Në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Etem Aga, gazetari Mentor Kikia, avokati Alban Duraj dhe analisti Endri Tafani analizuan protestat që kundërshtojnë investimin në Zvërnec.

Në diskutime u prek edhe raporti i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, ku eurodepuetët kërkuan gjithashtu që të ndryshohen ndërhyrjet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, që lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në këto zona. Ata kërkuan gjithashtu që autoritetet të vendosin moratorium për ndërtimet në zonat e mbrojtura, deri në ndryshimin e ligjit.

Përfaqësuesi i PD-së, Etem Aga, e krahasoi protestën në Shqipëri me ato që zhvillohen në vende të tjera europiane, por theksoi se në vendin tonë tubimet që po zhvillohen kanë karakter më paqësor.

Aga shtoi se mungesa e demokracisë dhe korrupsioni galopant i kanë shtyrë qytetarët drejt protestave. Duke theksuar se PD e mbështet fuqishëm protestën, Aga tha se ata nuk kompleksoheshin nga thirrjet e protestuesve kundër kryedemokratit Sali Berisha.

“Protestat në Shqipëri janë më paqësore se ato në Francë. Protestat në Francë janë me një dhunë të habitshme. Turmat thyejnë, shkatërrojnë dhe i vihen ndërtimeve apo dyqaneve, që megjithëmend i sakatojnë. Në Tiranë unë kam qenë thuajse përditë në protestë, është një protestë fantastike, që Shqipëria asnjëherë nuk e ka pasur. Mbi 1 mijë vetë bënë një protestë paqësore edhe në Paris. E organizuan disa djem dhe vajza të reja. Janë djem dhe vajza të reja që nuk durojnë dot më mungesën e demokracisë dhe korrupsionin galopant që ka Shqipëria. Edhe këto të rinj e të reja duan të bëhen si gjithë Europa. PD e mbështet me forcën më të madhe këtë protestë. Nuk na kompleksojnë parrullat që flasin kundër Berishës, por thelbi është ky, korrupsioni galopant”, tha Aga.

Gazetari Mentor Kikia u ndal te mënyra e organizimit të protestës dhe te rezoluta e Parlamentit Europian, duke argumentuar se ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura në vitin 2024 janë bërë për t’i hapur rrugë investimit në Zvërnec.

Më tej, duke theksuar karakterin paqasor të protestave që po zhvillohen, Kikia tha se këto tubime janë aq të qeta sa i krahasoi ato me marshimet funerale.

“Protesta është unike për nga mënyra e organizimit, por edhe përmbajtja. Ne shqiptarët nuk është se dallohemi fort për rezistencë në reagime, apo qëndrueshmëri të protestave. Ne o i vëmë flakën dhe mbarojmë punë shpejt e shpejtë. Lidhur me akuzat që bëhen, jo dhuna verbale, presioni, etj, unë mendoj se kjo është një nga protestat më paqësore. Përveç marshimeve funerale, nuk besoj se ka më marshim paqësor sesa ky. Nuk është thyer asnjë xham, nuk është shkulur asnjë pllakë në trotuar. Nëse sharjet quhen dhunë, kjo nuk është gjë tjetër veçse i imponohet turmës. Është një protestë anti-qeveritare. Në një protestë anti-qeveritare thërritet kundër qeverisë.

Rezoluta është rezoluta e Parlamentit Europian për Shqipërinë, në kuadër të negociatave. Çështja e zonave të mbrojtura është një aneks. Pra rezoluta nuk i është dedikuar zonave të mbrojtura, por është rezoluta e radhës, provimi i radhës, në të cilën Parlamenti Europian merr Shqipërinë ku shqyrtohen problemet. Tani ndryshe nga dokumentat e tjera, raportet ndërkombëtare që lexohen qartësisht sipas interesit politik në Shqipëri, këtu nuk ka por, këtu ka një gjë shumë të qartë, që Rezoluta e cila edhe pse s’ka fuqi ekzekutuese, qeveria mund të mos e konsiderojë, është shumë e qartë. Është rrëzuar ndryshimi i ligjit në vitin 2024. Dhe ligji në 2024 u ndryshua qëllimisht për t’i hapur rrugë këtij projekti. Në 2017, ligji për zonat e mbrojtura ishte i standardit europian. Por në 2024-ën, ndërkohë që po merrte ujë varka e investimeve strategjike, u ndërhy në këtë ligj për të justifikuar këto që po ndodhin”, tha Kikia.

Edhe avokati Alban Duraj e cilësoi protestën si një reagim qytetar kundër problematikave të përditshme me të cilat përballen shqiptarët.

Lidhur me bllokimin e autostradës Durrës-Tiranë dhe Rrugës së Rinasit nga protestuesit, Duraj tha se është organi i akuzës që merret me këtë gjë dhe që përcakton veprat penale. Por sipas tij, në përgjithësi protestat kanë qenë paqësore.

“Protesta është e shkëlqyer. Pas kaq vitesh, mblidhen qytetarë të bindjeve të ndryshme politike. Aty shikoj qytetarë që vuajnë çdo ditë me problematikat e përditshme që ne kemi. Natyrisht një mbështetje të madhe kanë pensionistët, që nuk kanë mundësi që ta ndjekin këtë protestë nga afër. Ata dalin në dritare dhe thonë ‘jemi me ju’. Unë jam avokat dhe ndjek shumë çështje të njerëzve që nuk kanë mundësi. I ndjek falas. Çështje lidhur me mungesa të viteve të punës dhe një sorollatje që i bën Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Kjo është një protestë paqësore. Për Rinasin është organi i akuzës ai që do vendosë nëse kjo çështje përbën vepër penale. Ka qytetari dhe shumë njerëz të shtresës së mesme, që duan të jetojnë në këtë vend”, tha Duraj.

Ndërsa analisti Endri Tafani argumentoi se ndryshimet e bëra në vitin 2024 bien ndesh me frymën e negociatave me Bashkimin Europian dhe tregojnë sipas tij se interesat ekonomike kanë mbizotëruar mbi mbrojtjen e mjedisit dhe rrezikimin e rrugës për integrimin në BE.

“Siç po preket territori në Zvërnec, po preket edhe në vende të tjera. Ne i kemi hapur negociatat në 2022. Pra ky ligj ka qenë që në 2022. Çdo ndryshim që është bërë nëpër ligje, është bërë në përputhje me ato të BE-së. Kur del një kërkesë e tillë nga Parlamenti Europian, tregon që ndryshimet që janë bërë në vitin 2024, nuk janë në përputhje me ato që janë kërkesat e BE-së dhe proceset që kanë të bëjnë me kapitujt, sidomos ato që kanë të bëjnë me ambientin. Pra faji i ngelet Ramës për këto veprime, sepse ky nuk ishte një ligj i vjetër dhe ashtu e gjeti Rama. Pse në 2024-ën, në të njëjtën kohë që kemi hapur negociatat me BE-në, një ligj që ishte i mirë e kemi prishur? Tregon se ka pasur interesa ekonomike më të fuqishme sesa rrezikimi i rrugës për në BE”, tha Tafani.