Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 13 Nëntor 2026, Receta/ Shqiptarët e Diasporës\ Maskë natyrale flokësh

13 Nëntor, 15:06 | Përditesimi: 13 Nëntor, 15:06

Zonja Mirela solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Kek me reçel / Qofte me hikërr dhe kungull / Rizoto me kungull.

Shqiptarët e diasporës, edhe pse larg atdheut, ruajnë një lidhje të fortë me vendin e tyre, duke dëshmuar përmes aktiviteteve kulturore, nismave humanitare dhe bashkimit në festa kombëtare se rrënjët dhe identiteti shqiptar mbeten gjithmonë pjesë e jetës së tyre. Në një lidhje skype nga Amerika, gazetarja Eva Dori, ndan disa prej ngjarjeve dhe historive më domethënëse të komunitetit shqiptar në SHBA: emocionet e vizitës në Shtëpinë e Bardhë, 25-vjetorin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, historinë prekëse të një mësueseje në Filadelfia dhe solidaritetin e grave shqiptare në luftën kundër kancerit. Ajo rrëfeu gjithashtu mobilizimin e komunitetit shqiptar për të ndihmuar spitalin e Lushnjës dhe festimet e Nëntorit nga Filadelfia në Nju Jork, duke përcjellë mesazhe humanizmi, solidariteti dhe dashurie për atdheun.

Në rubrikën “Bëje Vetë”, Niki dhe Stela rikthehen si gjithmonë me ide praktike dhe receta natyrale që mund t’i realizojmë lehtësisht në kushtet e shtëpisë. Këtë herë, vajzat do të përgatisin një maskë natyrale për stimulimin e rritjes së flokëve, me përbërës të thjeshtë që të gjithë i kemi në kuzhinën tonë. Por jo vetëm kaq! Do të mësojmë edhe si aplikohet siç duhet një maskë flokësh, sa kohë duhet mbajtur dhe cilat janë teknikat e duhura për të përfituar sa më shumë nga kujdesi natyral për flokët.

MC/Shqiptarja.com