Zeniti që merr emrin Xhano,ese
shpirtërore për miken e munguar

Zeniti që merr emrin Xhano,ese<br />shpirtërore për miken e munguar<br>
22 dhjetor 2007. E shtunë. Nuk ishte nevoja të dëgjoja kumtin e ditës më të shkurtër të vitit deri në fund. E përkulur pranë derës së shtëpisë shtrëngoja lidhëset e këpucëve në duar dhe dëgjoja ende një jehonë të ndalur zëri. “Mos shko Xhano!…”

I pari që njoftoi atë mëngjes ndarjen e regjisores Xhanfise Keko nga jeta ishte TV News 24. Unë duhej të vazhdoja të lidhja përsëri lidhëset e këpucëve, të hapja derën, të dilja në oborr, të mendoja të merrja autobuzin apo të shkoja me këmbë deri te spitali, të gjeja pavionin ku ishte shtruar, Xhanfise Keko?! Po rrija ende e përkulur dhe e ngrirë si në një start të ri.

Ishte shumë vonë për ta parë për herë të fundit. Sikur më kishte ndodhur një zvargje këmbësh vetëm e vetëm për të mos i parë atë fytyrë të sprapme dimri. Nuk më kishte lënë t'i shihja rënien e saj të parë dhe të fundit. Dhe unë ende më shumë dëgjoja zërin e saj. Inercia e vazhdimit të jetës së Xhanfise Kekos ishte pothuaj e papërballueshme.

Çuditërisht, mendja më shkoi tek numri i saj i telefonit të cilit i bija shpesh dhe të cilin ajo ma kujtonte gjithnjë duke qeshur. 37 35... Kujto 37 - tën, çmimin e një pako gjalpë. Bashko pastaj dy grushtat e mbyllur me njeri tjetrin… Ja, ky spjegim do të jetonte për jetë, i nderë njëherë e përgjithmonë në një buzëqeshje.

Nekrologjia e vdekjes së regjisores Xhanfise Keko u bë refreni i atij 22 dhjetori, deri sa, në mbrëmje, nëpër kanalet televizive shpërthyen filmat e saj, me një freski të pafundme jete. E dija, po, atë natë e vërtetova që filmat e saj vazhdonin të jetonin. Ky ishte një sensibilitet i rrallë, njëkohësisht rënkues dhe i përndritshëm.

Dhe, si për t’i vënë kapakun asaj nate, bashkëshorti im Mevlan Shanaj ftoi publikun e mbledhur në odeonin e Piramidës ku zhvillohej mbrëmja gala me rastin e 40 vjetorit të krijimit të TV Shqiptar t’i jepnin një duartrokitje gjithë jetës dhe veprës së saj,.

23 dhjetori gdhiu i kthjellët e me një diell të ngrohtë, si rrallë ditë në mes të dimrit. Të gjitha gazetat, të mëdha e të vogla, kryesore e jo kryesore, në faqen e tyre të parë kishin lajmin e vdekjes së artistes dhe foton e Xhanos që na buzëqeshte miqësisht. Ishte dita e parë pa të.

Pas një nate të gjatë, në mëngjes u ula përsëri para kompjuterit duke parë malin e Dajtit. E kisha të pamundur të filloja një fjalë lamtumire për miken time. Më dukej se ca shkronja bëheshin më të mprehta e të pamëshirshme, dhe, vdekja e saj grisej menjëherë nga freskia e fytyrave të fëmijëve që kishin luajtur nëpër filmat që ajo i kishte krijuar me shpirtin e saj.

Ky dyzim mes lamtumirës për një krijuese që kishte vendosur më në fund të ndahej nga kjo botë kaq qetësisht në një ditë dimri dhe freskisë së veprës që po mbetej, i jepte Muzeut kombëtar ku kishin filluar homazhet zyrtare, gati një hije të re. Ndryshe nga misioni i tij, ai kishte vendosur t'i kushtonte për herë të parë vëmendje të ardhmes së njeriut. Kishte hapur portat për krijuesen e botës së fëmijëve.

I gjithë pushteti i Sali Berishës, si kryeministër, që vinte të bënte homazhe, dukej sikur ishte transferuar në fytyrat e aktorëve të regjisores Xhanfise Keko, tashmë të gjithë të rritur. Ata që kishin ardhur atë ditë për të përcjellë Xhanon e Madhe, e përcillnin atë jo vetëm si kryetarë partish, parlamentarë, shkrimtarë apo aktorë të mëdhenj, por së bashku me fëmijërinë e tyre. Dhe nuk ka gjë më të shenjtë se sa fëmijëria e çdo njeriu. Këtë na i kishte thënë Xhanfise Keko.

Por pikërisht mes kësaj furije njerëzore që përkulej plot nderim para gjithçkaje të bukur që kishte lënë Xhanfise Keko, ai fundviti dhe ai prag festash kishte bërë të pamundur mbërritjen nga Hollanda të nipërve të saj Martin dhe Elio dhe nga Spanja të mbesës së saj Denisa.

E ndërsa kortezhi mori rrugën e fundme, dallova në dalje të hollit ceremonial gruan e Dorit, Xhulin, e cila kishte mbërritur më në fund nga Hollanda pas përpjekjesh dhe peripecish. Pashë më në fund dy sytë e trishtuar të Ilirit, të cilët në ato çaste dukej se gjenin mbështetje vetëm tek sytë e Teutës, e cila ishte bërë një shoqe e butë e artistes së madhe, ndoshta për t’i lehtësuar sadopak humbjen e parakohëshme të Dorit. Nuk ishin thjesht njerëzit më të afërm të Xhanos, por dëshmitarë të pasionit të saj.

Tirana nuk po organizonte thjesht një ceremoni funebre, por një ceremoni krenarie për Xhanfise Kekon që kishte vendosur të mbyllte sytë njëherë e përgjithmonë sipas një kalendari që dukej sikur e kishte vendosur vetë. Po aq thjeshtësisht si kishte vendosur modelin e saj të flokëve, me një përthyerje të butë dhe që nuk e ndërroi gjithë jetën.

Ndodhesha vetëm 200 - 300 metra pranë kalit të Skënderbeut kur dëgjova duartrokitjet që shoqëronin kortezhin në dalje. Duartrokitje për punën dhe jetën e një regjisoreje, kumti i vdekjes së së cilës nuk ishte dhënë prej Lekë Dukagjinit, por prej dhjetra kanaleve televizive. Xhanfise Keko, kishte hapur e para siparin e botës shqiptare të imazhit. E kësisoj ishte fare e natyrshme që legjenda e dhimbjes së kalit të Skënderbeut për vdekjen e të zotit, atë 23 dhjetor të ndërrohej befas në dhimbjen e aktorëve të filmave të një regjisoreje, që nuk do të jetonte më pranë tyre. Ishin ata që i mbanin fotografinë në krye të kortezhit.

Një çast m’u duk sikur Xhano m'i kishte ngulur sytë me atë qetësinë e zakonshme dhe sikur dëgjova të qeshurën e saj të butë. Pastaj m’u bë sikur më foli: “Pa hë, çfarë do të më thuash sot, se, po prisja të më merrje në telefon për të më thënë si t’u duk dorëshkrimi i kujtimeve… Sikur po e tepron… Ti më njeh mirë”.

“Ashtu është vërtet, - ia ktheva unë. - Vetëm te ty nuk ka pasur asnjëherë patetizëm, stërmadhime. Çuditërisht te ty ka pasur gjithmonë vetëm shumë diell”. Dhe pashë qiellin ku dielli ndriste fort.

Ajo qeshi përsëri.

Sa herë e kishte ngritur kokën për të parë diellin para se të xhironte?!... Dhe përsëri, sikur më zgjoi nga dhimbja e ndarjes ajo breshëria e pandalshme e duartrokitjeve. Kisha nevojë më në fund t'i ktheja në fjalë edhe ato duartrokitje të gjata.

Do doja shumë atë ditë të bisedoja me Xhanon, si zakonisht. Por e dija se, kjo ishte biseda ime e fundit me miken time. Ajo e lamtumirës. Nuk e mbaj mend në çfarë çasti e hapa letrën apo zemrën. Por, dielli me siguri në atë kohë duhet të ketë qenë në zenitin e tij dimëror.

E dashur Xhano!

Më në fund, na solle deri këtu. Po fillojmë një bisedë të re, atë të përjetësisë. Na lejo në këto çaste, të dëgjojmë përsëri zërin tënd, “gati xhirim”, të bëhemi aktorët e tu të vegjël, të jemi të gjithë fëmijë dhe të përfytyrojmë për një çast si prozhektor të një skene gjigande, edhe diellin që po na ndriçon në këtë ditë dimri.

Tani vërtet jemi mbledhur në mënyrë solemne në skenën ku sapo ka filluar përjetësia jote. I përfunduam sëbashku të gjitha bisedat. Mbetën pas bisedat e ngrohta telefonike, ato përpara një kafeje, përpara një ekrani filmi brenda sallave të Kinostudios, shumë vite më parë.

Tani po flasim për atë që mbetet në jetë të jetëve. E përsëri dhe përsëri nuk i vemë dot emër tjetër përveçse jetë, jeta jonë, e jotja dhe e të gjithëve, e vogël dhe e mrekullueshme, e mbushur me frytet e lodhjes dhe të sakrificave, plot domethënie e plot përpjekje, një jetë që ti e bëre të flasë nëpërmjet ekranit, një jetë të mbushur dhe kuptimplotë, që ti Xhanfise na mësove ta çmojmë, ta duam dhe ta vlerësojmë minutë pas minute.

Na pëlqen në këto çaste të ndjehemi të gjithë të dirigjuar nga zemra jote, që na ke mësuar delikatesën e shpirtit, durimin për të pritur dhe për të kuptuar të thjeshtën dhe të bukurën, etjen për të mirën dhe dritën e zemrave. Kjo etje për të mirën, kjo etje për dritën, si ky diell i sotëm, e ktheu në zemër të zemrave për ty kinematografinë, ku spikatin vlera të pavdekësisë sate.

E dashur Xhano, populli yt, ne të gjithë miqtë e tu, që sot jemi mbledhur rreth teje, e dimë mirë se ti je si askush tjetër, që kaq përjetësisht do të na mësosh se jeta e gruas së rrallë dhe të ndritshme vetëm si ty, të jashtëzakonshme vetëm si ty, ka aq përmasa të mëdha për t’iu kushtuar sa familjes dhe fëmijëve, sa edhe filmit në një dashuri që vetëm kaq e dyfishuar, ka prodhuar dhe do të vazhdojë të prodhojë dyfish dashuri për gjithë të tjerët.

Si ato kinoprovat e tua të shumta, që edhe personazhet e dashur të ekranit të lindnin nga zemra jote e madhe, përjetësia jote ka filluar në qytetin tënd të lindjes, në Gjirokastër, ku të gjithë të përfytyrojmë me kostumin tënd prej balerine, përjetësia jote ka filluar në thjeshtësinë, modestinë dhe përkushtimin tënd për vatrën e madhe prindërore, përjetësia jote ka filluar me guximin për të fituar dhe për të nderuar një nga profesionet më të rinj të shekujve, aq të përshtatshëm për virtytet dhe cilësitë e tua vrojtuese, profesion që pas një pune të gjatë dhe të palodhshme, të dha titullin “Artiste e Popullit”.

Përjetësia jote Xhano fillon që në mënyrën e çlirët dhe të mençur si u lidhe me artistin e filmit Endri Keko, përjetësia jote fillon me lindjen e fëmijëve, dy djemve të tu të mrekullueshëm, nipërve dhe mbesës. Si në të gjitha domethëniet e mëdha dhe shpesh të padukshme dhe të përditshme të jetës, ku ti mbete gjithnjë para të tjerëve, përjetësia jote u shkri me përjetësinë e ngutshme të Dorit tënd dhe tonit. Gjithë jetën dhe veprën tënde, dinjitetin dhe përkushtimin tënd, edhe fëmijën tënd, ishte fati t’ia dhuroje përjetësisë.

Me të gjitha këto, ti u krijove të gjithë miqve të tu dhe jetës shqiptare shkollën e madhe të mençurisë, kujdesit, dashurisë, punës këmbëngulëse dhe të palodhur. Eshtë e natyrshme që këtë shkollë ti të na e lije trashëgim me një seri të përkryer të filmit shqiptar, ku në qendër të vëmendjes, në radhë të parë janë fëmijët dhe vatra familjare. Në këto filma ti ke derdhur për të gjithë dashurinë tënde të nënës.

Por është e nevojshme të them Xhano, se ishte kjo dashuri prej nëne dhe koshienca prej gruaje e qytetareje, që i dha shoqërisë shqiptare një emancipim dhe frymëzim të paparë, jo vetëm për zotësinë e gruas, por edhe për shpalosjen e plotë të koshiencës njerëzore, ku fëmijët bëhen pjesë e gjallë plot dinjitet dhe e pashtershme e kësaj bote, madje mësuesit tanë, si i bëre ti shpesh në filmat e tu.

T’i them e dashur Xhano, të gjitha këto, që t’i nuk doje t’i dëgjoje gjatë jetës sate të thjeshtë dhe të përditshme, pikërisht në këtë çast, kur po fillon ky film i përjetësisë, kur shpirti yt fillon të lërojë në jetën e secilit dhe të të gjithë shqiptarëve, kur ti po le në trupin e brengosur të përparimit dhe të zhvillimit shoqëror, gjurmët e tua të përjetshme, si një prej themelueseve të para të kinematografisë shqiptare.

E kur të t’i thoshim të gjitha këto më parë, po të mos të t’i themi as sot?!

Më buzëqesh pak përsëri, dëshiroj të të përfytyroj se si të ndjekin pas me përjetësinë e tyre unazat e tua brilante, Gjirokastra e gurëve të fëmijërisë, Dardha e gjelbërimit ku mbete nuse e përjetshme dhe Tirana e duartrokitjeve për lavdinë tënde të heshtur dhe të padukshme.

E dashur Xhano, ti mbete një enciklopedi e pashtershme, nga ku mund të mësojmë përditë. Ti mbete një organizatore e madhe, organizatore e dashurisë së pakufi, cilësi që buron nga profesioni i rrallë dhe i çmuar i gruas regjisore, që ti e përfaqësove në botë me dinjitet të heshtur.

Mike e mirë, asnjëherë nuk të kanë pëlqyer sekuencat e gjata, ndaj po ma bën me dorë si regjisore e madhe, që ta përfundojmë këtë skenë. Lamtumirë, yll i rrallë, i bukur dhe i palodhur për dritë i botës kulturore shqiptare. Më lejo, të lutem si miken tënde të dashur, që më në fund të të them në emër të të gjithëve një mirupafshim dhe një lamtumirë.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Arrestohet Beqaj, po i përmbush SPAK pritshmëritë në luftën e korrupsionit?



×

Lajmi i fundit

Hapet sot tuneli i Llogarasë, Rama: Vepër historike, do ndryshojë udhëtimin drejt jugut

Hapet sot tuneli i Llogarasë, Rama: Vepër historike, do ndryshojë udhëtimin drejt jugut