E rëndë/ ‘I fejuari më bëri pritë me shokët, abuzoi seksualisht me mua’

3 Qershor 2022, 19:41

Ishte 18 vjeçe asokohe, kur Zenepja u fejua me Riza Gjelin nga komuna Papër e Elbasanit. Ata njiheshin që në vogëli dhe kjo fejesë ishte shkuar prej vitesh, deri në zyrtarizimin e saj në vitin 1987. Për ironi të fatit Zenepen e dashuronte një tjetër djalë në fshat, ndaj Rizai vendos që e fejuara e tij të mbetej shtatzënë dhe kështu ajo do të ishte përgjithmonë e tija. Gjithçka ndodhi forcërisht dhe pa dëshirën e vajzës. Kaluan muaj dhe kur Zenepja kuptoi që shumë shpejt do të bëhej nënë, njoftoi familjarët të cilët morën masa për të organizuar dasmën e çiftit. Familja e Rizait nuk e pranonte këtë fëmijë pasi foshnja ishte ngjizur para martese, ndaj Rizai edhe pse ishte i vetëdijshëm që fëmija ishte i tiji, e mohoi. Kjo për arsyen se ai filloi të shoqërohej me një tjetër vajzë në fshat me të cilën donte të martohej, por familja e tij nuk ishte dakord pasi vajza rezultonte me biografi të keqe. Në fund të vitit 1989, Zenepja, në muajin e 7 të shtatzënisë shkon me urgjencë në maternitetin e Elbasanit, atje ku lind djalin e saj. Fatkeqësisht ajo nuk mundi t’i vendosë një emër, nuk mundi ta shohë dhe as ta shtrëngojë në gji, pasi për shkak të ndërhyrjes së dy familjeve, ai fëmijë duhej të “zhdukej”. Kjo 53-vjeçare që vjen të kërkojë ndihmë në emsionin Pa Gjurmë, ka mësuar se foshnja u la nga stafi i spitalit në jetimoren e Elbasanit, por ende sot e kësaj dite nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e tij. Pas braktisjes së djalit Zenepja dhe Rizai vazhduan jetën dhe u bënë prindër të 5 fëmijëve. Jeta e çiftit nga Elbasani ishte një jetë e qetë në fillimet e saj, por vitet e fundit para se të ndërronte jetë, Rizai u bë konsumues i rregullt i alkoolit dhe filloi të ushtronte dhunë mbi të. Sot me 5 fëmijë që kanë emigruar jashtë vendit, Zenepja jeton e vetme në Cërrik, me brengën e madhe në zemër për të gjetur fëmijën e saj të parë, që prej vitesh e la atë me kokën pas…