Muaji i festave, vetëm një ditë na ndan nga Festa e Pavarësisë dhe “Rreze Dielli” hapet ndryshe me një performancë nga fëmijët e “Kako Dance Academy”.
Në këndin e kuzhinës Zonja Mirela solli tre receta të shpejta dhe plot shije. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tavë me pistil / Kulaç me kos i Gjyshes / Recetë arbëreshe “Tepsi” - Byrek i hapur.
Shqipëria ka një pasuri të jashtëzakonshme kulturore, që jeton në traditat, veshjet popullore, motivet e qëndisura, këngët dhe mjeshtëritë e trashëguara ndër breza. Por ruajtja e kësaj pasurie kërkon njerëz që e duan, e promovojnë dhe punojnë çdo ditë për ta mbajtur gjallë. Sot në studion e Rreze Dielli do të flasim për trashëgiminë tonë kulturore, artizanatin shqiptar dhe identitetin arbëresh, përmes historive të njerëzve që e kanë kthyer traditën në mision dhe pasion. Flasim me katër zonja të nderuara që kontribuojnë në promovimin e kulturës tonë, e cila shprehet shumë bukur nëpërmjet elementëve në kostumografi: Erilda Selaj, drejtuese e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale; Lizeta Hatika, artizane e veshjeve tradicionale nga Gjirokastra; Zajmira Qeraxhiu, Kostumografe dhe Ambasadore e Promovimit të kostumit Arbëresh në botë; dhe Lindita Binaj, artizane qilimash.




















