Anëtari i KAS: Për Beratin vendosim nesër se çfarë provash të LSI do pranojmë! Ardit Çela: Mandati u mor me dhunë për 77 vota! Në 24 qendra votimi më shumë fleta votimi se votues

14 Maj 2021, 23:13

Komisioni i Animimeve dhe Sanksioneve pritet që të ketë proces maratonë që do të zgjasë në kohë në lidhje me shqyrtimin e 19 kërkesave ankimore që i janë drejtuar nga PD, LSI dhe kandidatët e pavarur të Vetëvendosjes! Në një lidhje me emisionin ‘Pa protokoll” në Report Tv, ishin edhe anëtari i KAS, Ledio Braho dhe kandidati i LSI për Beratin, Ardit Çela. Braho tha se për qarkun e Beratit, LSI ka dy kërkesa e para që po shqyrtohet është pavlefshmëria në disa qendra votimi në qarkun Berat dhe e dyta për rinumërimin e disa qendrave votimi, kërkesë që nuk është marrë ende në shqyrtim. Në seancën e sotme tha Braho, u shty pasi kishte shumë prova nga LSI dhe nesër do të merret vendimi se cila nga këto prova do të pranohet dhe a do të kërkohen nga KAS prova shtesë të tjera për këtë qark. Braho tha se LSI pretendon se në disa qarqe ka më shumë fletë votimi se votues. Ndërsa nga ana tjetër kandidati i LSI, Ardit Çela, i cili humbi mandatin e tij në qarkun Berat për 77 vota, tha se ka pasur parregullsi të mëdha në 24 qendra votimi, ku kutitë janë mbushur me fletë votimi tepër dhe se nuk ka një raport se kush ka votuar, duke pretenduar se këtu mandati është marrë me dhunë.