‘E përgjonte‘ nënën me kamera në dhomë, zhduket natën Drita Çakallozi

4 Korrik 2022, 18:25

#pagjurme #odetadume #reportTVDrita Çakallozi është 71-vjeçarja e cila rezulton e humbur që prej datës 28 qershor të këtij viti nga banesa e saj në fshatin Luar të Roskovecit. E moshuara prej dy vitesh jetonte e vetme, pasi bashkëshorti ndërroi jetë. Kjo gjë u përjetua rëndë nga 71-vjecarja, shëndeti i së cilës filloi të përkeqësohej çdo ditë e më shumë, ndërsa kohët e fundit është diagnostikuar me sklerozë. Ajo ndihej vazhdimisht keq, madje kur fliste me vajzat në telefon i bënte fajtore pse e kishin lënë vetëm, duke i paralajmëruar se do të ikte nga shtëpia. Për të kujdesej një e afërme e familjes, pasi dy vajzat prej vitesh jetojnë në Itali. Për shkak të sëmundjes nga e cila vuante nëna, një nga vajzat kishte vendosur një kamer në dhomën ku ajo qëndronte më së shumti nga e cila kontrollonte në distancë lëvizjet e saj, por edhe komunikonin çdo mbrëmje. Hera e fundit që e moshuara u pa brenda në banesë nga e bija ishte ora 11:30 e mbrëmjes së datës 27 qershor, ndërsa kur u zgjua të nesërmen, Drita nuk ndodhej më në dhomë. Me të vënë re mungesën e 71-vjeçares familjarët bëjnë denoncimin në policinë e Roskovecit, por deri më tani nuk kanë mundur të zbulojnë asnjë gjurmë. Shqetësimi më i madh i vajzave është shëndeti mendor i Dritës.