‘4 stinë përrallore’ për herë të parë në Shqipëri vjen një album pianistik me 12 përrallëza për fëmijë, nga artistët Ardita Bufaj dhe Klodian Qafoku
Një libër me 12 përrallëza, që janë të shoqëruara nga miniatura pianistike të krijuara nga kompozitori Klodian Qafoku. Shumë nga personazhet e këtij libri janë reale, të cilat janë kthyer në burim frymëzimi për të realizuar krijimin e këtyre përrallëzave, si: Eliza, Ujana, Dielleza, Reina, Nikol, Flladi, Dena, macja Kiki, Kejsi, Akili, Vivian dhe gjyshi Velo.
Duke lexuar këtë libër të gjithë fëmijët do të gjejnë veten duke udhëtuar nëpër universin magjik të botës së fantazisë dhe asaj të muzikës, ku gjeli Koko këndon, arushi Loni luan në flaut, ketri Fllad dirigjon orkestrën, macja Kiki-luan në piano, majmuni Abu ëndërron të flejë mbi banane etj. Historitë janë mjaft tërheqëse dhe mbajnë zgjuar kureshtjen e fëmijëve nga fillimi në fund. Koleksioni i përrallëzave është i shkruar në formën e katër stinëve të vitit, ku secila stinë ka tri përrallëza. Të ndërtuara me një stil të veçantë, ato zhvillojnë dhe ndihmojnë në rritjen e imagjinatës dhe kreativitetit të fëmijëve. Ky libër është i vlefshëm për të gjithë fëmijët, veçanërisht ata të cilët luajnë në instrumentin e pianos ku shërben për të zhvilluar aftësitë e tyre muzikore si dhe kultivimin e dëshirës dhe pasionit për të luajtur në instrumentin e pianos.