon rreth 300 mln euro. Eugenio Galdón ndodhet në vendin e 139.