Bllokimi i monopatinave elektrike dhe ndalimi i qarkullimit të tyre ka shkaktuar pakënaqësinë e përdoruesve dhe sipërmarrësve.

Por qytetarë të tjerë shprehen se është një nismë e mirëpritur, sipas të cilëve këto mjete janë burim aksidenti.

Zyrtari i Policisë Rrugore, Ali Yzeiri, i ftuar në Report Tv në emisionin Studio Live, tha se qarkullimi i monopatinave ishte në kaos dhe burim aksidenti.

Ai theksoi se është me rëndësi që të ketë një kufizim të moshës për përdorimin e monopatinave elektrike.

“Këtu nuk kemi kufizim të moshës. Të miturit mund t’i drejtojnë ato dhe me shpejtësi të lartë. Qarkullojnë nëpër trotuar, nëpër rrugën ku kalojnë mjete, bëhen rrezik për këmbësorët, biçiklistët. Nuk vendet e kalimit të këmbësorit nuk i kemi parë ata që të zbresin dhe t’i marrin në dorë. Lëvizin pa kaskë mbrojtëse. Monopatinat që gjenerojnë shpejtësi deri në 25 km/h konsiderohen si biçikleta, duhet të kenë sistem ndriçimi etj. Ishte një kaos në lëvizjen e tyre, kaos në përdorimin e moshës. Bëjnë zig-zage në rrugë, marrin dhe pasagjer të tjerë, marrin dhe 3 veta, pra mund të jenë prindër e marrin dhe një fëmijë, aty nuk kanë bazë sigurie as dhe vetëm për 1 person. Drejtuesit e mjeteve mos qarkullojnë në rrugë, shumë shpejt do dalë paketa ligjore dhe teknike se ku duhet t’i përdorin dhe si do lëvizin në rrugë”, tha Ali Yzeiri.

Ndërsa për ekspertin rrugor Gëzim Hoxha, i ftuar në studio për këtë temë, tha se rregullimi i mënyrës së përdorimit të monopatinave duhet të jetë përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.

“Kjo është detyrë e Ministrisë së Infrastrukturës. Policia zbaton ligjet. Ata duhet të bëjnë studime, sepse ata kanë ARRSH, për transportin përgjigjen ata. Policia përgjigjet për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor. Këto janë mjete të pasiguruara. Kur ndodh në aksident kush e paguan dëmin që shkaktojnë këta? Ka një mori problemesh. Kjo është një nismë e nxituar dhe e vonuar. E nxituar sepse kërkonte një afat kohor, duhet të ishin njoftuar. Kjo donte dhe një lloj klasifikimi që duhet ndarë. Të gjithë ata që përdorin monopatina duhet të kenë leje drejtimi”, theksoi eksperti Gëzim Hoxha.

Masa për ndalimin e monopatinave elektrike hyri në fuqi nga data 13 tetor dhe deri më tani janë bllokuar mbi 120 monopatina në të gjithë vendin.