Foto: Volodymyr Zelensky

Mungesa e raketave interceptuese po i kushton shumë Ukrainës, me qytete të pambrojtura teksa sulmet balistike ruse janë rritur ndjeshëm javët e fundit, duke goditur veçanërisht Kievin. Në një intervistë për CNN presidenti Zelensky apeloi Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rrisin ndihmën ushtarake pasi Ukraina disponon vetëm një të dhjetën e raketave interceptuese që i nevojiten për t’u mbrojtur.

“Këtë vit kemi dy herë e gjysmë më pak raketa interceptuese sesa kishim në vitin 2025. Rusia ka dy herë më shumë raketa balistike në muaj sesa kishte më parë. Çdo natë keni sulme, dhe katër ose pesë herë në muaj kemi sulme masive. Njerëzit janë shumë heroikë, por janë të lodhur.Nëse SHBA na shesin 10%, ne do të shkatërrojmë të gjitha raketat balistike të rusëve. Unë kam 1%”, tha Zelensky.

Zelensky tha se po i lutej Shtëpisë së Bardhë drejtpërdrejt, me telefonata, mesazhe dhe tërthorazi përmes aleatëve, që të rriste ndihmën për programin Patriot, por ngurroi të jepte detaje mbi ndërveprimet e tij të fundit me administratën Trump.

"Kam disa muaj dhe miliona telefonata. Mundohem të shkëmbej diçka me raketa. Bëj disa gjëra që as nuk mund t'i ndaj. Kjo nuk do të thotë se është jashtë ligjit, por nuk mund të flas për këtë."

Presidenti ukrainas foli edhe për përpjekjet për një marrëveshje paqeje dhe tha se Ukraina kërkon përfshirje më të madhe të SHBA. Po ashtu ai akuzoi Vladimir Putinin se nuk ka interes real për t’i dhënë fund luftës.

Zelensky gjithashtu hodhi poshtë idenë që Ukraina të lëshojë territorin e mbetur në Donbas që Putini kërkon të pushtojë, duke thënë se garancitë e sigurisë mbeten thelbësore për Kievin.


Lajmi kryesor:

Ukraina godet bazën detare në Rusi, dëmton dy terminale të eksportit të grurit! Një 8-vjeçar mes 3 viktimave nga sulmi, 24 të plagosur