Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 25 Nëntor 2026, Receta/ Shëndeti i kockave, forcimi i këmbëve/ Vlerat e Mollës

25 Nëntor, 16:14 | Përditesimi: 25 Nëntor, 16:14

Zonja Mirela solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Sheqerpare Dibre / Makarona elb me kërpudha dhe spinaq / Bukë misri me shëllirë.

A e dini se forca e këmbëve është një nga treguesit e rëndësishëm të shëndetit dhe jetëgjatësisë sonë? Me kalimin e viteve, veçanërisht pas moshës 50-vjeçare, trupi fillon të humbasë gradualisht masën dhe forcën muskulore. Ky proces mund të ndikojë drejtpërdrejt në ecjen, ekuilibrin, pavarësinë dhe cilësinë e jetës. Por a mund ta ngadalësojmë këtë proces përmes ushqyerjes së duhur? Cilat janë ushqimet që ndihmojnë në ruajtjen dhe forcimin e muskujve? Sa të rëndësishme janë proteinat, vitaminat dhe mineralet për shëndetin e muskujve dhe kockave? Dhe cilat zakone duhet të përvetësojmë pas të 50-ve për të ruajtur forcën dhe lëvizshmërinë? Për të folur më gjerësisht mbi këtë temë kaq të rëndësishme, me nutricionistin Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, do të ndalemi te lidhja mes ushqyerjes së shëndetshme, forcës muskulore, shëndetit të kockave dhe jetëgjatësisë.

“Një mollë në ditë mban mjekun larg”, një shprehje e njohur që e kemi dëgjuar të gjithë, por sa e vërtetë është në të vërtetë? Molla është një nga frutat më të konsumuara dhe më të dashura, por pas shijes së saj fshihen vlera të shumta ushqyese dhe përfitime të rëndësishme për shëndetin. Çfarë ndodh me organizmin tonë nëse konsumojmë një mollë çdo ditë? Si ndikon ajo në tretje, zemër, sheqerin në gjak dhe sistemin imunitar? A është më e shëndetshme të hamë mollën me lëkurë apo pa të? Cila është më e mirë: molla e kuqe, jeshile apo e verdhë? Dhe a ka raste kur konsumimi i saj duhet kufizuar? Për të zbuluar sekretet e këtij fruti, për të ndarë përfitimet reale nga mitet dhe për të kuptuar se kur dhe si duhet ta konsumojmë, flasim në Rreze Dielli me nutricionistin Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike.

MC/Shqiptarja.com