Ish-kandidati për kryetar të PD-së, Bujar Nallbani, është shprehur se nëse në ‘zgjedhjet’ e 23 majit për kryetar të Partisë Demokratike do të kishte edhe kandidatë të tjerë në garë, Sali Berisha nuk do të zgjidhej kryetar.

Në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, Nallbani tha se nëse do të kishte një garë të drejtë në PD, Berisha do të mundej edhe nga ish-pretendentja për kandidate (e cila u refuzua të merrte pjesë në garë), Mereme Sela.

Më tej Nallbani tha se Berisha ka pasuruar një grup personash brenda PD-së dhe përmes tyre mban pushtetin brenda partisë.

“Por përtej Saliut nuk ka PD. Dhe gjithçka do prevalojë vetëm me këtë person. Saliu nuk jep të ardhme. Është katandisur një korrac Saliu, me 40 të mbyllur brenda listës së tij, që e mbrojnë Saliun dhe Saliu mbron këta. U jep afera, u ka dhënë, i ka bërë milionerë, i ka rregulluar dhe nuk çahet më ajo parti. Unë mendoj se edhe nëse ikën Saliu nga ajo parti, ajo parti nuk ka të ardhme, sepse duhet të ikin edhe këta 40 deputetët që e rre thojnë. Unë them se edhe kupola e vjetër duhet të shkatërrohej dhe atëherë kjo parti do të vinte në pushtet. Edhe Sela do e mundte Berishën”, tha mes të tjerash Nallbani.

Nga ana tjetër, ish-kandidatja për deputete e PD-së, Senada Mehmeti, u shpreh se ndihej e keqardhur që pretendentët e tjerë për të kandiduar për kryetar të PD-së (Ervin Salianji, Evi Kokalari, Mereme Sela, Vladimir Mulaj dhe Alesia Balliu), nuk u lejuan të garonin.

Megjithatë ajo shprehu bindjen se edhe nëse emrat e sipërpërmendur do të ishin në garë, Sali Berisha do të kishte arritur të fitonte në ‘zgjedhjet’ e 23 majit për kreun e PD-së.

“Jozefina ka qenë ndër më të mirat që ka pasur Parlamenti shqiptar. Të paktën ka mbajtur një standard në Parlament. Përsa i përket kandidatëve që parafolësi tha, mua vetëm për një gjë më vjen keq, që nuk janë lejuar të kandidojnë. Më vjen keq që nuk janë në garë, vetëm të dalin sesa pak vota kanë ata dhe të mos kenë më arsye që të dalin nëpër Tv. Të gjithë e dinë që për momentin, askush nga demokratët nuk e mund Berishën. Sali Berisha ka numrin më të madh të mbështetësve në PD dhe është një nga elementët përbashkues të PD-së”, tha mes të tjerash Mehmeti.