Ervin Salianji zgjodhi të flasë me prova. Dy ditë pas zgjedhjeve pa rival që rikonfirmuan Sali Berishën për një tjetër mandat në krye të PD, ai publikoi filmime duke thënë se në votimet e së shtunës, PD fryu shifrat.  

Salianji ka shifra të tjera edhe mbi një garë të mundshme mes tij dhe Sali Berishës. Sipas në proces kanë marrë pjesë vetëm 5 mijë anëtarë, jo 39 441 sa ka pretenduar PD. 

“Pjesëmarrja ishte minimale. Sipas monitorimit që kemi bërë në çdo degë nga demokratët që duan ndryshim, nuk kanë marrë pjesë më shumë se sa 5 mijë anëtarë”, tha Salianji.

Ai thotë se kryedemokrati iu shmang ballafaqimit me të në garë, pikërisht se është i vetëdijshëm se më shumë se 80% e bazës është e pakënaqur me të.

“Berisha është i braktisur dhe nuk pranon garë. Është hera e parë në 36 vite, edhe pse kemi propozuar ta ndryshojmë nenin e statutit dhe të hynim në garë me kushte të barabarta. Mbi 80% e demokratëve janë të pakënaqur me gjendjen që ndodhet PD. Jemi të zhytur në dëshpërim për shkak të pengmarrës që i ka bërë Berisha partisë për interesat personale. Do jetë përgjegjës cilido prej kolegëve që sot hesht. PD do jetë në fushatë për zgjedhjet elektorale, nuk e di si do dalin para demokratëve dhe si do ta bëjnë që të jetë fituese përballë Ramës. PD ka nevojë për hapje ndaj të rinjve, intelektualë dhe kontributorëve që duan të japin energji të re. Gara duhet të ishte oksigjen për PD. Pa garë nuk ka meritokraci, nuk ka përgjegjësi. Fraksionet në pd nuk duhet të ishin problem, por zgjidhje”, vijoi Salianji.

I dyti që festoi rikonfirmimin e Berishës përmes këtij procesi nul, thotë Salianji është kryeministri Rama, që e sheh kreun e opozitës si kamerdaren e tij të shpëtimit.

“I pari kryer partie që urohet nga vartësi, ca ka për tu uruar ai ishte në ‘90, ai është në 2026. Pjesa tjetër ishin fishekzjarrët që hodhi Rama për shkak të zgjedhjes së Berishës. Sapo u konfirmua uzurpimi, plasën fishekzjarrët nga kuvendi për festën e madhe që ka ai sa herë dobësohet opozita”, theksoi Salianji.

Edhe mungesa e urimeve nga ndërkombëtarët thotë se ishte sinjal i qartë mbi shqetësimin për mungesën e demokracisë së brendshme.

“Shqetësimi që ka çdo partner i Shqipërisë, është që kanë rënë standardet demokratike. Kur opozita prodhon këtë farsë për të mbijetuar politikisht një njeri që ka pasur kontribute të veta për Shqipërisë, e bën për interes personal”, tha Salianji.

Ish-deputeti njoftoi edhe takimin e radhës me demokratët, më i madhi, sipas tij, që prej nisjes së foltores, që do të jetë të premten në Tiranë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:13
A ke marrë përgjigje nga PPE për letrën që dërgove kundër Berishës? Salianji: Reagimet të tërthorta, ka shqetësime për standardet e ulëta të demokracisë (VIDEO)

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji tha se nuk ka marrë një përgjigje të drejtpërdrejtë nga Partitë Popullore Evropiane, të cilave u është drejtuar me një letër të hapur duke ngritur si shqetësim privatizimin e PD nga Sali Berisha.

Salianji tha se ndërkombëtarët janë shumë të shqetësuar për standardet e ulëta të demokracisë në Shqipëri, sidomos kur kjo prek dhe partinë opozitare më të madhe në vend.

“Kam komunikuar me faktorët ndërkombëtare. Shqetësimi që ka çdo partner i Shqipërisë, është që kanë rënë standardet demokratike. Kur opozita prodhon këtë farsë për të mbijetuar politikisht një njeri që ka pasur kontribute të veta për Shqipërisë, e bën për interes personal, por njeriu vendos në një moment për të pasur një tjetër raport me historinë e vet politike. Mënyra të tërthorta të reagimit janë këto. Mirë do ishte ta prisnim shpëtimin nga ndërkombëtar, por duhet të jemi me sytë nga perëndimit, por ndryshimi vjen duke u bashkuar këtu me njëri-tjetrin”, tha Salianji.