Zgjedhjet 2011, FH: Qeveria
ushtroi presion mbi gjyqësorin

Zgjedhjet 2011, FH: Qeveria<br />ushtroi presion mbi gjyqësorin
TIRANE- Organizata Freedom House publikoi sot raportin e përvitshëm "Vendet në tranzit 2012", ku vërehet se Shqipëria nuk ka njohur përmirësim në asnjë fushë të analizuar nga kjo organizatë dhe mungesa e marrëveshjeve mes partive kryesore politike sa i përket reformave kyçe zhvendosi edhe më larg qëllimin për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Raporti i organizatës joqeveritare me seli në Nju Jork është një shuplake fshikulluese ndaj qeverisë së drejtuar nga kryeministri Berisha së cilës i bën një analizë detajuese duke filluar nga demonstrata e 21 janarit me vrasjen e 4 demonstruesve, zhvillimi i zgjedhjeve vendore jo transparente dhe të ndershme, dështimi në luftën e korrupsionit në nivele të larta të qeverisjes, dhe dështimi në realizimin e 12 prioriteteve të BE-së, që detyruan Brukselin të mos i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për në BE në tetor 2011.  Freedom House shkon më tej kur parashikon se Presidenti për herë të parë do të zgjidhet me shumicë të thjeshtë    

"Fakti që mosmarrëveshja e zgjedhjeve duhej të zgjidhej nëpërmjet një betejë ligjore - në të cilën gjyqësori ishte nën presion të vazhdueshëm për të favorizuar partinë në qeveri- theksuan mungesën e vullnetit politik për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme" nënvizon raporti për zgjedhjet vendore të 2011, duke shtuar se "BE dhe KE shprehën shqetësime në lidhje me polarizimin që solli vendimi i KQZ-së, sidomos kundërshtimeve të saj për mos marrjen në shqyrtim të ankimimeve të opozitës.

DËSHTOI NË 12 PRIORITETE E BE-se
Shqipëria dështoi në trajtimin e 12 prioriteteve kyçe të përcaktuara nga Komisioni Europian. Për këtë shkak BE refuzoi kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat në tetor të 2011.  Raporti përmend trazirat e fillimit të janarit, ndërsa në fund të viti, vëren se mazhoranca dhe opozita zbutën mosmarrëveshjet e tyre dhe ranë dakord të punojnë së bashku në disa fusha të tilla si reforma zgjedhore dhe gjyqësore dhe përmirësimin e funksionimit të parlamentit

S'KA PROGES NE DREJTESI
Gjyqësori në Shqipëri, sipas raportit, është përkeqësuar nga ndikimi politik, ashtu si edhe me vrasjen e një gjykatësi dhe nxjerrjen e urdhrit për mbrojtjen e 15 gjyqtarëve të tjerë. "Asnjë proges i dukshëm nuk është arritur në sistemin e drejtësisë”- nënvizon raporti.

QEVERIA VRAU 4 DEMOSTRUES, ZGJEDHJET VENDORE SHKAK PER MOS MARRJEN E STATUSIT
Sa i përket qeverisjes "Berisha" Freedom House vlerëson me notën 4.75 nga 7 që është maksimalja. Raporti përmend vrasjen e 4 demonstruesve në protestën e 21 janarit 2011. “Më 21 janar, Garda e Republikës qëlloi me armë në drejtim të protestuesve të opozitës, duke vrarë 4 persona dhe plagosi dhjetra të tjerë. Asnjë konsensus nuk u arrit për të lehtësuar reformat vendimtare për 2011, as nuk kishte një shumicë të cilësuar për të arritur miratimin e legjislacionit të ri. Zgjedhjet vendore nuk arritën standardet ndërkonbëtare- një factor kyç që ndikoi në refuzimin e marrjes së statusit të vendit kandidat. Për këto arsye qeveria u vlerësua me notën 4.75."- vëren raporti.

QEVERIA NUK PATI VULLNET POLITIK PER TE ORGANIZUAR ZGJEDHJE TE LIRA
"Fushata zgjedhore u karakterizua nga një numër i madh incidentesh dhune dhe u raportua se zyrtarët e adminstratës u detyruan me forcë për të marrë pjesë në fushatë, sidomos në Tiranë. Beteja e ngushtë elektorale në Tiranë zbuloi rëndësinë e çdo vote të vetme dhe rriti interesin e publikut të përgjithshëm në pjesëmarrjen në votime. Megjithatë, fakti që mosmarrëveshja e zgjedhjeve duhej të zgjidhej nëpërmjet një betejë ligjore - në të cilën gjyqësori ishte nën presion të vazhdueshëm për të favorizuar partinë në qeveri- theksuan mungesën e vullnetit politik për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Si rezultat, vlerësimi zgjedhor i Shqipërisë proces ka përkeqësim nga 4,00 në 4,25."- thuhet ne raport.

SHOQERIA CIVILE S'KA HAPERISA
Sa i përket Shoqëria civile, Shqipëria vlerësohet me notën 3.00. “Roli i saj mbetet i dobët, në kërkim të hapësirave për të vepruar në një mjedis tejet të politizuar. Edhe aktivistë të shoqërisë civile shohin kandidimin e tyre në zgjedhje si e vetmja mundësi për të influencuar në politikbërje. Një numër i madh i tyre konkuruan në zgjedhjet e 2011 sidomos për këshillat bashkiakë. Sindikatat e punëtorëve në Shqipëri mbeten të dobëta për shkak të pranisë së ekonomisë së madhe informale dhe faktit që shumë pak kompani të mëdha operojnë në vend. “- thuhet në raport.

MEDIA REKLAMAT SHTETERORE MONOPOL I MEDIAVE PROQEVERITARE
Për pavarsinë e medias, vlerësimi mbetet 4.00 i njëjtë me atë të 2010, 2011. Raporti vëren se “në përgjithësi liria e shprehjes respektohet në Shqipëri, por ka ngecur progresi në rritjen e pavarësisë dhe profesionalizmit të medias. Për shkak se ajo kërkon burime të mëdha njerëzore dhe financiare. Gazetaria investigative vazhdon të jetë e pazhvilluar. Media Online ka ndihmuar për të siguruar një tablo më të plotë dhe të pavarur të ngjarjeve të 21 janarit më shumë sesa mediat tradicionale, të cilat u përqëndruan tërësisht mbi shkëmbimin e akuzave mes forcave kundërshtare politike. Ndryshimet e pronarëve të mediave më me ndikim çoi në shkarkimin e drejtorit në një prej gazetave e fundit kritike në vend. Reklamat shtetërore gjithnjë e më shumë u monopolizuan nga media pro qeveritare.“- thuhet në raport.

DESHTIM NE REFORMEN E GJYQESORIT, U DOBESUA AUTORITETI I PROKURORISE
Sistem i drejtësisë, korniza juridike dhe pavarësia e sistemit paraqet përkeqësim duke u vlerësuar nga 4. 25 në 2010, në 4. 50 në 2011, për shkak të dobësimit të autoritetit të Prokurorisë së Përgjithshme dhe dështimit për të bërë përparim në reformën gjyqësore. Sistemi i drejtësisë vazhdon të vuajë nga ndërhyrjet politike, jostabilitet financiar dhe korrupsioni. 

"Janë të pakta vendimet gjyqësore të ekzekutuara dhe gjatë këtij viti nuk u pa asnjë progres në rishikimin dhe miratimin e reformave kritike gjyqësore. Në 2011 kryeministri sfidoi publikisht Prokuroren e Përgjithshme në të drejtën e saj për të arrestuar disa punonjës të gardës të cilët akuzoheshin se u përfshinë në vrasjet e 21 janarit. Iu deshën dy javë thirrje ndërkombëtare që policia e shtetit të ndalojë gardistët në fjalë. Më 9 shtator Skerdilajd Konomi, një gjyqtar i njohur për integritetin dhe profesionalizmin e tij, mbeti i vrarë në një shpërthim me bombë në makinën e tij në qytetin e Vlorës, dhe rreth 15 gjyqtarë të tjerë u vendosën nën mbrojtjen e policisë. “- vëren raporti.

KORRUPSIONI NE NIVELET E LARTA NUK PREKET
Korrupsioni në nivelet e larta i paprekur dhe vlerësimi me notën 5.00 mbetet i pandryshuar në krahasim me 2010. “ Korrupsioni vazhdon të jetë i ngulitur thellë në të gjithë sektorët e jetës, duke ndikuar negativisht në zhvillimet ekonomike dhe politke si dhe në konsolidimin e institucioneve demokratike.
Ndërsa disa përpjekje për të luftuar korrupsionin në nivelet e ulëta dhe të mesme kanë qenë të suksesshme, në nivelet e larta korrupsioni mbetet I paprekur. Rritja e ndërhyrjes politike në institucione, imuniteti i zyrtarëve, mungesa e transparencës për marrjen e informacionit, mekanizmat e pamjaftueshëm të vetërregullimit komplikuan përpjekjejet për të përmirësuar situatën në 2011. “- thuhet në raportin e Freedom House.
Raporti përmend gjyqin ndaj Ilir Metës, pas publikimit të videopërgjimit ku ai shfaqet duke diskutuar afera korruptive me ish ministrin i ekonomisë Dritan Prifti. Rasti motivoi demonstrata publike dhe dominoi debatet politike gjatë gjithë vitit. Vlerësohet si progres miratimi i planit të antikorrupsionit 2011- 2013

FH PARASHIKON: PRESIDENTI DO ZGJIDHET ME SHUMICE TE THJESHTE
Në një vështrim për 2012, Organizata Freedom House parashikon zgjedhjen e presidentit me një shumicë të thjeshtë të mazhorancës, i cili më pas do të zgjedhë dhe Prokuroren e Përgjithshme. Organizata thotë se do të ishte shumë e rëndësishme që para fillimit të procesit për zgjedhjen e presidentit të zgjidhet kriza institucionale dhe politike.
“Viti 2012 përkon me 100 vjetorin e pavarëisë. Zgjidhja e krizave të vazhdueshme institucionale dhe politike përpara se të fillojë fushata elektorale për zgjedhjen e presidentit do të jetë kyçe për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm zgjedhor. Presidenti I cili ka një rol të konsiderueshëm mbi gjyqësorin do të zgjidhet për herë të parë me një shumicë të thjeshtë mazhorancës. Prokurorja e përgjithshme do të përfundojë mandatin aktual dhe presidenti I ri do të zgjedhë prokurorin e ri I cili duhet më pas të miratohet nga parlamenti”
Në raportin e përvitshëm të Organizatës Freedom House "Vendet në tranzit 2012", ku analizohen zhvillimet demokratike në EuropënQendrore, Lindore dhe
ish-vendet e Bashkimit Sovjetik.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Dumani në Kuvend, Braçe: Turp, seanca kaloi në kontroll politik, u mor në pyetje nga personat që po heton! PS s’duhej ta kishte lejuar

Dumani në Kuvend, Braçe: Turp, seanca kaloi në kontroll politik, u mor në pyetje nga personat që po heton! PS s’duhej ta kishte lejuar