Xhelil Asani është mbrojtësi më i ri i Vllaznisë. 27-vjeçari ka mbyllur gjithçka me Erzenin dhe për dy sezonet që vijnë do jetë pjesë e shkodranëve, teksa është prezantuar mesditën e së martës në "Loro Boriçi". Shqiptari i lindur në Kërçovë në Maqedoninë e Veriut luan në fashën e majtë të fushës, teksa ka qenë ndër lojtarët me më shumë prezenca sezonin e shkuar te shijakasit.
"Klubi i Futbollit Vllaznia ka kënaqësinë të njoftojë se nga dita e sotme pjesë e familjes kuqeblu është bërë edhe futbollisti Xhelil Asani. Sezonin e kaluar ai ka qenë pjesë e Erzenit, ndërsa për dy sezonet e ardhshëm, lojtari që luan në krahun e majtë të mbrojtjes do të jetë pjesë e jona. Mirë se erdhe Xhelil", njofton Vllaznia.
Asani e ka nisur karrierën te Vëllazërimi në vendlindje, teksa në 2015 ka qenë edhe pjesë e Bylis. Më pas ai është aktivizuar me klube si Metalgur, Pembroke (Poloni), Torpedo, Shkëndija, Mladost, SKA (Rusi), Pittsburgh apo Rudar. Sezonin e fundit me Erzenin, mbrojtësi luajti 33 ndeshje në Superligë dhe pesë në Kupë, duke shënuar tre gola.