Bukë me hudhra, gjalpë dhe rigon
Përbërësit:
- 3 gota miell
- 1 gotë qumësht
- 1 gotë ujë
- 1 lugë maja e thatë
- 1 lugë sheqer
- 1 lugë kripë
- 1 kokërr vezë
- 3 lugë gjalpë
- 2 lugë hudhër të grirë imët
- 1 lugë rigon
- Djathë të butë pice
Përgatitja:
Përgatisim fillimisht majanë duke e vendosur në një enë me ujin dhe qumështin e ngrohtë ku shtojmë sheqerin dhe kripën. E trazojmë mirë, shtojmë vezën dhe më pas miellin gradualisht. E punojmë mirë brumin e bukës me duar. E lyejmë me gjalpë dhe e lëmë të pushojë mbuluar me një pecetë në një vend të ngrohtë që të vijë. Ndërkohë që brumi dyfishohet grijmë imët hudhrat dhe i trazojmë me rigonin dhe rreth dy lugë gjalpë të temperaturës së ambjentit. Pasi brumi të ketë ardhur e punojmë mbi tyrezën e punës dhe hapim një petë të trashë duke i dhënë formë katrore. E lyejmë të gjithë sipërfaqen me salcën e aomatizuar dhe në fund e spërkasim me djathin e grirë. E presim petën në disa kuadrate të cilat i vendosim njëra mbi tjetrën në një tepsi duke realizuar një bukë si të prerë në feta. E lëmë përsëri të pushojë dhe më pas e vendosim në furrë të parangrohur në temperaturën 180 gradë Celsius. Sapo e nxjerrim nga furra ashtu të ngrohtë e lyejmë me furçë me pak gjalpë dhe e servirim.