Emisioni i plotë Rreze Dielli (10 Shkurt 2023)

10 Shkurt 2023, 20:01

Zonja Albana solli një recetë plot shije në “Rreze Dielli”. Receta e përzgjedhur për ditën e sotme ishte: Petulla të buta si mafishe me reçel. 
Hallva është një ëmbëlsirë e thjeshtë por nga më tradicionalet e kuzhinës shqiptare. Secila krahinë apo zonë ka veçori të veçanta në përgatitje duke filluar nga gjalpi apo vaji. Por ajo që e bën të ndryshme hallvën nga krahina në krahinë është ngjyra e saj. E ftuar në kuzhinën e "Rreze Dielli" aktivistja e moshimit Mira Pirdeni, këtë herë erdhi si amvisë dhe përgatiti hallvën dibrane.
Mira Pirdeni, aktivistja e moshimit në kuzhinën e "Rreze Dielli" përgatiti supën tradicionale të familjes së saj, një supë e thjeshtë por e shijshme vetëm me lëng mishi, miell, gjalpë, limon dhe vezë të freskët.


Në studion e “Rreze Dielli” me Loreta Berhami, botuese; paralelisht në skype edhe shkrimtari Albatros Rexhaj për të diskutuar temën ‘Pse e kemi të vështirë të flasim për seksin me partnerin?’ “Biseda për seksin”, 5 biseda thelbësore nga dy bashkëshortët psikoterapistë për një jetë seksuale të jashtëzakonshme në çift. 


Kujtim Hysensani, fizioterapisti i verbër nga Përmeti tregon historinë e jetës së tij në “Rreze Dielli” si e humbi tërësisht shikimin në moshën 16-vjeçare. Dikur një student ekselent, sot ai punon si fizioterapist në Qendrën Sociale Multidisiplinare në varësi të Bashkisë së Tiranës.Kujtimi pavarësisht sfidës me të cilën e përballi jeta nuk hoqi dorë. Ai vendosi të bëjë një jetë normale, duke vazhduar shkollimin dhe duke marrë një profesion, madje ai tregon se ka mbaruar dy fakultete dhe e shikon dijen si një strategji jo vetëm për të arritur një profesion por edhe për të zhvilluar më tej karakterin e tij.
Unë besoj se çdo person duhet ta ketë dijen një strategji  të veten që të rrisi qoftë aftësitë profesionale por pse jo edhe personalitetin dhe karakterin e tij. Unë pasi kam mbaruar shkollën e mesme m’u dha mundësia për të vazhduar shkollën e lartë dhe një nga profesionet që mund të bëjë një person me aftësi të kufizuara në shikim është fizioterapia. Unë fizioterapinë mjekësore nuk e kam pasur pasion, kisha fizioterapinë sportive, por e zgjodha sepse ishte më e thjeshta për ta aplikuar. Unë kisha dëshirë juridikun ose gazetarinë por këto profesione janë pak më të vështira kurse tek fizioterapia një person me aftësi të kufizuara në shikim mund të jetë autonomm. Pas fizioterapisë studiova juridikun, kam marr bursë nga një universitet privat. 
Pas mbarimit të studimeve, Kujtim Hysensani punon si fizioterapist dhe shprehet tepër i kënaqur me profesionin që ka zgjedhur.
 Në studio, Kujtimi do të demostrojë dhe disa ushtrime për ftohjet muskulare. 


Ajo është një ndër këngëtaret më energjike të skenës së muzikës tonë dhe po ashtu më e dashura për publikun. Ka një adrenalinë të jashtëzakonshme që arrin ta përçojë edhe tek publiku. Bëhet fjalë për Aurela Gaçen, e cila promovoi një natë më parë albumin e saj të fundit. 
Pas 30 viteve në skenë dhe pas një repertori shumë të gjatë këngësh hit, Aurela vazhdon të befasojë publikun që e ndjek me besnikëri prej vitesh me talentin dhe energjinë e saj, ashtu si dhe ky album ‘binjakë’ që siç thotë ajo vjen 2 nw 1 me titullin  ‘Unike…me taban’. 
Këngëtarja në këtë album të veçantë ka bërë një përzierje të stileve të këngëve, siç vetëm ajo di të bëjë.
Report Tv ndoqi nga afër promovimin e albumit të këngëtares, në prezencën e miqve të saj  dhe personaliteteve të artit shqiptar. Të cilët në këtë natë të rëndësishme për të, nuk i munguan duke shijuar suksesin e këngëtares dhe muzikën e saj të mirë. Mes këngëve plot mesazhe, energjisë që vetëm Aurela di të përcjellë në skenë, mori urimet më të mira nga miqtë.