Tirane- Shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur forcën politike që do t’i qeverisë për 4 vitet e ardhshme më 11 maj të pranverës 2025. Presidenti Bajram Begaj dekretoi sot (5 dhjetor 2024) datën e zgjedhjeve duke vulosur afatin e fundit që lejon ligji.
Kjo datë, për kreun e shtetit nuk është rastësore. Ajo është plotësim i dëshirës së insitucionit që qëndron mbi palët politike, por që administron zgjedhjet, KQZ-në, për t’i dhënë kësaj të fundit maksimumin e kohës për votimin e diasporës.
"Shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, me qëllim që të bëhet i mundur votimi i sukseshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit" thuhet në njoftimin e presidencës.
Begaj i përgjigjet edhe shqetësimit të partive të vogla opozitare, që nuk pajtoheshin me datën 11, por kërkonin votime me 4 maj, me pretendimin se Komuniteti politik evropian që do të mblidhet në Tiranë më 9 maj mund të ndikonte në zgjedhje.
Presidenti i Republikës, pasi bëri të gjitha verifikimet e nevojshme me autoritetet kompetente të Shqipërisë, mori zyrtarisht sigurimet, se aktiviteti i mësipërm do të zhvillohet pas zgjedhjeve parlamentare, fakt ky i konfirmuar për Presidentin e Republikës edhe nga interlokutorët ndërkombëtarë.
Përpara vulosjes së dekretit, Begaj zhvilloi konsultime me të gjithë faktorët politikë, konsultime që zgjatën disa ditë. PS kishte kërkuar po 11 majin si datë zgjedhjesh, ndërsa PD refuzoi ftesën e kreut të shtetit me argumentin se ai do të përcaktojë datën e përcaktuar nga kryeministri Edi Rama dhe se konsultimet me opozitën ishin farsë.
Njoftimi i Presidences 5 dhjetor 2024
Sot Presidenti i Republikës nxorri dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. Zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen në datën 11 maj 2025.
Për këto zgjedhje, Presidenti i Republikës kishte në dispozicion katër ditë të diela midis datave 15 prill dhe 15 maj 2025.
Shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, me qëllim që të bëhet i mundur votimi i sukseshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit.
Presidenti i Republikës shpreh bindjen se sfida madhore e këtyre zgjedhjeve është votimi nga jashtë vendit dhe përfshirja masive e zgjedhësve me banim jashtë shtetit në këtë proces thelbësor për demokracinë. Të gjitha forcat politike kanë shprehur publikisht vendosmërinë për të ndihmuar këtë proces dhe për t’ia nënshtruar caktimin e datës së zgjedhjeve këtij interesi prioritar. Presidenti i Republikës bashkohet plotësisht dhe e respekton pa mëdyshje këtë vullnet.
Partia Demokratike dhe një pjesë e konsiderueshme e partive parlamentare i paraqitën Presidentit të Republikës shqetësimin, se planifikimi i samitit të 6-të të Komitetit Politik Evropian (EPC) për datat 8 dhe 9 maj të vitit 2025, dy ditë para datës së fundit të mundëshme për zhvillimin e zgjedhjeve, formon ndikim dhe avantazh të papranueshëm për qeverinë, si dhe cënon ndjeshëm parimin e barazisë së armëve që kërkon Kodi Zgjedhor për fushatën zgjedhore.
Pa vënë në diskutim lejueshmërinë ose jo të një veprimtarie të tillë, sepse kjo është kompetencë ligjore e KQZ-së, Presidenti i Republikës bashkohet në qëndrimin, se zhvillimi nga ana e qeverisë i një takimi të kësaj natyre në finalen e fushatës zgjedhore, me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të lidershipit politik evropian, nuk mund të jetë pa ndikim në caktimin e datës së zgjedhjeve.
Për këtë arsye, Presidenti i Republikës, pasi bëri të gjitha verifikimet e nevojshme me autoritetet kompetente të Shqipërisë, mori zyrtarisht sigurimet, se aktiviteti i mësipërm do të zhvillohet pas zgjedhjeve parlamentare, fakt ky i konfirmuar për Presidentin e Republikës edhe nga interlokutorët ndërkombëtarë.
Konfirmimi zyrtar si më sipër heq rezervën e shprehur nga Partia Demokratike dhe nga pjesa tjetër e partive parlamentare ndaj datës 11 maj 2025 dhe e bën këtë datë të pranueshme dhe të pëlqyeshme për të gjithë faktorin politik.
Për këto arsye Presidenti i Republikës vendosi që të respektojë kërkesën e KQZ-së dhe të caktojë datën 11 maj 2025 si datë për zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.
Ah mer sali qe ia thua gjerat 2 vjet para, vdeksh qe ia perplas ne fytyrë.
Përgjigju