E martuan me zor,zhduket 20-vjeçarja/I nis letër ’Pa gjurmë’ zbulon të vërtetën

28 Qershor 2022, 18:35

Jam një vajzë 20-vjeçare nga qyteti i Elbasanit. Me historinë time kërkoj t’i jap zë të gjitha vajzave si unë. Le të jetë kjo letër, një histori frymëzimi për të ndryshuar një herë e përgjithmonë mentalitetin e vjetër, kur vajzat nxirren nga shtëpia ende pa shijuar adoleshencën e tyre. Si unë, dhe kushdo tjetër që ka fatin tim, kur në moshën 15-vjeçare familja më fejoi pa dëshirë me një person që kishte qenë më parë i martuar. Dhe unë edhe pse e mësova vonë të shkuarën e tij, pasuria verboi të gjithë familjarët e mi, të cilët donin që të siguronin një të ardhme më të mirë për mua, por pa marr parasysh pasojat e rënda. Pa menduar se çfarë ndieja shpirtërisht, kur ende për ta kuptuar thellësisht çfarë ishte dashuria e vërtetë rashë pre e këtij mentaliteti mediokër. Ai jetonte në Itali me familjen tij, kur me shkuesi u lidhëm fillimisht nëpërmjet telefonit. Një marrëdhënie e çuditshme me një njeri, të cilin unë do ta takoja për herë të parë 6 muaj më vonë. Kur u zhvendosa në Itali ndryshimi për mua ishte i madh. Jeta ime mori tjetër rrjedhë, pasi nuk munda dot të vazhdoja as gjimnazin. 4 vitet e mia ishin përpjekje deri në kufijtë e durimit, ndërsa prindërit më kërkonin të lindja një fëmijë. Në përpjekje të vazhdueshme në këtë luftë me veten mendoja vetëm t’ia mbathja, sapo të mbushja moshën për të qenë e pavarur. Isha thjeshtë një shërbyese në shtëpi, ndërsa vuaja praninë e femrave që hynin dhe dilnin nga jeta e tij. Nuk gjeta kurrë mbështetjen, përveç forcës që duhet të gjeja brenda vetes. Sapo mbusha të 18-tat vendosa të largohesha përgjithmonë nga ai ferr. U ktheva në Shqipëri pa njoftuar askënd. Në Tiranë gjeta një shtëpi me qira, ku qiranë e ndaja bashkë me disa vajza të tjera. Gjeta një punë, ndërsa fillimi ishte shumë i vështirë për mua. Ikja dhe vija në këmbë, pasi nuk doja të harxhoja para as për urban. Puna më ndryshoi gjithçka, pasi aty njoha edhe dashurinë e vërtetë. Sot jam e martuar, e lumtur me bashkëshortin që kam përkrah në çdo moment. Fati deshi që të kem në krahun tim një person që di të respektojë dhe të dashurojë një femër. Kjo është historia ime dhe dua ta bëj publike që me forcën e durimit që unë pata për të lëvizur gjithçka, të përcjell mesazhin për gjithë ato femra që ndihen si unë.