Dekoroi torturuesin e sigurimit të shtetit', Çika: Meta të ndajë mendjen, është me xhelatët apo viktimat!

31 Mars 2021, 13:41

Ilir Meta nuk ka asnjë të drejtë të flasë për krimet e komunizmit pa e ndarë mendjen nëse është me xhelatët apo me viktimat. Ky është qëndrimi i fortë i kreut të Shoqatës Antikomuniste të Ish-të Përndjekurve Politikë, Nebil Çika pasi kreu i shtetit dekoroi Mehdi Bushatin dje, një person i cili sipas ish-të përndjekurve ka qenë torturues i sigurimit të shtetit.

Në një intervistë për Report Tv, Çika thotë se shoqata që ai drejton do ta bojkotojë çdo aktivitet të Presidentit.

"Unë i kam kërkuar Metës që të ndajë mendjen, ose me viktimat ose me xhelatët. Nuk mund të marrin të njëjtin titull. Ne do të bojkotojmë çdo aktivitet të Ilir Metës sa të jetë President. Ne do të ndërmarrim hapat tona. Ilir Meta ka shkelur ligjin. Në konceptin tonë Presidenti s'ka pasur asnjë të drejtë të flasë për krimet e komunizmit. Me këto dekorime ai ka shkelur Kushtetutën dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Me dekorime të xhelatëve të diktaturës nuk mund të shkohet në Evropë.

Nebil Çika teksa foli për rolin e Mehdi Bushatit në periudhën e komunizmit tha se ai ka lënë pasojë të tmerrshme tek shumë familje.