I pari që ka marrë fjalën ka qenë Sekretari i Partisë Demokratike, deputeti Arben Ristani, i cili ndërsa ka deklaruar se kandidatët e PD janë më të mirët, u kërkoj qytetarëve që në zgjedhjet e 21 qershoeit të zgjedhin punën dhe dinjitetin.
Pas tij e ka marrë fjalën e kandidatja për Bashkinë e Shkodrës, Voltana Ademi, e cila theksoi se do të punojë për të gjithë qytetarët, pavarësisht se kë parti ata mbështesin.
Basha:Me votë t’ua shfryjmë arrogancën
“Me votë t’i ndalim, me votë t’i kthejmë reston e gënjeshtrave dhe mashtrimeve. Me votë tua shfryjmë arrogancën dhe arbitraritetin.” Kështu ka deklaruar kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në hapjen e fushatës për zgjedhjet lokale.
“Me votë vendosim ekuilibrin jetik. Me votë të krijojmë një pol fuqie qytetare që do të diktojë menjëherë, uljen e çmimit të energjisë, faljen e kamatëvonesave, ulje taksash dhe mbështetje për bizneset; ulje të tarifave për studentët, rihapjen e filialeve të universiteteve publike, heqjen e TVSHsë për mallrat e shportës. Me votë të shpëtojmë pushtetin vendor, nga rreziku i aneksimit. Të rrisim me përgjegjësi dhe profesionalizëm, burimet në bashkitë që do të drejtojmë. Në detyrën tonë fisnike si opozita e vendit, kemi denoncuar zinxhirin e skandaleve qeveritare”- theksoi kreu i PDsë.
Lulzim Basha e ka nisur me një batutë fjalimin e tij para kandidatëve, krerëve të partive të koalicionit të djathtë dhe qindra qytetarëve. “Halim Kosovës i thashë tek shkallët, ‘kësaj radhe flas unë pas teje, më 21 qershor ti pas meje kryebashkiak i Tiranës’”.
Basha kërkoi nga qytetarët që me votë të ndalin marshimin e së keqes, të flakin papunësinë dhe varfërinë dhe të kthejnë shpresën, për të shpëtuar pushtetin vendor.
“Drejtues dhe përfaqësues të Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet. Jemi bashkuar në këtë hapje të mrekullueshme të fushatës për startin final. Të ndalim me votë marshimin e së keqes, të flakim papunësinë dhe varfërinë, që kanë gjunjëzuar shumicën e shqiptarëve. Të kthejmë me votë shpresën. Të fitojmë me votë dhe të fillojmë me votë një histori të re, pranë qytetarëve dhe për qytetarët. Nisemi sot me problemet e mëdha që ka vendi dhe shoqëria shqiptare duke i ndjerë thellë në shpirt si një përkushtim. Ka rrugëdalje dhe rrugëdalje propozojmë, ka zgjidhje dhe zgjidhje do të japim”, tha Basha.