Ministria e Mjedisit dhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë zhvilluan Workshopin "Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit", në kuadër të fillimit të zbatimit të projektit IPA 2013 "Forcimi i kapaciteteve kombëtare për mbrojtjen e natyrës - përgatitje për rrjetin 'Natura 2000'".
Në fjalën e saj, zv.Ministrja Mjedisit, Olijana Ifti u shpreh se "është arritur progres në zgjerimin e rrjetit përfaqësues të zonave të mbrojtura, nëpërmjet shpalljes së zonave të reja të mbrojtura dhe zgjerimit të atyre ekzistuese. Programi i punës për zonat e mbrojtura është hartuar në zbatim të objektivave dhe detyrimeve të Konventës së Biodiversitetit. Progres është shënuar edhe në përgatitjen e Planeve të menaxhimit të Zonave të Mbrojtura".

Reforma në fushën e natyrës ka vijuar këtë vit me krijimin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në Shkurt 2015, si një hap i rëndësishëm në fushën e menaxhimit të këtyre zonave."
Zv. Ministrja Ifti theksoi se "lindi si detyrim i anëtarësimit në BE, krijimi i rrjetit Natura 2000, rrjet ekologjik i cili përfshin habitatet me rëndësi për Komunitetin Europian për të cilin është krijuar hapësira ligjore dhe njëkohësisht me financim te BE-së përmes programeve IPA ka nisur së fundi projekti me një buxhet prej 4,4 milionë euro për menaxhimin e integruar të zonave të mbrojtura përmes zbatimit të planeve të menaxhimit të Zonave të Mbrojtura dhe identifikimin e zonave potenciale Natura 2000 me rëndësi për Bashkimin Evropian, që strehojnë lloje dhe habitate me rëndësi të veçantë ruajtjeje, të cilat do t'i shtohen rrjetit ekologjik Europian."
Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit 2015 këtë vit celebrohet me moton "Biodiversiteti për Zhvillimin e Qëndrueshëm". Kjo temë reflekton rëndësinë e përpjekjeve për të vendosur një grup Objektivash të Zhvillimit të Qëndrueshëm si pjesë e Axhendës së Zhvillimit të Kombeve te Bashkuara post 2015 për periudhën 2015-2030 dhe rëndësinë e biodiversitetit për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm.
Në Shqipëri, përmirësimi i vazhdueshëm i legjislacionit mjedisor, përafrimi i kuadrit ligjor me politikat e reja në mbrojtjen e natyrës e të biodiversitetit, monitorimi i mjedisit, shtimi i sipërfaqes së zonave të mbrojtura e pajisja në vazhdimësi e këtyre zonave me plane menaxhimi, forcimi i kapaciteteve të strukturave që veprojnë në këto zona dhe tendenca për t'ju përafruar treguesve të Bashkimit Evropian, janë disa nga arritjet kryesore të fushës së mbrojtjes së natyrës./atsh/