Një ditë më parë, në prezantimin e Raportit Vjetor, Avokati i Popullit Endrit Shabani tha se lidhur me zjarrin te pallati i ‘Arlis’ përballë QSUT është ngritur një task forcë që do të ketë në fokus sigurinë e banesave të reja që po ndërtohen. Një nga detyrat kryesore të kësaj task force është hetimi i materialeve të ndërtimit që përdoren në Shqipëri dhe sa të lejueshme janë në vendet e BE.
Gjatë një interviste në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv, Shabani thotë se do të punohet për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për shkelje apo hendek në legjislacion. Ai tha se në rast hendeku, do të rekomandohet fuqimisht ndryshimi i ligjit, kurse shkeljet s’do të përbëjnë asnjë tolerim.
“Duam të shohim ka shkelje apo vakuum të kuadrit ligjor. Materialet që mund të jenë aty mund të mos lejohen me legjislacionin europian. Presioni ynë do të jetë në parlament që të përafrohemi me legjislacionin europian. Mund të jemi para rastit që ligji është aty, por nuk zbatohet sepse zyrtari është i korruptuar, është neglizhent, mungojnë kapacitetet për ta monitoruar. Ne do të rekomandojmë masa për zyrtarët përkatës që mund të jetë largim nga puna. Nëse kemi indicie penale, ia referojmë prokurorisë”, tha Shabani.
Faza e dytë do të shtrihet te institucionet arsimore, të vuajtjes së dënimit apo kujdesit për të moshuarit. Shabani nënvizoi se disa raste janë jashtë kompetencave të Avokatit të Popullit dhe për to është kërkuar që parlamenti të lejojë ndërhyrjen. Por, siç edhe e shprehu gjatë prezantimit të raportit një ditë më parë, pushteti vendor është i papërgatitur për ngjarje të tilla.
“Janë procese që zgjasin, kjo ngjarja ka vetëm 3 ditë. Ne kemi ngritur një task forcë për të vlerësuar sigurinë e jetës në Shqipëri. Do të jetë punë afatgjatë. Në fazën e parë më urgjente duam të shohim sigurinë e banesave të reja që po ndërtohen. Ka 3 elementë që janë të rëndësishëm për t’u ndarë. E para është raporti mes konsumatorit dhe pronarit të godinës. Kjo marrëdhënie nuk është në fokusin tonë se nuk na e lejon ligji. Ne kemi çuar një projektligj në parlament, ka rekomandime të organizatave ndërkombëtare që i kërkojnë parlamentit t’i japë të drejtën Avokatit të Popullit të monitorojë të drejtën e konsumatorit. Unë konstatoj që ka vepra penale, edhe këtu nuk ndërhyjmë dot sepse me ligj na është thënë që s’mund të ndërhyjmë në procese që janë në shqyrtim gjyqësor. Përgjegjësia e bashkisë, e strukturave të tjera në nivel vendor që duhet të kishin marrë masa për sigurinë e jetës së qytetarëve, aksesueshmërinë e ndihmës së shpejtë, zjarrfikëseve. Në një konstatim paraprak, ka disa shkelje e mungesa. Institucionet vendore janë të papërgatitura për këtë ngjarje”, tha Avokati i Popullit.
Prokuroritë e rretheve vazhdojnë të punojnë me të njëjtin mentalitet, thotë Avokati i Popullit në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv duke nënvizuar se arresti me burg duhet të jetë masë ekstreme. Endrit Shabani se në të shumtën e rasteve, të paraburgosurit janë të padënuar dhe qëndrojnë në burg për vepra jo të dhunshme.
“6 nga 10 njerëz që sot janë në burg, janë të padënuar. Ka nisur procesi dhe menjëherë personi mbahet në burg, kur nuk e dimë nëse do të dalë i fajshëm apo i pafajshëm dhe vijon hetimet. Ka raste kur qytetari kapet nga policia sepse ka përdorur alkool. E ndalon policia, ia ka marrë patentën, makinën, çfarë rrezikshmërie ka ky që duhet të mbahet në burg derisa të mbarojë gjyqi? E kuptoj kur ka vepra të dhunshme dhe ka rrezik. Kemi rekomanduar që të aplikohet ligji i Kodit të Procedurës Penale që masa e arrestit me burg është masë ekstreme, jo masë normë”, thotë Shabani.
Prioriteti i tij janë pikërisht qytetarët e thjeshtë dhe rekomandon masat alternative.
“Qytetarë të zakonshëm mbahen në burg pa një vendim të formës së prerë. Mund të vendosen byzylykët që e ndjekin, ka masa alternative, masë me siguri financiare, arrest shtëpie, detyrim paraqitjeje. Nuk kemi njerëz të dënuar, për njerëz të dënuar është vendimi i gjykatës. Ne shpenzojmë 10 mijë euro në vit për një të burgosur dhe 3 mijë euro për një student. Burgu duhet të jetë masë ekstreme”, thotë Avokati i Popullit.
Ndërkohë, po bëhet një marrëveshje me Postën Shqiptare që ata të dërgojnë postën falas sepse nuk kanë para as për të blerë pullë postare.
Shabani shton se gjykatat punojnë me 66% të kapacitetit çka ka sjellë zvarritje të proceseve.
Në monitorimin e Avokatit të Popullit për protestat e opozitës, një problem i konstatuar është ndërhyrja e policisë me gazin lotsjellës dhe forcën ndaj qytetarëve. Në studion e “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv, Endrit Shabani thotë se Policia duhet të përdorë forcën vetëm në raste të izoluara, te personat që përbëjnë rrezik publik.
“Ka disa problematika, e para lidhet me protokollin e përshkallëzimit të masave. Ende nuk e dimë sot se kush jep vendimin për gazin lotsjellës, si jepet ky urdhër, kush janë protokollet që ndiqen. Nga drejtuesit e mëparshëm të policisë nuk na është dhënë. Shpresoj ta kemi që të gjykojmë se si procedohet me përdorimin e forcës nga Policia e Shtetit. Ajo forcë do të duhet të jetë proporcionale, e domosdoshme dhe duhet të jetë për të mbrojtur interesin publik. Duhet të jetë e izoluar te persona që përbëjnë rrezik publik, jo si masë për të penguar apo kufizuar të drejtën kushtetuese të protestës”, tha Shabani.
Sa për dhunën e anasjelltë të qytetarëve ndaj policisë, ai nënvizoi se kjo s’është pjesë e punës së institucionit, por ata duhet të përballen me ligjin
Në prezantimin e raportit u evidentua edhe shqetësimi për trajtimin e të miturve në protesta. Shabani tha se janë konstatuar raste të mosrespektimit të procedurave të posaçme për shoqërimin, qëndrimin dhe intervistimin e të miturve.
“Ka disa procedura për shoqërimin e të miturve, sa u përket orareve, vendit ku duhet të mbahen dhe si mund të intervistohen. Ne kemi konstatuar raste kur nuk janë respektuar. Ka investime për të ndërtuar një dhomë të posaçme për të miturit, si në komisariatin numër 1 në Tiranë, që kemi konstatuar se nuk përdoret dhoma për intervistimin e të miturve, por kryhet jashtë kësaj dhome. Njeriu nuk i humbet të drejtat kur shkel ligjin, çdo shtetas kur shkel ligjin duhet të përballet me pasojat e ligjit. Fakti që shkel ligjin nuk i jep të drejtën Policisë, Prokurorisë, apo Gjykatës që të abuzojë me të drejtat e qytetarëve, akoma më tepër kur janë të mitur”, tha Shabani.
Komente










