Zoti Manhattan/ Një poemë për 
​lirinë në të gjithë dimensionet e saj

Zoti Manhattan/ Një poemë për <br />​lirinë në të gjithë dimensionet e saj<br>
Kjo poemë e Novruz Shehut, e shkruar në dhjetor 2015, mbeti në dorëshkrim për sa kohë ai jetonte. Pothuajse nëj vit pas ndarjes së tij nga jeta, familja e poetit dhe studiuesit të palodhur, e ka bërë gati për botim këtë poemë të gjatë, një fragment prej së cilës ne e sjellim sot për lexuesit e suplementit tonë.

ZOTI MANHATTAN           

- 1-

Fjalë të fillimit

…Perënditë kanë zbritur këtu,

në shtatin e Manhattanit,

Me kryet tek qiejt e madhështi kryeneçe,

Vështrim indiferent e pushtet të frikshëm…

Perëndeshat e shndërruara në grataçiela,

s’fyejnë askënd e s’lejojnë gjithkënd

në këtë univers marramendës…

Eci mes tyre si milingonë

e shkëputur nga radhët, në hutimin

e një europiani të çartosur,

Vendos duart në kokë me britmën e  mashtrimit

gjysmëshekullor

të komunistëve të vendit tim,

Kokën mbaj lart të mund të numëroj

Shkallët drejt qiellit, ku

në katin më të lartëm, pa dyshim,

Zoti pi kafe me nipin e shqiptarëve

Xhorxh Uashingtonin…

          - 2 -

- Zoti Manhattan,

që mban emrin e indianit të këtij vendi,

vij nga Shqipëria, mik i hershëm,

sa dhe rrënjët e mia pellazge!...

Harta e vendit tim i ngjan vaporrit

të ankoruar brinjaz në gadishullin

më grindavec

të kontinentit nga kam ardhur.

Dy dete kanë miliona vite që i lyejnë kiçin

me ujë e diell,

Për ta ruajtur nga ndryshku i shekujve…

Na servirin historinë me Aleksandër e Piro

e mbretër e mbretëresha

që s’i dhanë pak këtij rruzulli

Ndërsa ne hamë, veshim, bëjmë arkivol

lavdinë e një historie

që  po na i vjedhin

dhe e Iëmë ta na i vjedhin

             - 3 -

…dy herë sa Jesu Krishti,

66 herë jam vetvendosur në kryq

që nga viti i lindjes, zoti Manhattan,

E sot jam nisur me kryqin mbi shpatulla

nga dheu i atit  që ka vite e shekuj

që bashkëjeton me njerkën time,

Duke më lën të pleqëroj jetimërinë

në varret që presin të na shohin

për herë të parë me kostumet e reja

në kontinentin e qiejve…

*

Për të zbritur në tokën tënde,

Më kontrolluan policët e ambasadave,

Policët e aerodromeve, avionëve, trafikut

të rënduar, hoteleve, muzeve!

Kudo më kontrolluan:

Fijet e flokut

M’i bënë fije-fije me këmbnguljen se atje

Mund të gjenin bombën shfarrosëse

të njerëzimit,

por gjetën vetëm ëndrrën time

të stivosur, që zgjohej apo përgjumej

ndërsa kërkonte të vinte me të tëra çmimet

në perandorinë tënde,

Zot i Zotërve në këtë tokë të bekuar!

              - 4 -

…Në dhjetorin e këtij viti

M’i shtrove ditët me diell, Zoti Manhattan,

Zoti Manhattan

Dhe fytyra ime u fotografua  lehtësisht

Duke  ngjitur e zbritur satelitët

Në ashensorin e qiejve.

Një miku im më nisi në internet

një degë të çelur me lule qershie,

në një periudhë kur dëbora si ari polar

duhej të ngjishte putrat  qetësisht

këtyre anëve!!!

Ndoshta e dije se atje larg, në një fshat,

Në atdheun tim të lindjes, mes maleve,

Një Qershi ruan nënën time…

Ka vite që e ruan, ia freskon në korrik ballin

E në dimër e mbron nga erërat,

stuhitë, rrufetë, ulërimat e ujqëve

e mbi të gjitha, e ruan nga vetmia,

Nga vetmia që në vendin tim

 Numëron yjet dhe pllakat e varreve…

Në vend të atij shalli,

që s’munda dot t’ia bleja,

Qershia i hedh supeve

atë renë e zezë të ngarkuar

në majën e malit që i rri përballë

si një bodigard që s’i qesh buza

Në ritin e tij të përjetshëm…

Për këngën,

që nuk munda t’ia këndoja,

Motra ime, Qershia, bind të tërë  zogjtë

që  të këndojnë,

ndërsa të tëra degët i bën harqe violinash.

*

Nëna ime i donte shumë këngët,

 Zoti Manhattan…

Të siguroj se për këngë

do ta linte varrin e do të thërriste

tërë lumenjtë e botës të këndonin

së bashku Këngën e Qabesë…

Motra ime, Qershia, nuk ia kërkon

Se nuk do që ta lodh,

se boll u lodh tërë jetën,

e vdekja është gatuar nga Zoti

për prehje të përjetshme…

            - 5 -

E di Këngën e Qabesë…?!

Një djalë i ikur nga vendlindja

Diku nizam, diku i mbetur në shkretëtira,

Me emra të paditur,

Diku, ku hëna ngjan si  arkivol

duke u mbartur netëve

mbi supet e yjeve…

Dhe ish i mbushur plagë në beteja,

Zoti Manhattan!

Në beteja si ushtar

që të mund të paguhej,

që të merrte fustan për gruan

në rriskun për të pasur vdekjen

duke e ndjekur këmba këmbës…

Dhe, mandej e vranë,

Zoti Manhattan!

Dhe fustanin s’ia pruri dot gruas,

Dhe shallin s’ia pruri dot nënës,

Dhe festen s’ia pruri dot babait,

Dhe kukullën s’ia pruri të birit kurrë…

Dhe… eh, mor Zoti Manhattan!…

Dhe korbat iu afruan mbi fytyrë

Me krrokamën e tmerrtë:

 “Kurrkurrë…kurrkurrë…kurrkurrë…”,

E në këtë krakitje, ai iu lut zogjve zezanë:

- Mos m’i shkulni sytë, si ç’bëni me të tjerët,

Se duhet të shikoj motrën,

që del kodër më kodër duke qarë,

Se duhet të shikoj nënën që del

në tërë lëmenjtë për grurin që s’u korr kurrë,

se duhet të shikoj gruan që del krua më krua

Duke larë lotët,

që të mos ta prish e të ma ruaj

bukurinë, për në Parajsën e qiejve!…

*

…Në vëndin tim ka mijëra të ikur

larg në Qabe, ku piqet buka në diell,

apo në vende ku zogjtë ngrijnë si copa

akulli në ajër…

Kanë shekuj që ikin, e prap ikin, ikin

tejë Urës së Qabesë, me të vetmen lutje

drejtuar korbave që të mos t’jua hanë sytë

nëpër verbërinë e Fatit….

- 6 -

…t’i i di të tëra,

Natyrisht ti i di dhe rri ashtu i vrërët,

përballë tërë rruzullit,

duke i thënë Lirisë

- Të ngjitet tek piedestali aty pranë teje

dhe t’i thërras tërë bijtë e bijat e botës

të mos mbeten tej Urës së Qabesë…

*

Eh, Zoti Manhatan, Zoti Manhatan,

Unë jam vet Qabeja…!

Natyrisht, se ka Qabeja fajin që   njerëzit

martohen me vdekjen, larg mërguar

oqeane kaptuar…

A shihet Qabeja nga Grataçielat e tua

që gërvishtin e shkruajnë

Këngë për Lirinë nëpër qiej?!

Më mirë mos shiko nga Qabeja

se perëndeshat do të përmbysen,

jo nga ata

që dinë të ngrenë përmendoren e vdekjes,

(Ata s’mund t’i përmbysin,

Si nuk mund të përmbysin dot Zotin.)

Perëndeshat e tua

do të vetpërmbysen nga dhimbja

e s’do të kërkojnë të ngrihen më kurrë,

Të shndërruara

në sytë e emigrantëve

atje ku Atllantiku luan poker me Diellin...

*

…Nëna…

Nëna më sheh përpara teje

Ndërsa kam vënë duart në kokë

me britmë të atllantiktë:

- Uli duart, të keqen! - më thotë,

Uli duart se s’është mirë,

Se ke vajzën larg, më thotë,

se janë mijëra vajza e djem larg

tej urave, këngëve,

britmave, korbave…

Uli duart, bir!

Korbat hëngëshin kokën e tyre,

Qabeja hëngërt kokën e atyre

Që drejtojnë Vaporrin e këtij vendi

të katandisur kockë e lëkurë

në Pikëllimin e qindra a mijëra

bijave e bijve...

*

Nuk do të qaj zoti Manhattan,

nuk do të qaj për fatin tim,

se nëna ngrihet nga meraku

Andej nga nëndegët e Qershisë

ashtu siç bëjnë tërë nënat shqiptare,

kur shohin bijtë e tyre duke qarë…

Dhe Atllantiku

të siguroj se do të zbrapset nga dhimbja

në zbaticën e pa njohur ndonjëherë,

Duke marrë me vete

tërë kontinentin që e ngrite me aq mundim

me tërë këngët e ardhura nga tërë rruzulli

Dhe unë e dua Atllantikun,

aq sa më do nëna mua,

miku im Manhattan…

I dua perëndeshat,

aq sa i do nëna motrat e mija

e sa vet Qershija që hahet me Vdekjen…

- 7 -

Liria

Statuja, që mba emrin Liri,

Rri pranë teje Zoti Manhattan!

Rri zbathuar, si  Jesui

Të  cilit i duhej

të ecte zbathur, valë më valë

nga një oqean  në oqeanin tjetër…

Statuja, që mba emrin Liri,

mban veshur fustanin hyjnor

prerë nga membrana e qiellit,

Me maketin e Diellit në dorën e djathtë

enkas për ata që kanë ardhur e vijnë

nga toka, nga deti, nga ajri

me thesin e ëndrrave hedhur supeve…

Në këmbët e saj

Atllantiku këndon Biblën e Kuranin,

ndërsa retë refugjojnë të përndjekin

korbat të mos të hanë sytë

E atyre që kanë mbetur tejë Qabesë,

larg…shumë larg Qabesë,

duke  kërkuar, të të takojnë

miku im Manhattan!...

- 8 -

- Zonja Liri!

Kam ardhur si tërë skllevërit,

E ardhur këtu para katër shekujve

Dhe si skllav do të iki…

Liria s’është për mua,

Lirinë e komandojnë ATA

që drejtojnë botën,

e s’u shkon në mend për mua!

Lermë të t’i puth këmbët e zbathura

Ashtu siç bën çdo skllav

në vendin tim të lindjes!

Ti je Eva, zonja Liri, kryezonjë e Jetës,

që të shikojnë në ëndërr të varfërit,

të uriturit, sakatët, invalidët, të pastrehët,

dhe tërë milingonat si unë,

Që kërkojnë këtu ëndrrat, ligjërimet

këngët, britmat, legjendat që i donin

e i kanë lënë diku  në vëndet e tyre…

Ata janë të ngarkuar me varre në shpatulla,

me lulet që nuk mundën t’jua vendosnin

e qirinjë, që nuk mundën t’jua ndeznin

në vendin e tyre, Kryezonjë e Botës…

Kryezonjë, s’mund të të arrij,

E as që kam për të të arritur…

Ata që të prunë këtu,

ndoshta se kanë ditur se unë

dua të flirtoj me ty, për të lindur e ngritur

një statujë tjetër në vendin tim,

Se, në vendin tim, Liria

Mbytet në maternitetin e Lindjes,

Ose edhe nëse lind

Trafikohet në motele luksoze

Sa në një  qytet në qytetin tjetër

 *

Kryezonjë!

Pulbardhat si një grup balerinash

Vijnë e ulen mbi këmbët e tua

Sqepojnë pak diell, pak oqean, pak tokë,

Pak britmë, pak këngë, pak ulërimë,

Të stërgjatur refugjatësh

të ardhur me gomone

tek këmbët e tua,

Ndërsa të tjerë

Janë bërë valë, janë bërë balena,

Janë bërë trungje të servirur

tek fluturuesit e ujërave…

- 9 -

Një nipi im, më bleu  kostum:

“ Vishe!”, më tha,

“Të jesh ndryshe!”, më tha,

 “Të dua të jesh i bukur!”, më tha,

(Hahaha,…i bukur?!)

Kërkojnë për mjeranin e rruzullit

të thuhet se dhe ai merr frymë

në grindavecërinë e një vendi

që mburret duke i shkulur flatrat shqiponjës?!

Hahaha!... Këtu duan

të më veshin me kostum si mbretin lakuriq,

ndoshta të mos merret vesh se të kam sharë

e stërsharë tërë jetën dhe për këtë

Kam marrë dekorata, zoti Manhattan,

nga vet Enver Hoxha, një manjak i lindur

nga gjarpri, në një qytet të gurt’ të jugut…

Por s’të kërkoj falje zoti Manhattan,

E di që s’ke ndërmënd të më vrasësh,

Çfar kuptimi ka që të më vrasësh?!

Do të ish humbje kohe të vrasësh

një njeri që këndon kot, ushqehet kot,

vërdallepset kot, jeton kot më kot…!

Ti s’bën gjëra kot, zoti Manhattan,

Se atëhere s’do të ishe Zot i Zotave

Dhe Zoti s’do të të dërgonte urime

për jetë të përjetëshme!

Zoti di se çfarë bën,

Kryezot  Manhattan…

- 10 -

Kam një amanet:

Ke dëgjuar ndonjëherë për amanetet

Që njerëzit lënë para se të shkojnë

Në perandorinë e qiejve?!...

Unë të lë amanet që më shumë

se tërë perëndeshat e grataçielave

Të ruash perëndeshën e Lirisë,

Ta veshësh vazhdimisht me rroba të reja,

T’i këndosh vazhdimisht këngë të reja,

Të rrish pranë saj po aq sa pranë Zotit

E ndoshta më tepër, shumë  më tepër,

Zoti Manhattan!…

- 11 -

AMERIKA NUK ËSHTË E IMJA 
(Autograf në Manhattan)

Amerika nuk është e imja,

Amerika e kujtdo mund të jetë,

Unë jam “ufo” që prek pak këtë tokë

Dhe ngjitem fluturimthi tek retë.

Amerika nuk është e imja

Le ta gëzojë, kushdo që ta ketë,

Unë dua atë që vërtetë është e imja,

Dhe ndriçon si pikë vese mbi fletë.

Amerika nuk është e imja,

As e arrij, as e dua marrëzisht,

Unë jam një kalorës i vrerosur,

I plagosur nën një pishëz të brishtë.

Amerika nuk është aspak e imja,

Është e kujt është, s’ka rëndësi aspak,

Nuk mund të vdes në qiell Nerude,

Ndërsa Dielli në vendin tim kullon gjak…

Nju Jork, Manhattan, 15 dhjetor 2015

(fragment nga poema “Zoti Manhattan”
manhatan
manhatan

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Espanyol rrezikon mbijetesën, Kumbulla: Kemi shumë ndeshje para, kam besim te ky ekip

Espanyol rrezikon mbijetesën, Kumbulla: Kemi shumë ndeshje para, kam besim te ky ekip