Luftë hibride, e quajti kryeministri Rama protestën kundër ndërtimeve në Zvërnec. Ai tha se çështjet e ambientit shfrytëzohen për shkak të ndjeshmërisë së tyre për të nxitur qëndrime kundër zhvillimit. Rama tha se resortet luksoze janë domosdoshmëri për të rritur ekonominë dhe nuk do t’ia heqë Shqipërisë qafe me vetëdije këtë projekt.
“Kush nuk ka kuptuar akoma këtë nuk ka për ta kuptuar as me fjalën e agjencive ligjzbatuese. Dihet botërisht sepse për këtë jemi të respektuar edhe brenda NATO-s, kemi një nga mbrojtjet më të forta kundër terrorit kibernetik dhe kemi një pasqyrë shumë të fortë se nga vijnë e ku shkojnë, por ky është një territor i luftës hibride që zhvillohet që ka ardhur edhe në vendin tonë. Janë të panumërta burimet e botës demokratike sesi kanë nxjerrë raporte e studime sesi forcat kundër BE dhe kundër vendeve që i duan nën sqetull, organizojnë, nxisin dhe orkestrojnë situata të kësaj natyre duke përdorur çështjet e ambientit që ka sensibilitet shumë të madh dhe bashkohen vëllezërit e Agimit të Artë dhe orkestrohen ustallarë si ata në emër të Shqipërisë dhe shqiptarëve, me qasje atdhedashurie ndaj natyrës që ndihen të lënduar. Nuk ka fare dyshim që kjo luftë do të mbarojë dhe gjithkush do të marrë atë që i takon, Shqipëria dhe shqiptarët do të marrin atë që u takon për të rritur ekonominë. Injoranca nuk është asnjëherë argument dhe duke qenë se i druhem shumë injorancës sime, i druhem për shumë fusha që s’kam si t’i njoh vetvetiu dhe t’i shkoj pas Berihait, lexoj shumë. Duhet të përballem me njerëz që thonë çfarë na duhen ne resortet luksoze? Resortet luksoze janë ato që sjellin të ardhura më të larta nga turizmi. Mund të pyesni ChatGPT. Do të marrë përgjigjen që resorti luksoz prodhon të ardhura edhe për të. Nuk kam asnjë arsye që të mendoj se me vetëdijen time, Shqipërisë i duhet hequr qafe ky projekt”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Lupa e SPAK mbi 'Zvërnecin', Rama: Hetimi do sqarojë çdo pretendim për tokën! Pozitive ngrirja e fondeve, në fund do i marrin pronarët legjitimë








