Ekzekutimi i Behar Sofisë, familjarët: S'jemi kërcënuar! Doli për kafe, s'do takonte njeri! I 'zbërthehet' telefoni

26 Shkurt 2021, 12:16 | Përditesimi i fundit: 2021-02-26 12:18:42

66 vjeçari Behar Sofia, i njohur si "padron droge", u ekzekutua mëngjesin e djeshëm afër Piramidës në Tiranë nga një vrasës që është larguar me biçikletë, pa lënë asnjë gjurmë. Autori pasi e ka ndjekur disa metra pranë shtëpisë së tij, i ka dalë para 66 vjeçarit dhe e ka qëlluar. I veshur sportiv, me kapele e syze pasi ka bërë atentatin autori është larguar pa e parë askush dhe ka kaluar në këmbë urën e Lanës. Më pas ai ka marrë një biçikletë pranë kullave dhe është larguar drjet Kodrave të Liqenit.

Policia ka marrë në pyetje familjarët e 66-vjeçarit pasditen e djeshme, ndërsa burime për Report Tv thonë se se ata kanë mohuar të kenë patur konflikte apo kërcënime kohët e fundit. Përpara se Sofia të dilte nga shtëpia dhe të vritej ai u ka thënë familjarëve se do të pinte një kafe, do blinte diçka e më pas do kthehej. Ndërkaq nuk kishte përmendur se do takonte dikë.

“Nuk kemi patur kërcënime dhe konflikte kohët e fundit. Behari doli të pinte kafe, më pas do të blinte diçka dhe do të kthehej në banesë. Behari, kur doli, nuk na tha se do të takonte njeri”, thonë familjarët.

Nga këqyrja paraprake që i është bërë celularit të viktimës, nuk janë gjetur biseda me persona të dyshimtë, përveç atyre me familjarë. Deri tani lidhur me vrasjen e tij janë të shoqëruar të paktën 10 persona, të gjithë familjarë dhe të afërm të viktimës dhe asnjë person i dyshuar.

Sofia është qëlluar me armë me silenciator në afërsi të Piramidës dhe ka ndërruar jetë pak pasi është dërguar në spital. Ngjarja ka ndodhur shumë pranë banesës së tij te pallati ETC, ku sapo kishte dalë nga ambientet e një lokali ku kishte pirë kafen dhe po shëtiste pranë Lanës, përballë Piramidës.

Atentatori ka qenë në lëvizje në këmbë në momentin që ka qëlluar në drejtim të 66-vjeçarit. Menjëherë më pas është larguar duke humbur gjurmët. Grupi hetimor ka ngritur dyshime se ka patur edhe bashkëpunëtorë, të cilët e kanë ruajtur dhe zbardhur lëvizjet e ditëve të fundit të Sofisë. Në vendin e ngjarjes nuk ka kamera sigurie që të kenë filmuar momentin e ekzekutimit, por grupi hetimor ka sekuestruar një numër të konsiderueshëm pamjesh të kamerave përreth zonës, për të rënë në gjurmët e autorëve.