Cheesecake me luleshtrydhe
Përbërësit:
Baza:
- 150 g biskota integrale të shtypura
- 75 g gjalpë
Mbushja:
- 4 fletë xhelatine
- 300 gr krem djathi natyral
- 500 gr luleshtrydhe
- 120 - 130 gr sheqer
- 450 gr ajkë (pana për rrahje)
- Lëngu i 1 limoni
- 100 gr luleshtrydhe (për dekorim)
Përgatitja:
Thërrmoni biskotat derisa të bëhen si pluhur i imët. Shkrini gjalpin dhe përziejeni mirë me biskotat e shtypura. Shtroni fundin e një forme për tortë (24 cm diametër) me letër pjekjeje dhe vendosni përzierjen e biskotave duke i shtypur në formë derisa baza të jetë e njëtrajtshme dhe e lëmuar. Vendoseni në frigorifer që të forcohet. Ndërkohë vendosni xhelatinën në ujë të ftohtë për rreth 10 minuta që të zbutet. Prisni luleshtrydhet në copa të vogla dhe spërkatini me sheqer. Përziejeni lehtë kremin e djathit me pak ajkë. Rrihni pjesën tjetër të ajkës derisa të bëhet shkumë e lehtë. Përziejini butësisht kremin e djathit me ajkën e rrahur dhe shtoni luleshtrydhet me sheqer. Hiqeni xhelatinën nga uji dhe shkrijeni në temperaturë shumë të ulët (në tenxhere ose mikrovalë), duke e përzier derisa të shkrihet plotësisht. Shtoni lëngun e limonit dhe lëreni të ftohet pak. Kur përzierja e xhelatinës të jetë e vakët, përziejeni me kujdes me mbushjen. Hidheni mbushjen mbi bazën e biskotës dhe vendoseni në frigorifer për të paktën 4 orë që të mpikset. Pasi ëmbëlsira të jetë mpiksur hiqni anët e formës dhe dekorojeni me luleshtrydhe të prera në copëza.




















