Kryeministri Edi Rama ka folur ditën e sotme në Podkastin e tij ‘Flasim’ për zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës në Tiranë.

Rama tha se kjo zhvendosje e një drejtorie vendore në qendër nuk është as e para dhe nuk do të jetë as e fundit, pasi sipas tij, edhe në të ardhmen do të ketë zhvendosje të tjera.

Shefi i Ekzekutivit shtoi se shërbimet kadastrale sot merren online përmes platformës E-Albania dhe nuk është nevoja për t’u paraqitur fizikisht pranë zyrave.

“Dy fjalë për zhvendosjen e zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë. Edhe njëherë tjetër u ngatërrua qëllimisht adresa fizike e zyrës me shërbimin për qytetarët. Agjencia e Kadastrës ka kaluar prej kohësh nga një shërbim primitiv me sportele dhe radhë në një model shërbimesh online. Përmes platformës E-Albania ky model mundëson që shumica e procedurave kadastrale nuk ka nevojë për paraqitje fizike në zyra. Të gjitha aplikohen dhe ndiqen online edhe nga Amerika. E gjithë kjo zhurmë lidhet me një mendësi që duhet përmbysur. Ky nuk është i pari si veprim për zhvendosjen e një drejtorie vendore në qendër dhe nuk është as i fundit. Të tjera drejtori do të zhvendosen”, tha mes të tjerash Rama.

Po ashtu kryeministri Edi Rama deklaroi se janë shpallur të gjitha dëmshpërblimet për të prekurit nga zjarret e verës së vitit 2025, në 15 bashki të vendit. Sipas Ramës, e rëndësishme është që dëshmpërblimet të shkojnë atje ku duhet dhe që kushdo që është prekur nga zjarret, të marrë atë që i takon.

Shefi i Ekzekutivit foli edhe për buxhetin e Mbrojtjes 2026 për Shqipërinë, duke e cilësuar atë më të lartin dhe më seriozin në histori për vendin tonë. Rama shtoi se buxheti i Mbrojtjes 2026 e ka tejkaluar objektivin bazë prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, të vendosur nga NATO për të gjitha vendet anëtare të aleancës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:07
Rama: Buxheti i Mbrojtjes 2026 e ka tejkaluar objektivin bazë prej 2% të vendosur nga NATO

Kryeministri Edi Rama është shprehur se buxheti i Mbrojtjes i Shqipërisë e ka kaluar objektivin bazë të shpenzimeve për Mbrojtjen të përcaktuar nga NATO për vendet anëtare të aleancës.

Komentet Rama i bëri gjatë fjalës në podkastin e tij ‘Flasim’, ku tha se shpenzimet për mbrojtjen në Shqipëri kanë kaluar mbi 2% të prodhimit të Brendshëm Bruto.

Shefi i Ekzekutivit shtoi gjithashtu buxheti i vitit 2026 është buxheti më serioz në Mbrojtje për Shqipërinë.

“Ministri i Mbrojtjes bëri me dije në një konferencë gjatë kësaj jave shumë detaje lidhur me buxhetin e mbrojtjes për vitin 2026, i cili e ka tejkaluar objektivin bazë të shpenzimeve për mbrojtjen, duke shkuar mbi 2% të prodhimit të brendshëm bruto, pra mbi atë pragun standard të NATO-s, që është edhe pragu standard për të gjitha vendet anëtare. Ky nivel shpenzimesh tregon, jo thjesht një shifër që është më e lartë se sa pragu, as një angazhim thjeshtë për të shpenzuar, por tregon edhe një qasje proaktive ndaj detyrimeve tona, jo vetëm ndërkombëtarisht, por edhe për të zhvilluar një industri të re të mbrojtjes.

Është buxheti me investimin më serioz në mbrojtje historikisht dhe këto përmasa financimi, struktura e financimit, flasin për fillimin e një kthese strategjike afatgjatë, që nuk kufizohet më në blerje pajisjesh apo thjesht në modernizim përmes blerjeve, por synon ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme ushtarake dhe industriale këtu në vend dhe kjo qasje lidhet me një bazë vendore të industrisë së mbrojtjes, lidhet me investime në prodhim, jo vetëm për nevojat e brendshme, por edhe për eksport, lidhet transferim teknologjie dhe mirëmbajtje dhe lidhet në instancë të fundit me atë domosdoshmëri të prekshme, që tanimë mund ta adresojmë, sepse i kemi krijuar mundësitë. Është një Shqipëri tjetër me fuqi të tjera për të bërë të mundur që në sektorin e mbrojtjes shteti, jo thjesht të shpenzojë, pra, jo vetëm të shpenzojë, por edhe të fitojë dhe duke fituar të riinvestojë. Dhe duke investuar dhe riinvestuar, të rrisë edhe mundësitë për punësim cilësor të mirëpaguar”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 09:53
Zjarret e verës 2025, kryeministri Rama: Janë shpallur të gjitha dëmshpërblimet, të dëmtuarit do të marrin atë që u takon

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar ditën e sotme se këtë javë janë shpallur të gjitha dëmshpërblimet për të prekurit nga zjarret e verës së kaluar në 15 bashki të vendit.

Në podkastin e tij ‘Flasim’, kreu i Ekzekutivit tha se të gjitha territoret e prekura nga zjarret kanë tashmë në dispozicion masën e përcaktuar të dëmshpërblimeve sipas dëmeve.

Sipas kryeministrit, e rëndësishme është që dëmshmërblimi të shkojë aty ku duhet dhe të gjithë të dëmtuarit nga zjarret të marrin atë që u takon.

“Këtë javë janë shpallur edhe të gjitha dëmshpërblimet për 15 bashkitë e prekura nga zjarret e verës së kaluar për periudhën 15 qershor-15 shtator, përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, që nga Malësia e Madhe, në Krujë, Rrogozhinë, Peqin, Tepelenë, Delvinë, Has, Kukës, Dibër, Kamëz, Librazhd, Gramsh, Maliq, Finiq dhe Dropull. Të gjitha këto territore të prekura nga zjarret kanë tanimë në dispozicion masën e përcaktuar të dëmshpërblimeve sipas dëmeve.

Është bërë një punë shumë e detajuar dhe është krijuar më e rëndësishmja, e gjithë korniza për të bërë të mundur që dëmshpërblimi të shkojë aty ku duhet dhe cilido që është dëmtuar të marrë atë që i takon”, tha kryeministri Rama.

 

R.Xh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Endri: 01/02/2026 09:54

    Flisni nje fjal per servitutet zoti kryeminister, ligji pa asnje update qe nga vitet 1990 po shkatrrohen komshinjt me konflikte qe nuk mbarojn kurr.

    Përgjigju
    • Elira: 01/02/2026 11:13

      Kto e kan mendjen tek ivanka jo tek populli, hipotekat jan band hajdutesh

  • Bravo: 01/02/2026 09:48

    Te lumtë goja, shkelmin veri, keq e me keq i pafsha.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 28 Janar, 09:18

    Burg deri në një vit për parkim dysh, si e vlerësoni?