SHBA vulos 25 prillin: Zgjedhjet janë legjitime! Populli foli qartë, palët të njohin rezultatin e bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të mirën e shqiptarëve

TIRANË- SHBA ka njohur rezultatin e 25 prillit, duke i cilësuar këto zgjedhje si legjitime. Populli shqiptar foli qartë, thuhet në reagim, për këtë arsye vënë theksin që palët të njohin rezultatin dhe të nisin bashkëpunimin për të mirën e shqiptarëve. Një vlerësim vjen për fushatën e opozitës, të cilën e kanë cilësuar si “të fortë”, e ndërsa theksojnë se presin vazhdimin e bashkëpunimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.  

“Sh.B.A përgëzon popullin e Shqipërisë për zgjedhjet e tyre të fundit. Ne shpresojmë të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Kryeministrin Rama dhe të përgëzojmë fushatën e fortë të opozitës. Respektimi i rezultateve të zgjedhjeve legjitime forcon demokracinë e Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

I njëjti vlerësim vjen edhe nga ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, e cila thotë se fushata e opozitës ishte e fortë që i dha zë shumëkujt dhe frymëzoi shpresë, teksa përgëzoi për fitoren kryeministrin Edi Rama. Ajo gjithashtu, ka pasur edhe një thirrje për gjyqësorin për të ndjekur penalisht cilindo që shkel ligjin.

“Ne e përgëzojmë Kryeministrin Edi Rama Partinë Socialiste në fitoren e tyre elektorale. Ne gjithashtu përgëzojmë Kryetarin e PD-së Lulzim Basha  për udhëheqjen e një fushate të fortë që u dha zë shumëkujt & frymëzoi shpresë. Më e rëndësishmja, ne e përgëzojmë popullin shqiptar, i cili foli qartë. Duke njohur rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, udhëheqësit do të veprojnë me përgjegjësi për të mirën e popullit shqiptar. Ne shpresojmë të punojmë me Shqipërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin mbi demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Ne përsërisim që zbatimi i ligjit dhe gjyqësori duhet të ndjekin penalisht cilindo që shkel ligjin dhe pengon të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe”, shkruan Kim.

Ditën e djeshme, kreu i qeverisë, Edi Rama në fjalimin e fitores, i shtriu dorën e bashkëpunimit opozitës, për të qenë bashkë në qëllimet madhore të vendit për të mirën e shqiptarëve teksa e cilësoi PD-në një skuadër të mirë dhe të fortë. Mirëpo, kjo ftesë e kryeministrit, nuk mori një përgjigje konkrete nga kryedemokrati, Lulzim Basha i cili mes akuzave për një proces zgjedhor aspak demokratik, tha se beteja e tij “sapo kishte filluar”, edhe pse pas 8 viteve në opozitë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:51
Zgjedhjet, Albin Kurti 'thyen heshtjen' i fundit: Përgëzoj Ramën, të shtojmë bashkëveprimin! Institucionet të sqarojnë çdo paqartësi, të mos preket e drejta e votës

Pasi të gjithë liderët e vendeve fqinje kanë uruar kryeministrin Edi Rama për marrjen e mandatit të tretë dhe historik në zgjedhjet e 25 prillit, më në fund ka thyer heshtjen edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Duke përmendur rezultatet paraprake të shpallura nga KQZ që e shpallin PS fituese, Kurti uron Ramën dhe thekson që shpreson të shtojnë bashkëveprimin. Ai u bën thirrje institucioneve që të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës.

"Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga KQZ në Republikën e Shqipërisë, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama ka fituar zgjedhjet parlamentare. Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, prandaj e përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për rezultatet, dhe uroj që së bashku, si shqiptarë, të shtojmë bashkëveprimin mes nesh në të gjithë sektorët, si dhe t'i afrojmë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies. Njëkohësisht uroj që institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës, mbi të cilën themelohet demokracia përfaqësuese. Këto janë pritshmëritë e shqiptarëve, andaj, të punojmë së bashku", shkruan Kurti.

Përmes partisë së tij vetëvendosje Kurti mbështeti 3 kandidatë të pavarur në zgjedhjet në Shqipëri, ku asnje prej tyre nuk fitoi mandat, pavarësisht se Kurti ishte i pari kryeminister i Kosovës që votoi ne Tiranë.

Ora 19:19
Zingraf uron Ramën për fitoren: Kodi i ri zgjedhor e kaloi me sukses testin e parë, do vazhdojmë t’ju mbështesim! Përgëzojmë edhe PD për rritjen

Ambasadori gjerman në Tiranë Peter Zingraf ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren e zgjedhjeve të 25 Prillit duke theksuar se Berlini do të vazhdojë ta shoqërojë dhe mbështesë vendin tonq edhe më tej në rrugën e saj europiane. Sipas tij Kodi i ri zgjedhor e kaloi me sukses testin e tij të parë.

Ndërsa thekson se pret që të gjitha partitë dhe aktorët politikë të kontribuojnë në mënyrë aktive në këtë drejtim dhe që përmes reformash të tjera të bëhen hapa përpara, Zingraf përgëzoi Partinë Socialiste për fitoren. Zingraf përgëzon edhe Partinë Demokratike, e cila sipas tij ka mundur të shënojë një rritje të konsiderueshme krahasuar me zgjedhjet e fundit.

“Dita e zgjedhjeve të dielën e shkuar rrodhi e qetë dhe thuajse kudo e paqtë. Fakti, që një numër i madh qytetaresh dhe qytetarësh shqiptarë dhanë votën e tyre, bën të qartë dëshirën për të bashkëvendosur. Kodi i ri zgjedhor e kaloi me sukses testin e tij të parë.

Procesi zgjedhor vijoi përgjithësisht pa fërkime, administrata zgjedhore në nivel qendror dhe lokal bëri një punë të mirë – falënderimi im u takon atyre. Ne kemi ndjekur raportin paraprak të OSBE/ODIHR dhe jemi duke pritur atë përfundimtar. Të gjitha akuzat dhe ankesat, që kanë të bëjnë me zgjedhjet, mes tyre edhe ato për shitblejren e votës, duhet të trajtohen pa vonesë dhe me vendosmëri – në këtë pikë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe organet e drejtësisë duhet të marrin përsipër një përgjegjësi të rëndësishme. Vetëpërmbajtja dhe maturia e shumë kandidateve dhe kandidatëve ditën e zgjedhjeve meriton respekt. Unë shpresoj që të gjithë aktorët politikë të kenë edhe në të ardhmen një qasje konstruktive dhe bashkëpunuese ndaj njëri-tjetrit. Krahas kësaj presim që ata të njohin rezultatin e zgjedhjeve.

Për ne me rëndësi vendimtare është rruga e mëtejshme e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Unë pres që të gjitha partitë dhe aktorët politikë të kontribuojnë në mënyrë aktive në këtë drejtim dhe që përmes reformash të tjera të bëhen hapa përpara. Përgëzoj Partinë Socialiste për fitoren. Qeveria e saj do të ketë një funksion kyç në këtë proces reformash. Po kështu përgëzoj edhe Partinë Demokratike, e cila ka mundur të shënojë një rritje të konsiderueshme krahasuar me zgjedhjet e fundit. Një demokraci e shëndetshme ka nevojë për një opozitë të fortë parlamentare si dhe për përfshirjen dhe kontributin e saj aktiv, për shembull në ligje dhe vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar. Gjermania do të vazhdojë ta shoqërojë dhe mbështesë Shqipërinë edhe më tej në rrugën e saj” tha ai.

Ora 19:16
Zgjedhjet/ Ambasadori britanik: Përgëzime Ramës! PD fushatë me program, të hetohen parregullsitë në procesin zgjedhor

Ambasadori britanik Duncan Norman, ka reaguar për zgjedhjet e 25 prillit.

"Urime Kryeministit Edi Rama dhe Partisë Socialiste për rezultatin në zgjedhjet parlamentare, si dhe qytetarëve për pjesëmarrjen e tyre, pavarësisht kufizimeve  të COVID19. Theksojmë gjithashtu fushatën e bazuar në programe që zhvilloi Partia Demokratike si dhe rritjen e shënuar në rezultat”, shkruan Norman.

Ora 18:52
25 Prilli, Di Maio: Profesionalizëm dhe transparencë në organizimin e zgjedhjeve, hap i rëndësishëm drejt BE! Kontribut pozitiv në konsolidimin e demokracisë

Ministria e jashtme italiane vlerëson se zgjedhjet në vendin tonë kishin organizim të shkëlqyer. Përmes një njoftimi ministria e jashtme me në krye ministrin Luigi Di Maio, thotë se KQZ ka treguar profesionalizëm dhe transparencë në organizimin e zgjedhjeve.

"Ministria e Punëve të Jashtme ka mirëpritur zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri të Dielën, 25 Prill. Italia vlerëson organizimin e shkëlqyeshëm të procesit zgjedhor, siç tregohet nga OSBE / ODIHR në raportin e saj paraprak. Në veçanti, profesionalizmi dhe transparenca e demonstruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Komisioneri i tij Ilirjan Celibashi. Ankesat e pretenduara për mashtrim dhe parregullsi duhet të vlerësohen me përpikëri dhe në përputhje të plotë me procedurat e përcaktuara në kodin zgjedhor", thuhet në mesazh.

Ndërsa thekson se zgjedhjet e 25 Prillit, janë një hap i rëndësishëm para në rrugën e saj drejt BE, ministria thotë se do të kontribuojnë pozitivisht në konsolidimin e demokracisë në Shqipëri.

"Zgjedhjet e së Dielës me 25 Prill kontribuojnë pozitivisht në konsolidimin e proceseve demokratike në Shqipëri dhe përfaqësojnë një hap të rëndësishëm përpara në rrugën e saj drejt Evropës. Pas ballafaqimit elektoral, tani është thelbësore që të gjithë aktorët politikë të jenë plotësisht të përkushtuar për të mirën e vendit dhe të kontribuojnë në konsolidimin e institucioneve demokratike që gjejnë pikën e tyre thelbësore të referencës në një Parlament plotësisht legjitim dhe funksional".

Sa i përket pretendimeve për parregullsi, ministria thekson se duhet të vlerësohen në përputhje me Kodin Zgjedhor. ndërkaq thuhet se Italia do të vazhdojë të mbështesë me bindje të prerë institucionet shqiptare dhe aspiratat legjitime të popullit tonë për të qenë pjesë e familjes evropiane.

Edhe SHBA ka njohur rezultatin e 25 prillit, duke i cilësuar këto zgjedhje si legjitime. 

Njoftimi i plotë:

Ministria e Punëve të Jashtme ka mirëpritur zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri të Dielën, 25 Prill. Italia vlerëson organizimin e shkëlqyeshëm të procesit zgjedhor, siç tregohet nga OSBE / ODIHR në raportin e saj paraprak. Në veçanti, profesionalizmi dhe transparenca e demonstruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Komisioneri i tij Ilirjan Celibashi. Ankesat e pretenduara për mashtrim dhe parregullsi duhet të vlerësohen me përpikëri dhe në përputhje të plotë me procedurat e përcaktuara në kodin zgjedhor.

Zgjedhjet e së Dielës me 25 Prill kontribuojnë pozitivisht në konsolidimin e proceseve demokratike në Shqipëri dhe përfaqësojnë një hap të rëndësishëm përpara në rrugën e saj drejt Evropës. Pas ballafaqimit elektoral, tani është thelbësore që të gjithë aktorët politikë të jenë plotësisht të përkushtuar për të mirën e vendit dhe të kontribuojnë në konsolidimin e institucioneve demokratike që gjejnë pikën e tyre thelbësore të referencës në një Parlament plotësisht legjitim dhe funksional.

Italia shpreson që të gjitha forcat politike do të punojnë në mënyrë kohezive për të mbështetur objektivin strategjik të përfaqësuar nga hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian përmes një dialogu konstruktiv dhe të respektueshëm midis mazhorancës dhe opozitës. Një dialog i tillë do të lejojë që vendi të përballet me sfida të ardhshme me sukses. Italia do të vazhdojë të mbështesë me bindje të prerë institucionet shqiptare dhe aspiratat legjitime të popullit shqiptar për të qenë pjesë e familjes evropiane.

Ora 18:38
Fitorja e mandatit të 3-të, Rama merr mesazh urimi nga Macron dhe kryeministri spanjoll

1619628125_2021032312.42.12.png

Një mesazh urimi për fitoren e zgjedhjeve të 25 prillit kryeministri Edi Rama e ka marrë edhe nga Presidenti francez Emmanuel Macron. Urime për mandatin e tretë qeverisës. ka marrë edhe nga kryeministri spanjol Pedro Sanchez. 

Kujtojmë se liderë botërorë kanë uruar kryeministrin Rama për fitoren e tij.

Ora 17:40
Fitorja e mandatit të 3-të, drejtuesja e OSBE-së mesazh Ramën: Urimet më të ngrohta kolegut tim të dashur, në pritje të bashkëpunimit tonë të ngushtë

1619624585_E0ETivkWQAMjBxc.jpg

Ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde, ne cila do drejtojë OSBE-në për 1 vit ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren e mandatit të tretë.

"Urimet e mia më të ngrohta kolegut tim të dashur Edi Rama mbi rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Në pritje të bashkëpunimit tonë të ngushtë të vazhdueshëm në @OSCE", shkruan ajo.

Ann Linde e mori drejtimin e OSBE pas kryeministrit Rama. Një kryesim frymëzues dhe me vendime të rëndësishme, kështu e ka cilësuar Linde më parë, drejtimin një vjeçar të OSBE-së nga Rama.

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kistra: 28/04/2021 17:31

    GOOOOOOOOOOOOOOL! Faleminderit SHBA!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb