Byrek me pulë dhe oriz nga zonja Albana

12 Maj 2023, 12:01

Byrek me pulë dhe oriz

Përbërësit:

  • 1 pulë
  • 2 gota oriz
  • 1 lgj gjalpë
  • 4 lgj vaj ulliri
  • 1 kg qepë
  • Kripë, piper

Për brumin:

  • 750 gr miell
  • 1 e 1/2 lç kripë
  • 100 ml vaj ulliri
  • 350 ml ujë të vakët
  • 2 lgj uthull
  • Niseshte për hapjen e petëve

Përgatitja:

Fillimisht zëmë brumin dhe e lemë pak të pushojë. Në një tigan të madh të thellë kaurdisim për pak minuta pulën. Tek yndyra që kemi kaurdisur pulën skuqim qepët e grira imët. Shtojmë kripë dhe piper të zi dhe nga pak ujë që qepët të treten mirë. Vendosim pulën të ziejë mirë me 2 gota ujë derisa të shkëputet lehtë nga kockat. Më pas mishin e pulës e presim në fije të holla. Tek lëngu i pulës hedhim orizin dhe e lemë të ziejë si për rizoto. Në fund e bashkojmë me mishin e copëtuar të pulës.

Lyejmë tepsinë me yndyrë dhe vendosim 3-4 petë. Shtojmë masën e përgatitur, e hapim mirë dhe vendosim petët e tjera. E spërkasim byrekun me pak yndyrë dhe e vendosim të piqet në furrë të parangrohur në temperaturën 200 gradë Celsius për 40-45 minuta.