Zgjedhjet ’92, Nosi: Berisha
donte fitore pa rival në Kavajë

Zgjedhjet ’92, Nosi: Berisha <br />donte fitore pa rival në Kavajë
TIRANE - Sali Berisha kërkonte të fitonte në Kavajë, edhe pa rivalë". Niko Nosi, ish-kryetar i KQZ-së për zgjedhjet parlamentare të 22 marsit 1992, thotë sot, pas 20 vitesh, se fitorja e PD-së në atë kohë nuk mund të quhet kurrsesi peblishitare, sepse ajo mori vetëm 62.5 për qind të votive, duke marrë edhe votat e partive që nuk kaluan pragun. Por oreksi ishte shumë i madh dhe demokratët donin të fitonin edhe 100 për qind, duke u shprehur hapur se tani ishte radha e tyre për të qeverisur 50 vite.

Z.Nosi, në aspektin teknik çfarë ishte 22 marsi? Çfarë bëri KQZ në atë ditë?
Ne ishim KQZ e fundit që patëm në dispozicion një infrastrukturë të pashkatërruar, funksionale të ushtrisë, që u pranua nga të gjitha palët.

Çfarë roli pati ushtria?
Ushtria kishte rolin që merrte nga qendrat e votmit rezultatin dhe i transmetonte me radio-ndërlidhje në KQZ në prezencë të të gjithë palëve që të mos deformoheshin. Ne kishin një sallë të madhe të Pallati i Kongreseve ku ishin rreth 40 operatorë nga ushtria që kishin në ngarkim qendrat e votimit të ndarë në grupe dhe shkruanin me përgjegësi protokollin dhe këto dokumente u administruan dhe transport kutish kishte nga vendi ku votohej te vendi ku numërohej dhe bëhej nga të dyja palët. Në KQZ ishte edhe një dhomë tjetër ku hidheshin rezultatet, në tabela të përgatitura standart nga KQZ dhe bëhej përllogaritja matematike me një makinë llogaritëse të përshtatshme në atë kohë. Kishte matematicienë nga Qendra e Matematikës Llogaritëse dhe një nga anëtarët ishte specialist i kësaj pune. Ne kishim marrë një angazhim që do ta shpallnim rezultatin disa orë pas përfundimit të zgjedhjeve dhe është e para herë dhe e fundit deri më sot. Rezultati u dha në ora 02.00 të natës për të gjithë Shqipërinë. Me një saktësi që nuk u kontestua, pa asnjë proces gjyqësor, më pas, edhe pse nuk kishte elektronikë, bojë për gishta, pa pasaporta biometrike, sepse mbi të gjitha është njeriu dhe ai o e bën ose jo. Informatika është për të ndaluar vjedhjen e votave. Unë kam dyshime të mëdha te informatika për manipulime. Im bir, specialist i mirë në Itali, më thotë se nuk ka siguri të plotë. Po të zbatohet ajo që bëmë ne në 1992, duke i lënë partitë politike të përdorin softuerin në të gjitha fazat, unë them se informatika i mbyll të gjitha shtigjet, por nëse pozita i thotë opozitës se nuk ta lejon kushtetuta ky është një deklarim i hapur se "Unë do të të vjedh".

Kur u mor vesh rezultati i zgjedhjeve të 22 marsit?
Aty nga ora 23.00 e datës 22 mars, doli rezultati paraprak. PD mori 62 për qind, ndërsa sot thuhet se fitoi në mënyrë peblishitare. Nuk është ashtu, sepse me 62 për qind, me ligjin e sotëm zgjedhor, nuk është shumicë të cilësuar. Ajo përkthehej me 62.5 për qind të mandateve, të 140 deputetëve. Ligji i atëhershëm zgjedhor kishte një formulë që votat e atyre partive që nuk kalonin pragun i shkonin proporcionalisht partive që kaluan pragun dhe kishte shumë parti të tilla me elektorat pas. Këto vota i morën më shumë PD sepse kishte 62.5 për qind të votave dhe gjysmën PS.

Pra këto vota nuk humbën siç ndodhi në zgjedhjet e qershorit 2009?
Jo ato u përkthyen me mandate deputetësh. Nuk ishte një padrejtësi, sepse në fund të fundit te partitë e vogla ishin edhe të majta, edhe të djathta.

Si ishte reagimi i partive, pas mësimit të rezultatit?
Kishte edhe një raund tjetër pas dy javësh, që nuk e ndryshonte rezultatin, por se sa deputetë merr nga zonat njëra parti dhe sa merr nga proporcionali. Pra nëse në një zonë do të fitonte PS-ja, do t'i shtohej një deputet dhe meqë rezultati ishte i paracaktuar, balotazhi ishte formal.

Si i paracaktuar?
Sepse 62.5 për qind do të merrte PD dhe merrte 68 për qind të deputetëve, dhe aq do të merrte edhe pas balotazhit. Kjo ishte një diktaturë vote, por që e solli votimi.

Balotazhi ishte në të njëjtën frymë?
Jo ishte krejt formal. Përqindja e votuesve ishte shumë e ulët dhe PS-ja ishte në një situatë demoralizimi dhe nuk luftoi që të fitonte disa zona.

Ishte demoralizim, apo tërheqje politike?
Jo ishte demoralizim në udhëheqjen e lartë të PS-së. Më vonë arrita të fitoj bindjen se ata e dinin që do të humbnin, por luftuan deri në fund.

Po si shpjegohet që në korrik po kjo parti do të fitonte zgjedhjet vendore?
Ka një shpjegim tjetër. Në 22 mars 1992 Berisha u paraqit me parrullën "të gjithë humbës, të gjithë fitues". Pas 22 marsit filloi masakra në administratë nuk ishin të gjithë humbës dhe të gjithë fitues, por ca fitues dhe ca humbës. Këtu ndikuan edhe reformat antipopullore, qëndrimi revanshist i atyre që kishin bashkëpunuar me nazifashizmin, që fitoren ndaj PS e kuptonin si fitore të ballistëve ndaj partizanëve në Luftën e Dytë Botërore. Këto qëndrime, pas 22 marsit, bënë që në pjesë e popullsisë që kishin kërkuar ndryshimin dhe kishin shkuar me parrulën "t'i provojmë edhe këta njëherë" se ata i provuam për 50 vjet, panë që edhe këta kishin mentalitet prej diktatori. Kjo bëri që në 31 korrik dhe vendimtarja ishte që PD u gjet në befasi. Nuk pati plan të organizuar për të vjedhur votat. Tentonin ta bënin militantët në nivel lokal.

Në vitin 1992 cili është manipulimi më i madh që është bërë në zgjedhje?
Po mund të përmend votimin fshatçe apo familjar që u bë në zonat rurale. Ai u nxit nga ata që kishin entusiazmin që po fitonin dhe nuk u pengua nga ata që thellë-thellë kishin bindjen se po humbnin.

Dhe sa ndikim pati kjo në përqindje?
Për mendimin tim kjo pati ndikim deri në 15 për qind të votave dhe PD-ja nuk do ta kishte patur mundësin për të marrë vota të cilësuara. Le të fitonte, me logjikën e sotme duhej të fitonte, por marrja e mbi 2/3 të votave i krijoi këta si politikanë me idenë se mund të bënin si në diktaturë, se mund të bënin si të donin, se "tani jemi vetëm ne". Atëherë kishin që e thonin hapur, se "do ta mbajmë 50 vite, aq sa e mbajtët juve. Tani është radha jonë".

Cili ishte fati juaj pas 22 marsit?
Disa muaj më pas më erdhi urdhëri nga bashkia e Tiranës për të liruar një dhomë nga shtëpia, ndërkohë që unë me letra e kisha në rregull, sepse kisha edhe gradë shkencore dhe dy fëmijë të gjinive të ndryshme mbi 10 vjeç. Arrita ta përballoj me vështirësi, me gjyq. Ata kishin bërë një listë me funksionarë të lartë, dhe unë isha aty edhe pse nuk kisha qenë funksionar i lartë, në ambasadë. Unë isha punonjës në ambasadë dhe ata u quajtën të gjithë bllokmenë. Bile edhe në kërkesat që shtruan minatorët e Valiasit në 1991, pika e fundit ishte që të spastroheshin ambasadat nga bllokmenët. Unë kisha qenë në ambasadë deri në 1989, isha kthyer sërish në Universitet, si padagog fizike. Pas grevës së studentëve, universiteti ishte ndarë në dysh: në Politeknik dhe në i Tiranës. Meqë unë fizikën e jepja në gjeologji-miniera, duhej të isha në Politeknik ku dhe më pëlqente. Të tjerët si unë që mbetën në Politeknik, nuk kishin gradë shkencore. Pra mbetën ata që jepnin mësim. Departamentet duhet të kishin një kryetar, shef departamenti. Mua nuk më vunë, megjithëse isha i vetmi me gradë shkencore, të tjerët e morën më pas. Kjo ishte e orientuar, e shprehur në rektorat. Tjetra: u tha që tekstet mësimore të bëra në kohën e komunizmit, nuk kanë vlera dhe u tha se do t'i merrnin nga Perëndimi. Mua më hoqën nga lista e përkthyesve, edhe pse kisha punuar 8 vjet me 7 universitetet më të mira italiane dhe ku kisha krijuar lidhjet. Unë isha i njollosur sepse kisha punuar në ambasadë. Filloi një luftë klasash.

Po pse njollë nga ambasada, ju më së fundi kishit qenë kryetar i KQZ-së, si përfaqësues i PS-së?
Jo nuk e thonin atë. Unë nuk i lejova që votat të vinin nga Hani i Hotit, sepse i thashë Rajersonit jo. Mjafton kjo.

Nëse do të kishin ardhur fletëvotimet nga hani i Hotit çfarë rezultati do të kishim?
Nëse do t'i kisha lejuar do të më kishin thënë: "Hajde të të bëjmë ministër", çfarë s'do më kishin thënë.

Po rezultati?
Ndoshta 90-95 për qind. Do të ndërroheshin fletët e votimit.

Me çfarë kutish u votua atëherë, sepse kam sot parasysh kutitë plastike, transparente, 10 dollarëshe, me kode etj. etj.?
Ishte vetëm një kuti druri prodhim vendi. Por në ato zgjedhje nuk pati asnjë kontestim.

Arsyetimi logjik e do që fituesi nuk ka pse të kundërshtojë sepse fitoi, humbësi jo sepse u tërhoq?
Jo nuk është ashtu. Fituesi mund të kontestonte, sepse donte më shumë. Oreksi ishte i madh. Po të them një rast. Në komisionin zonal të Kavajës u mblodh me pak vonesë dhe as kandidati i PD-së, Sali Berisha dhe as kandidati i PS-së që ishte një intelektual i nderuar i kavajës, nuk qenë regjistruar brenda afatit, sepse komisioni ishte mbledhur me vonesë. Ata ndërronin emrat, nuk i çonin emrat. Partitë nuk ishin të vendosura për emrat e kandidatëve. Ishin dilemat e brendëshme. Në kohën që u rregjistruan, kandidaturën e Berishës e kishin gati dhe e rregjistruan. Pas pak shkon PS me kandidaturën e vet dhe nuk ia rregjistruan.

Pse?
Sepse thonin se ishte jashtë afatit. Erdhi ankesa nga PS-ja në KQZ dhe ne e morën në diskutim. Menduam se nuk ishte mirë që të shfaqej një problem i tillë në zonën ku kandidonte Sali Berisha dhe ku nuk po lejohej kandidati i PS-së. Po të doja të bëja partiakun këtë mund ta nxirrja lajm të parë, për të patur të drejtën PS më vonë për të thënë: "Na penguan". Ne thirëm dy anëtarët e komisionit zonal në bisedë dhe u thashë: "nëse ju e quani jashtë afatit këtë, ne kemi dokumente zyrtare që komisioni juaj është konstituuar jashtë afatit dhe rrjedhimisht edhe kandidatura e Sali Berishës është dorëzuar jashtë afatit. Unë si kryetar i KQZ-së do të them: "O të dy o asnjëri!" U thashë se a i vlen demokracisë kjo gjë, a i vlen Sali Berishës që të garojë pa rivalë?". Ata ngulnin këmbë sepse donin ta nxirrnin Sali Berishën me 100 për qind të votave.

Dhe sa doli realisht?
Aty te 85-90 për qind. Qyteti realisht votonte për PD-në, por kishte edhe fshatra që votonin për të majtën. Pra dua të dal te idea që edhe fituesi kërkonte të fitonte edhe më shumë.

Përfaqësuesi i PD-së, pra nënkryetari, kishte dyshime për manipulime nga ana juaj?
Jo ai nuk dyshonte dhe s'kishte pse, sepse ishte në brendësi të të gjitha gjërave, kishte dijeni për gjithçka, por ai kishte presion të madh psikologjik nga PD që të ishte vigjilent. Kërkesat që bënte ai ishin të studiuara jashtë komisionit. Por ne kishim pranuar gjithçka. P.sh. nuk e kishte të qartë ligji se kush do të ishte kryetari i komisionit zonal. Ne e morëm me vendim ndërmjetës që t'i krijojmë besim elektoratit, partive politike dhe faktorit ndërkombëtar, që të vendosim që kryetar komisioni të jetë nga opozita në atë zonë ku një vit më parë ku kishte fituar e majta dhe anasjelltas. Dhe kështu ne i lamë PD-së shumicën e kryetarëve të komisioneve zonale.

Me perceptimin e sotëm ju keni vepruar gabim.
Po me perceptimin e sotëm një militant i PS-së mund të më thotë se kam bërë shumë gabim, pse kemi bërë lëshime ndaj PD-së.

Si ndiheni kur thonë se të vetmet zgjedhje të panjollosura pas rënies së komunizmit kanë qenë ato të 22 marsit 1992?
Do të shtoja këtu edhe ato të vitit 1991, kur kryetar KQZ-je ishte zoti Rexhep Meidani. Ne ishim KQZ-ja e parë kur partia që ishte në pushtet humbi dhe nuk kontestoi rezultatin e zgjedhjeve, sepse procesi ishte i rregullt. Në 2005 humbi PS-ja dhe e dorëzoi me protokoll, me ceremonial dhe me projekte dhe në gjendje ekonomike shumë të mirë. Duhet të shtojmë këtu edhe se si e mori qeverisjen në 1997, kur gjithçka ishte shkatërruar.

Më lejoni një pyetje si personi politik, apo si simpatizant i PS-së që jeni. Populli voton, por Berisha fiton. Kështu do të ndodhë sërish si në 2009 apo në zgjedhjet e Tiranës në 2011?
Nuk duhet të jetë kështu. Nuk kam shpresë se do të ndodhë gjithmonë kështu. Sot jemi në një proces për të përmirësuar kodin zgjedhor dhe për të zvogëluar përmasat e manipulimeve. Si simpatizant them se PS-ja nuk po vonohet siç bëri në 2009. në 2009 ishte një shprehje atje që thoshte "vota të caktuara", pra që nxjerrin të vdekurin nga varri dhe ishte gabim i PS-së.

Pse mendoni se nuk do të ndodhin sërish?
Frika është. Kam një bindje që ajo fjalë nuk është lënë rastësisht dhe ka patur miopi politike nga PS-ja. Ka patur edhe teknicienë në parti që i kanë bërë dëm PS-së.

E qëllimshme?
Edhe mund të ketë qenë duke parë ecurinë e tyre politike më pas.

(arr/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Joe Biden tërhiqet nga gara presidenciale në SHBA, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

‘Ngec’ garancia sovrane për fasonët, deri tani vetëm 1 përfitues, refuzojnë bankat! Humbjet e eksportuesve më të thella me euron që bie

‘Ngec’ garancia sovrane për fasonët, deri tani vetëm 1 përfitues, refuzojnë bankat! Humbjet e eksportuesve më të thella me euron që bie