Basha: Berisha i bërë njësh me grupet kriminale që PD i pati përballë më 25 prill

19 Nëntor 2021, 21:20

Kryetari i PD-së Lulzim Basha e akuzoi rëndë ish-kryetarin Sali Berisha se po përdor grupet kriminale në luftën e tij, ato grupe kriminale që sipas Bashës i kishte përballë më 25 prill.

"Në vend që ta ndihmonte PD me aktet për të cilat ishte zotuar, hedhjen një hap prapa dhe trajtimin siç do ta trajtonte çdokush, siç do ta trajtoja edhe unë problemin e shpalljes 'non grata', Sali Berisha i është përgjigjur duke mobilizuar energjitë e tij në një betejë jo kundër kundërshtarit tonë politik, por kundër PD-së dhe për këtë arsye e kam cilësuar një tub oksigjeni për regjimin sepse ndërkohë që ne jemi përballë Edi Ramës, në mënyrë të përditshme dhe me një aksion të strukturuar politik, zoti Berisha të vetmin kontribut që po jep është shfokusimi i këtyre energjive, shpërqendrimi nga beteja me Edi Ramën dhe fatkeqësisht, së fundi, siç e kemi parë, shpalosjen nën flamurin e lëvizjes së tij të të njëjta figurave të krimit të organizuar që demokratët i kishin përballë në zgjedhjet e 25 prillit", tha Basha.