Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një letër urimi Albin Kurtit, i cili u zgjodh kryeministër i Kosovës pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit nga Lëvizja Vetëvendosje. Në letrën e urimit, kryeministri Rama i shpreh angazhimin e tij për të intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe dhe që së bashku të dy shtetet të ndërmarrin projekte të guximshme në shumë sektorë duke përfshirë edhe përballimin e COVID-19 me qëllim përmirësimin e jetës së shqiptarëve kudo që janë.

Rama shpreh besimin se qeveria e Kurtit do të kapërcejë me sukses sfidat me të cilat përballet Kosova në përparimin e saj të gjithanshëm demokratik dhe integrues.

Letra e urimit të Kryeministrit Edi Rama

I dashur Albin

Zgjedhja Juaj në detyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës me jep kënaqësinë t’ju përcjell urimet e mia për sukses në drejtimin e vendit dhe përballimi e sfidave të qeverisjes.

Duke riafirmuar vendosmërinë time dhe të Qeverise që unë kryesoj për t’i zgjedhur e intensifikuar më tej marrëdhëniet tona, unë besoj fort se tashmë ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe potencialet për ndërmarrje të rëndësishme e projekte të guximshme në shumë sektorë, përfshirë përballjen e përbashkët me COVID-19. Këto ndërmarrje do t’i kontribuojnë përmirësimit të jetës dhe përparimit e integrimit më të shpejtë të shqiptarëve

Unë mbetëm gjithashtu besimplotë se ju dhe ekipi juaj qeverisë do t’i kapërceni me sukses sfidat me të cilat përballet Republika e Kosovës në përparimin e saj të gjithanshëm demokratike integrues në rajoni dhe më gjerë, drejt rrugëtimit të saj euroatlantik.

Me urimet më të mira për sukses të Kabinetit tuaj qeveritar dhe me ftesën e përzemërt për të vizituar Shqipërinë në një kohë të përshtatshme për Ju, lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Marrëdhëniet mes kryeministrit Edi Rama dhe Albin Kurtit nuk kanë qenë gjithmonë të qeta, por para interesave madhore të vendit palën kanë ditur të bashkëpunojnë në të mirë të shqiptarëve. Vetëm pak ditë më parë në vendin tonë u vaksinuan 500 mjekët e parë të Kosovës, të cilët ishin në frontin e luftës me COVID-19. Vaksinimi i tyre u bë në Kukës, ndërsa vetë kryeministri Rama tha se Shqipëria e Kosova janë një dhe se do gjenden pranë njëri-tjetrit gjithmonë. Rama madje bëri premtimin se nëse Kosova nuk arrin dot të sigurojë vaksinat, Shqipëria do të marrë përsipër vaksinimin e 11 mijë bluzave të bardha të saj. Albin Kurti mori zyrtarisht detyrën e Kryeministrit të Kosovës më 22 mars 2021, ku pasi prezantoi kabinetin qeveritar, tha se do të jetë i përulur përpara detyrave dhe se ky është një kapitull i ri për njerëzit e Kosovës.

Letra e urimit të Edi Ramës për Albin Kurtin