Dosja e pastrimit të parave të Cosa Nostra/ Më 6 tetor 2021 Rezart Taçi foli me bosin e Palermos dhe u bë garant për shumën e 18 mln euro

14 Nëntor 2021, 10:27 | Përditesimi i fundit: 2021-11-14 12:31:11

Dosja e prokurorisë mbi planin e pastrimit përmes Shqipërisë të 18.399.996 eurove, të cilat dyshohet se i përkasin Cosa Nostras, zbulon surpriza të reja. Një nga protagonistet e dosjes që Report TV ka siguruar, është Rezart Taçi, i akuzuar nga SPAK për “pastrim parash” dhe sot i shpallur në kërkim. Ish-biznesmeni shqiptar i naftës, sipas dosjes, jo vetëm vuri në dispozicion njohjet e tij në Mal të Zi dhe në Shqipëri për të lejuar transferimin e shumës nga parajsat fiskale deri në Singapor, por u bë personalisht garant me pasurinë e tij, nëse ato mbi 18 milionë euro do të humbnin.

Prapaskenat e bujshme zbulohen në faqet e dosjes, ku prokuroria e Palermos tregon që Rezart Taçi ka folur direkt në telefon me pronarin e shumës së madhe, Francesco Zummo, 90 vjeç, të cilit gjykatat italiane i kanë konfiskuar një pasuri prej më shumë se 150 milionë euro të konsideruara të prejardhura nga Cosa Nostra. Francesco Zummo, edhe ky i arrestuar tashmë, ka qenë një nga ndërtuesit më të mëdhenj të Palermos dhe krahu i djathtë i Vito Cianciminos, ish-kryebashkiak i kryeqendrës siçiliane, i konsideruar si arkëtari i Mafias.