Zgjedhjet e 2 dhjetorit në ’45, sa vota kundër mori Enver Hoxha në zonën e tij elektorale në Tiranë, rezultatet e plota

Zgjedhjet e 2 dhjetorit në ’45, sa vota kundër mori Enver Hoxha në zonën e tij elektorale në Tiranë, rezultatet e plota

Pamje nga Tirana dikur

Publikohet historia e panjohur e zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri, që nga koha kur votohej për Parlamentin e Turqisë ku shqiptarët u përfaqësuan nga Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Esad Pashë Toptani, Nexhip Draga, Rexhep Pashë Mati etj., ajo e periudhës 1921-’24 : me Ahmet Zogun, Fan Nolin, Padër Gjergj Fishtën, Dom Ndre Mjedën, Luigj Gurakuqin, Hil Mosin, Hoxhë Kadria, Ali Këlcyrën, Hasan Prishtinën, Mustafa Krujën, Pandeli Vangjelin, Sejfi Vllamasin, Sulejman Delvinën etj., e deri tek ajo e vitit 1945, kur në Parlamentin Shqiptar zunë vend krerët kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare që përfaqësoheshin nën Frontin Demokratik, si: Enver Hoxha, Abdyl Këllezi, Gogo Nushi, Beqir Balluku, Koci Xoxe, Spiro Mojsiu, Tuk Jakova, Hysni Kapo, Shefqet Beja, Sejfulla Malëshova, Nako Spiru, Koço Tashko, Haxhi Lleshi, Myslym Peza, Kristo Themelko, Gaqo Tashko, Kahraman Ylli, Liri Gega, Baba Faja Martaneshi, Enver Sazani, Kol Kuqali, Medar Shtylla, Irfan Majuni, Sheh Karbunara, Kostandin Boshnjaku, Islam Radovicka, Riza Dani, etj. Në përfundim të atyre zgjedhjeve ku Komisioni Qëndror kryesohej nga Kryetari Andrea Sahatçi dhe Sekretari, Andrea Nathanaili, Enver Hoxha vinte i dyti në listën e 108 kandidatëve të Frontit Demokratik për votat kundër, pasi në vend të parë me më shumë vota kundër, ishte Ollga Plumbi, e cila nga 18.242 votues në zonën e saj në Tiranë, kishte marrë 2.269 vota kundër, ndërsa Enver Hoxha nga 17.564 votues që kishte zona e tij elektorale në Tiranë, 2.151 zgjedhës kishin votuar kundër tij.

Nga 108 deputetët e Frontit Demokratik që konkuruan dhe fituan në zgjedhjet parlamentare të 2 dhjetorit të vitit 1945, sot pas 76 vjetësh pothuaj kanë ndërruar jetë të gjithë. Ndër të vetmit që kanë jetuar deri para pak viteve, ishte Pilo Peristeri, një prej drejtuesëve të Grupit të Parë Komunist të Korçës në vitet ‘30, ish-kandidat i Byrosë Politike dhe Drejtor i Uzinës së Autotraktorëve “Enver Hoxha”, si dhe Et’hem Bërhani, ish-drejtues i formacioneve partizane në krahinën e Matit dhe një nga antarët e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (KANÇ) që kryesohej nga Enver Hoxha. Në zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945, Pilo Peristeri kandidoi në zonën e Korçës ku përveç tij kandiduan edhe Koci Xoxe, Koço Tashko, Kristo Themelko etj., ndërsa Et’hem Bërhani kandidoi në krahinën e Matit ku dhe kishte pasur aktivitetin e tij gjatë luftës. Pjesa më e madhe e këtyre ish-deputetëve tashmë kanë ndërruar jetë për shkaqe natyrore (mosha e madhe) dhe një pjesë jo e vogël e tyre janë ekzekutuar ndër vite nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, pasi ishin shpallur si “armiq të popullit”. Ndërsa Pilo Peristeri prej moshës së thyer, (vdiq me 5 gusht 2009 në moshën 100 vjeçare), nuk u shfaq as në publik dhe as në shtyp, ish-kolegu i tij, deputet, Et’hem Berhami, i cili gjithashtu prej vitesh nuk ishte bërë i gjallë, u bë i njohur prej pjesamarrjes së tij në mitingun e madh të Partisë Socialiste në hapjen e fushatës elektorale të vitit 2005. Në atë miting të madh që u mbajt në Pallatin e Kongreseve, Et’hem Bërhani i përshëndeti të pranishmit duke folur në tribunën kryesore, dhe në “shenjë mirënjohje” nuk pranoi të largohej që andej edhe pas lutjeve të shumta të organizatorëve të atij mitingu elektoral.

2 dhjetor 1945, Enveri mori më shumë vota kundër

Në përfundimin e zgjedhjeve të para të pasluftës që u zhvilluan në 2 dhjetorin e vitit 1945, që faktikishit nuk ishin zgjedhje të lira pasi mungonin kandidatët jashtë Frontit Demokratik, rezultoi se kryeministri i qeverisë shqiptare, gjeneral-kolonel Enver Hoxha, i cili njëkohësisht mbante edhe funksionet e Kryetarit të Kryesisë së Frontit Demokratik, Ministrit të Jashtëm dhe të Mbrojtjes, kishte marrë më shumë vota kundër, nga të gjithë kandidatët e tjerë. Në fakt, Enveri vinte i dyti në listën e 108 kandidatëve të Frontit Demokratik për votat kundër, pasi në vend të parë me më shumë vota kundër, ishte Ollga Plumbi, e cila nga 18,242 votues në zonën e saj në Tiranë, kishte marrë 2.269 vota kundër, Ndërsa Enver Hoxha nga 17.564 votues që kishte zona e tij elektorale në Tiranë, (ku konkuronin edhe Abdyl Këllezi, Gogo Nushi, Beqir Balluku dhe Ollga Plumbi) 2.151 votues kishin votuar kundër tij. Këto rezultate pasi u bënë publike nga Komisjoni Qëndror i Zgjedhjeve i kryesuar nga Kryetari, Andrea Sahatçi dhe Sekretari  Andrea Nathanaili, u botuan edhe në gazetën Bashkimi, organ i Frontit Demokratik që udhëhiqej nga Partia Komuniste e kryesuar nga Enver Hoxha.

Të dielën më 25 prillt  në orën 7 të mëngjesit në të gjithë vendin, do hapen qendrat e votimit dhe do të zhvillohet proçesi zgjedhor për Parlamentin e Shqipërisë, ku disa dhjetra parti politike të grupuara në koalicione të ndryshme, si dhe ndonjë kandidat i pavarur, do konkurojnë për të fituar sa më shumë nga 140 mandatet që do të ketë Kuvendi i saj. Po cila është historia e zgjedhjeve në Shqipëri, në ç’periudhë kohe kanë filluar shqiptarët të votojnë për herë të parë dhe si janë organizuar e mbajtur zgjedhjet parlamentare që nga koha e Turqisë e deri në ditët e sotme?

Tentativa për zgjedhje që në 1877-ën

Historia e zgjedhjeve në vendin tonë apo më saktë tentativat për zgjedhje e kanë zanafillën që nga koha e sundimit osman kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Turke. Një nga deputetët e parë shqiptarë që u zgjodhën për në Parlamentin e parë të Turqisë, i cili hapi punimet në dhjetorin e vitit 1877, ishte Abdyl Frashëri. Por ai parlament nuk pati jetë të gjatë pasi u prish nga vetë Sulltani, për shkak të fillimit të Luftës Ruso-Turke. Pas prishjes së parlamentit të parë të Turqisë pati edhe disa tentativa të tjera për zgjedhje por që të gjitha dështuan për shkaqe të ndryshme. Zgjedhjet e para dhe të rregullta në Shqipëria u mbajtën vetëm në vitin 1908, kur në Turqi erdhën në fuqi xhonturqit. Ato zgjedhje nuk ishin direkte, por me përfaqësim, apo siç janë njohur ndryshe me zgjedhës të dytë. Parlamenti i parë i Turqisë u hap më 10 dhjetor të vitit 1908 dhe aty nga 266 deputetë, 27 prej tyre ishin shqiptarë të zgjedhur në katër vilajetet e Shqipërisë. Në atë kohë anëtarët e Komitetit “Bashkim-Përparim”, në Turqi ku bënin pjesë dhe shumë shqiptarë, u ndanë dhe u grupuan në tre grupime politike. Grupimi i parë ishte Bashkim-Përparim (partia turko-maqedonase) me 164 deputetë ku 130 ishin turq, 5 arabë, 1 grek dhe 15 shqiptarë të cilët kryesoheshin nga Hasan Prishtina, deputet i Kosovës. Në grupin e dytë që quhej: Bashkimi-Liberal, (partia greko-shqiptare) ku bënin pjesë 45 deputetë, kishte 12 shqiptarë të cilët kryesoheshin nga Ismail Qemali. Ndër deputetët e tjerë shqiptarë që kishte asokohe Parlamenti i Turqisë, ishin dhe Esad Pashë Toptani, Nexhip Draga, Rexhep Pashë Mati etj. Pas vitit 1908, pati edhe disa zgjedhje të tjera ku shqiptarët vazhdonin të votonin për përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Turqisë dhe ajo gjë zgjati deri në 1912 kur u shpall pavarsia.

Zgjedhjet nga vitit 1921 deri në 1939-ën

Zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri u zhvilluan në pranverën e vitit 1921, pasi deri në atë kohë ato nuk ishin zhvilluar për shkak të Luftës së Parë Botërore ku ishte përfshirë dhe Shqipëria. Parlamenti i parë Shqiptar u hap më 21 prill të atij viti dhe godina e parë e Parlamentit Shqiptar ka qenë aty ku është sot Akademia e Shkencave dhe në atë parlament morën pjesë 76 deputetë të cilët u zgjodhën pas një procesi relativisht të rregullt nga nëntë prefekturat e vendit, si: Berati, Durrësi, Elbasani, Gjirokastra, Korça, Kosova, Shkodra, Vlora dhe ajo e kolonisë shqiptare të SHBA-së. Ashtu si dhe në të kaluarën, ato zgjedhje u bënë me sistem përfaqësimi, apo siç njihen ndryshe me zgjedhës të dytë, ku në bazë të ndarjes territoriale, përfaqësuesit e çdo krahine kishin të drejtë të zgjidhnin deputetin e tyre. Në atë kohë për herë të parë kandidatët filluan të bënin edhe fushatë elektorale, e cila në shumë raste përcillej edhe nga gazetat e ndryshme që dilnin asokohe në disa qytete të Shqipërisë, si “Taraboshi”, “Shkumini”, “Gazet e Korçës”, “Mprojtja Kombëtare”, “Hylli Dritës”, “Besa”, “Drita” “Koha”, “Fjala e lirë”, “Demokratia”, etj. Ndër deputetët më të njohur që fituan të drejtën të përfaqësoheshin në atë parlament, ishin: Ahmet Zogu, Fan Noli, Padër Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Hoxhë Kadria, Ali Këlcyra, Hasan Prishtina, Mustafa Kruja, Pandeli Vangjeli, Sejfi Vllamasi, Sulejman Delvina etj. Nga viti 1921 e deri në ’24-ën pati edhe disa zgjedhje të tjera parlamentare dhe ajo periudhë kohe (duke përjashtuar atë të pas viteve ’90-të) ka hyrë në historinë e Shqipërisë, si periudha kur janë zhvilluar zgjedhjet më të lira dhe demokratike. Në zgjedhjet për parlamentin e parë shqiptar konkuruan disa parti e shoqata si: Partia Përparimtare, Shoqëria Bashkimi, Partia Popullore etj., dhe pjesa më e madhe e kandidatëve që fituan të drejtën e përfaqësimit për në Parlament (28 deputetë) ishin antarë të Partisë Popullore të drejtuar prej Fan Nolit. Në atë grupim politik bënin pjesë edhe Ahmet Zogu, Ali Këlcyra, Qazim Kokoshi, Pandeli Cale, Bahri Omari, Sejfi Vllamasi, Bajram Fevzi etj. Më pas, ku formacion politik ku pjesa më e madhe ishin nga shoqëria Krahu Kombëtar, u përçanë dhe disa deputetë të saj u rradhitën në grupime të tjera politike kundërshtare. Pas qershorit të vitit 1924 kur ndodhi dhe grushti i shtetit (apo “Revolucioni i Qershorit”, siç është njohur nga historiografia dhe propaganda e regjimit komunistë të para viteve ’90-të), prej forcave fanoliste, politikanët shqiptarë u grupuan në dy partitë e reja që u krijuan në atë kohë. Ato ishin partia Demokrat-Nacionale e kryesuar prej Bahri Omarit dhe partia Demokrat-Radikale e kryesuar nga Agjah Libohova. Këto grupime politike e ushtruan aktivitetin e tyre deri në 24 dhjetorin e atij viti kur Ahmet Zogu u rikthye në Shqipëri. Ndryshe nga zgjedhjet që u zhvilluan në periudhën 1921-’24, ato që u mbajtën në 15 vitet e Monarkisë së Zogut (1925-1939) nuk ishin me shumë parti, pasi Zogu nuk e lejoi pluralizmin partiak. Gjatë asaj periudhe zgjedhjet mbaheshin një herë në pesë vjet dhe në zona të ndryshme konkuronin më shumë se një kandidat. Edhe pse kishte një kushtetutë nga më të përparuarat e kohës dhe sipas të gjitha standarteve të vendeve perëndimore, sistemit monarkik të Zogut i mungonte pluralizmi partiak. Pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste në prillin e vitit 1939 e deri në fundin e ’44-ës, në Shqipëri nuk pati zgjedhje parlamentare, por pati një Asamble Kushtetuese dhe një parlament me kryetar Mihal Zallarin, (1943-’44), ku pjesa më e madhe e deputetëve ishin diplomuar në universitetet e Perëndimit.

Zgjedhjet e para, 2 dhjetor 1945, me gogla

Qeveria komuniste e gjeneral-kolonel Enver Hoxhës e cila erdhi në pushtet në fundin e nëntorit të ’44-ës,  i zhvilloi zgjedhjet parlamentare plot një vit më vonë, në 2 dhjetorin e 1945-s. Caktimi i asaj date për zgjedhjet u pa më i përshtatshëm nga qeveria komuniste, për vetë situatën e brendshme që po kalonte ajo, pasi pothuaj i gjithë viti ‘45 kaloi me gjyqe të shumta politike, ku u ekzekutuan apo u burgosën pjesa më e madhe e ish-politikanëve dhe funksionarëve të lartë të të gjithë qeverive shqiptare që nga ajo e Ismail Qemalit, e deri tek më e fundmja ajo nën pushtimin gjerman të vendit. Nga fillimi i muajit nëntor të atij viti, Fronti Demokratik i kryesuar nga Enver Hoxha, që në fakt ishte vetë Partia Komuniste, nëpërmjet gazetës Bashkimi dhe Radio-Tiranës, shpalli zyrtarisht hapjen e fushatës elektorale, duke caktuar dhe 2 dhjetorin si datë të zgjedhjeve. Projekt-ligji elektoral i zgjedhjeve u miratua nga Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar (KANÇ) dhe gjatë miratimit të atij ligji, pati debate të ashpra. Shumë antarë të kryesisë së Frontit, KANÇ-it të cilët ishin dhe kandidatë për deputetë, si Shefqet Beja, Riza Dani, Suat Asllani, Sami Qeribashi, Selaudin Toto etj., e kundërshtuar ligjin e zgjedhjeve, pasi ai ‘de facto’ ishte vetëm me kandidatë të Frontit dhe nuk linte asnjë shteg për të konkuruar kandidatë të tjerë jashtë sajë, pa bërë fjalë për një opozitë të vërtetë. Në atë mbledhje, Gjergj Kokoshi (ministri i Arsimit) që ishte dhe një nga kundërshtarët më të rreptë të atij projekt-ligji, në shenjë proteste doli nga rradhët e Frontit dhe shpalli kandidaturën e tij si i kandidat për deputet i pavarur, duke qenë kandidati i vetëm jashtë Fronit në zgjedhjet e 2 dhjetorit ’45. Në fakt edhe avokati i njohur Koço Dilo, tentoi të dilte si kandidat i pavarur, por pas presioneve të “organeve kompetente” (njerzit e Seksionit Mbrojtjes së Popullit), ai e tërhoqi kandidaturën e tij. Në zgjedhjet e 2 dhjetorit ’45, për herë të parë u vendos sistemi i votimit për të gjithë shtetasit që kishin plotësuar moshën 18 vjeç dhe jo me përfaqësim me zgjedhës të dytë, siç ishte bërë deri në atë kohë. E veçanta tjetër e tyre, ishte se për herë të parë në të gjithë historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, kandidonin edhe dy gra. Ato ishin Ollga Plumbi dhe Liri Gega. Ndonëse nga përmbajtja ato zgjedhje ndryshonin kryekëput nga ato të mbajtura në vitet e Monarkisë së Zogut, nga forma pothuaj nuk ndryshuan aspak. Votimi u bë me kokrra dhe në çdo qendër votimi kishte dy kuti, një për kandidatët e Frontit dhe një për ata jashtë saj. Ata që votonin kundër kandidatëve të Frontit, (kundërshtarët e regjimit komunist) kuptoheshin fare lehtë nga ana e komisionit përkatës që përbëhej vetëm nga përfaqësuesit e Frontit, pasi kokrra që ata hidhnin në kuti, kërciste nga që ajo ishte bosh. Që para miratimit të ligjit elektoral, qeveritë amerikane dhe britanike, nëpërmjet përfaqsuesëve të tyre në Tiranë, gjeneralëve Jakobs dhe Hoxhson, i kërkuan Enver Hoxhës zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të lira, duke ia vënë atë si kusht kryesor për njohjen e qeverisë shqiptare nga vendet e tyre. Këtë gjë, amerikanët i’a kërkuan përsëri zyrtarisht Enverit më 10 nëntor ’45, me anë të të Harry Fultz-it e Hoxhsonit, të cilët i përsëritën atij që: në këmbim të përfaqësive diplomatike, qeveria shqiptare duhet të siguronte zgjedhje të lira dhe të fshehta, shtypin e lirë dhe ndjekjen e zgjedhjeve nga gazetarë të huaj. Nga të gjitha kërkesat që i’a paraqitën Enver Hoxhës përfaqësuesit e anglo-amerikanëve, ai lejoi vetëm atë të pjesmarrjes së disa gazetarë të huaj në zgjedhjet e 2 dhjetorit, për të cilët me cilësinë e kryeministri, ai dha një konferencë shtypi në mjediset e Hotel “Dajti”, ku kishte selinë qeveria e tij. Disa ditë pas proçesit zgjedhor, Komisjoni Qëndror i Zgjedhjeve, i kryesuar nga Kryetari Andrea Sahatçi dhe Sekretari, Andrea Nathanaili, me antarë: Vasil Avrami, Halim Budo, Spiro Stringa, Faik Dishnica dhe Xhavit Gjata, shpalli rezultatet e votimeve. Kështu sipas këtij komisioni, nga 603.566 zgjedhës që ishin regjistruar në listat e votimit, morën pjesë në votime 543.354, që përbënin 90.02 %. Nga këta zgjedhës, 506.319 votuan për Frontin Demokratik, dhe 36.758 vota ishin në kutinë pa kandidat, (d. m. th. kundër), ndërsa 277 vota u hodhën në kutinë e një kandidati të pavarur. Si përfundim për kandidatët e Fronit votuan 93.18 % kundër tyre, 6.77 % dhe 00.7 % për kandidatin e pavarur. Pas publikimit të këtyre rezultateve, Fronti Demokratik shpalli zyrtarisht zgjedhjet e fituara dhe nga deputetët u zgjodh një Asamble Kushtetuese, e cila rreth 40 ditë më vonë, më 11 janar 1945 shpalli Shqipërinë Republikë Popullore.

Zgjedhjet nga ’45-sa deri në 1990-ën

Me zgjedhjet e  2 dhjetorit 1945, qeveria komuniste e Tiranës që kryesohej nga gjeneral-kolonel Enver Hoxha, shënoi dhe fundin e shpresave për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e demokratike me një opozitë legale. Vetëm pak muaj pas atyre zgjedhjeve, u arrestuan dhe u nxorrën para gjyqit një pjesë e madhe e atyre kandidatëve apo deputetëve që kishin ngritur zërin për zgjedhje të lira, duke u ekzekutuar 17 prej tyre. Enver Hoxha nuk e lejoi pluralizmin partiak dhe të gjitha zgjedhjet që u zhvilluan nga 1945 e deri në fundin e viteve ’80-të, ishin vetëm me kandidatët e Frontit Demokratik, nën maskën e të cilit fshihej Partia Komuniste, apo PPSH-ja siç u quajt pas vitit 1949. Por edhe pse nuk lejoi opozitën, regjimi komunist i Enver Hoxhës e vazhdoi dhunën duke e ushtruar atë ndaj deputetëve të tij në Frontin Demokratik. Kështu që pas ’45-ës e deri në fillimin e viteve ’80-të, u burgosën apo ekzekutuan shumë deputetë të Kuvendit Popullor, si: Kadri Hoxha, Liri Gega, Dali Ndreu, Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Haxhi Hajdari, Avdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Dashnor Mamaqi, Kiço Ngjela, Beqir Balluku, Hito Çako, Petrit Dume, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj., pa përmendur këtu shumë të tjerë që u detyruan të bënin vetëvrasje. Gjatë gjithë kësaj periudhe, ndonëse regjimi komunist propagandonte me të madhe se pjesmarrja në votime ishte e lirë, cilido që nuk merrte pjesë në zgjedhje, apo që diktohej se kishte votuar kundra kandidatëve të Frontit Demokratik, kishte konsekuenca të mëdha deri në burgosje. Ndonëse të pakta, gjatë 45 vjetëve të regjimit komunist, ka pasur raste kur persona të ndryshëm nuk kanë dashur të votonin dhe nuk kanë votuar kurrë, si p.sh., Hamit Gjylbegu dhe Zija Muka nga Shkodra, të cilët edhe u dënuan me burg për këtë shkak. Ka pasur edhe shumë raste të tjera që persona të ndryshëm e shfrytëzonin ditën e zgjedhjeve duke bërë presion për të mos votuar, në mënyrë që të zgjidhnin ndonjë padrejtësi që u ishte bërë më parë, si p.sh, për strehim, dhënie të drejtash studimi për fëmijët, probleme punësimi etj. Të gjitha votimet nga ’45 e deri në fundin e viteve ’80, janë bërë vetëm me një kandidat për deputet për çdo zonë zgjedhore.

Votimet me valle dhe muzikë popullore

Fushatat elektorale të zgjedhjeve për Kuvendin Popullor që zhvilloheshin një herë në katër vjet, PPSH-ja i konsideronte si aksionin më të madh politik dhe vinte në dispozicion të saj të gjithë arsenalin e saj propagandistik, me radio, gazeta dekor etj. Një javë përpara zgjedhjeve, në qendrat e votimit bëhej dezhurn nga ana e përfaqsuesve të Frontit dhe ditën e votimeve ato hapeshin në ora 6 të mëngjesit dhe mbylleshin në ora 18 të pasdites. Zakonisht hapja e votimeve bëhej me muzikë popullore nga orkestrantë amatorë apo profesionistë të cilët shkonin në çdo qendër votimi duke u rënë veglave të tyre dhe aty zgjedhësit këndonin e hidhnin valle për Partinë e shokun Enver Hoxha. Përfaqësuesit e Frontit që ishin dhe komunistët më fanatikë, shkonin shtëpi më shtëpi duke bërë propagandë që zgjedhësit të shkonin sa më herët në qendrat e votimit, në mënyrë që votimet të përfundonin sa më shpejt. Gjatë gjithë ditës së votimeve Radioja dhe TV Shqiptar jepnin përqindjet e pjesmarrjes në votime për të gjitha rrethet e vendit, të cialt ishin në garë me njëri tjetrin se kush t’i mbaronte ato sa më parë. Edhe pse në të gjithë qendrat e votimit kishte një dhomë të fshehtë, askush nuk kishte guximin të futej aty me fletën e votimit, por pasi merrej fleta ajo hidhej menjëherë në kuti. Po të futeshe në dhomën e fshehtë, do të thoshte se do të votoje kundër kandidatëve të Frontit. Por kishte plot raste kur zgjedhës të ndryshëm futeshin aty dhe i hiqnin vizë kandidatit të Frontit, duke votuar kundër apo duke e nxjerrë votën të pavlefshme, pasi nuk shënonin ndonjë emër tjetër, sepse mund të diktoheshin nga shkrimi tyre. Kjo gjë mësohej në përfundim të votimeve kur jepeshin dhe rezultatet e tyre, të cilat komunikoheshin me anë të Radios, Televizionit e shtypit. Në të gjithë historinë e votimeve (jo të zgjedhjeve, pasi në atë periudhë ka pasur vetëm votime) nga ’45-ta deri në fundin e viteve ’80-të, asnjëherë nuk u arrit pjesmarrja 100% në zgjedhje dhe asnjëherë nuk u votua 100 % për kandidatët e Frontit Demokratik që udhëhiqej nga PPSH-ja.

Shkalla e arsimimit të deputetëve, nga të diplomuarit në Europë, te traktoristët dhe mjelset e dalluara!

Po t’i hedhim një sy shkallës së arsimimit të deputetëve të Parlamentit Shqiptar dhe formimit të tyre intelektual nga viti 1921 kur u zhvilluan zgjedhjet e para dhe deri në fillimin e viteve ’90-të kur dhe u shemb regjimi komunist, do të shohim se ajo gjë ka pasur një invers. Kështu, pothuaj pjesa më e madhe e deputetëve shqiptarë të parlamentit të parë të dalë nga zgjedhjet e 21 prillit të vitit 1921 ishin shkolluar dhe diplomuar në universitetet e Turqisë dhe atyre të shteteve të tjera të Europës (kryesisht asaj perëndimore), gjë e cila vazhdoi më tej edhe gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut. Kjo gjë, pra me deputetë të diplomuar në universitetet e Perëndimit, si “për inerci” vazhdoi edhe me zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1945, ku nën maskën e Frontit Demokratik, Partia Komuniste zgjodhi disa figura të tilla si: Omer Nishani, Shefqet Beja, Selaudin Toto, Koço Tashko, Dr. Medar Shtylla, Dr. Enver Sazani, Prof. Skënder Luarasi, Dr. Sezai Agalliu, Ing. Spiro Koleka, Dr. Ymer Dishnica, Gaqo Tashko, Prof. Selim Mborja, Andrea Sahatçi, Kostandin Boshnjaku, Gjovalin Luka, etj. Por në vitet që pasuan, shkalla e arsimimit të deputetëve në Kuvendin Popullor të Shqipërisë erdhi gjithnjë në rënie dhe në fundin e viteve ’80-të (me ndonjë përjashtim të rrallë), jo vetëm që nuk kishte më asnjë deputet që të ishte diplomuar jashtë, por edhe në Universitetin e Tiranës numëroheshin “me kokrra” të diplomuarit. Nën parrullën “Parti e klasës punëtore”, Enver Hoxha e mbushi Kuvendin e Shqipërisë me deputetë të pashkolluar apo që vinin nga klasa punëtore ku kishin shkëlqyer në profesionet e tyre, si p.sh.: Gjela Biba, Shefqet Peçi, Pali Miska, Lenka Çuko, Hekuran Isai, Simon Stefani, etj., ku pjesa më e madhe e tyre u emëruan në poste ministrash, anëtarë të Byrosë Politike dhe si Sekretarë të Komitetit Qendror të PPSH-së. Memorie

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Mësuesi kthen shtëpinë në shkollë për të mësuar Romishten: Po harrojmë ta shkruajmë, politika jo vëmendje ndaj nesh

Mësuesi kthen shtëpinë në shkollë për të mësuar Romishten: Po harrojmë ta shkruajmë, politika jo vëmendje ndaj nesh