Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), Dashamir Shehi, është shprehur se në PD nuk ka garë.

Komentet Shehi i bëri teksa komentoi në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv zgjedhjet e 23 majit që do të mbahen për zgjedhjen e kryetarit të PD-së.

Shehi shtoi gjithashtu se Berisha në PD nuk ka kundërshtarë, pasi sipas tij, edhe ata që i dalin kundër, kryedemokrati i përjashton nga partia.

Sipas Shehit, ish-deputeti Ervin Salianji dhe Evi Kokalari nuk duhet fare të hyjnë në garë për kreun e PD-së. Kjo pasi sipas tij, gara nuk do jetë reale.

“Në PD nuk ka garë. Tallen me njerëzit. Atje garë është Berisha për kryetar dhe ai besoj se do jetë i vetëm. Atje nuk ka kundërshtarë dhe ata pak që janë kundërshtarë, i kanë përzënë, i kanë përjashtuar. I kanë dhënë sinjal se kushdo që të dalë, ‘këtu s’ka vend për të tjerë’. Kjo është partia e Berishës dhe është mbyllur kjo histori. Madje njëherë vetëm është bërë garë në PD, njëherë kur ishte Berisha.

Doli njëri atje dhe ai nuk e di pse e pranoi atë pozicionin e groteskut, sepse nuk ishte burr i keq. Meqë e ka statuti që duhet të jenë 2 kandidatë, nuk e di si do e zgjidhin këtë radhë. Besoj se do dalë edhe këtë radhë ndonjë personazh që... As Salianji dha as Kokalari s’kanë pse hyjnë në garë, sepse po të jetë Berisha atje nuk bëhet garë. A do të ishte garë mes këtyre të rinjve, nëse nuk do ishte Berisha vetë? Kjo po. Është bërë njëherë një gjysmë gare mes Bashës dhe Olldashit, edhe ajo kishte vlerë”, tha mes të tjerash Shehi.

Shehi tha më tej se Berisha ka si qëllim vetëm mposhtjen e kundërshtarëve brenda opozitës, por jo rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

“Me Berishën PD s’ka më fitore. Berisha fiton garën me rivalët brenda partisë dhe me ne të tjerët, sigurisht që e ka fituar, për të qenë personazhi kryesor i opozitës. Por opozita duhet të mundë Edi Ramën. Prandaj duhet një trajektore e re politike, t’i hapim rrugën edhe këtyre që janë më të rinj se ne”, përfundoi Shehi.